Ndonëse në fund të qershorit Qeveria e Kosovës ndaloi përdorimin dhe funksionimin e aplikacionit TikTok në institucionet shtetërore, një gjë e tillë aktualisht nuk planifikohet në nivel vendi.
Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Analizat dhe vlerësimet e institucioneve dhe ekspertëve në lidhje me gjendjen dhe rreziqet e sigurisë kombëtare kibernetike janë të vazhdueshme. Masat dhe rekomandimet për të ardhmen nxirren vetëm mbi rezultatet e këtyre analizave. Aktualisht, nuk është diskutuar ndalimi i rrjetit social TikTok në nivel vendi”, thotë Kryeziu.
Qeveria vendosi të ndalojë TikTok-un në institucionet shtetërore për shkak të rreziqeve kibernetike që, sipas ekzekutivit, ky aplikacion paraqet.
TikTok-u është aplikacion i popullarizuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, kompania amë e së cilës, ByteDance, e ka bazën në Kinë. Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, që përdoret nga të gjitha moshat, por të rinjtë janë shënjestra kryesore. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e tyre çdo ditë e më shumë.
Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, e kanë ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet qeveritare, për shkak të dilemave se TikTok-u mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me Qeverinë kineze.
Në vitin 2023, TikTok-u kishte 1.5 miliard përdorues aktivë në baza mujore, ndërsa deri në fund të vitit 2024 pritet të arrijë në 1.8 miliard përdorues. Numri i kosovarëve që përdorin këtë aplikacion nuk dihet, por videot e publikuara nga përdoruesit kosovarë marrin miliona shikime.
Arbisa Shefkiu, 28-vjeçarja nga Gjilani e sheh TikTok-un si një platformë të shkëlqyer për të shprehur kreativitetin dhe për t’u lidhur me njerëz të tjerë nga e mbarë bota.
Megjithatë, ajo beson se në Kosovë duhet të ketë nisma për të rritur ndërgjegjësimin dhe sigurinë e përdoruesve të kësaj platforme.
“Kjo përfshin edukimin e rinisë për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, si dhe monitorimin e përmbajtjes për të parandaluar abuzimin dhe shpërdorimin e platformave të tilla”, thotë ajo.
Sipas saj, është e rëndësishme që autoritetet dhe komuniteti të bashkëpunojnë për të gjetur zgjidhje që të sigurojnë një mjedis të sigurt për të gjithë përdoruesit. /REL