Mesfushori shqiptar Nedim Bajrami ka shprehur entuziazmin e tij për mundësinë e dhënë për ta treguar veten para tifozëve të Rangers, pasi u bashkua me ekipin e drejtuar nga Philippe Clement në minutat e fundit të merkatos gjatë muajit të kaluar.
Njëzet e pesë vjeçari nuk ishte pjesë e Rangers në ndeshjen e fundit para ndeshjeve të kombëtareve, por ai është gati të bëjë debutimin e tij këtë të diel në përballjen jashtë fushe ndaj Dundee United.
“Kur dëgjova që Rangers më kërkonte, u emocionova shumë. Unë dhe menaxheri im shkuam në Londër dhe ditën tjetër fluturova për në Glasgow, u takova me trajnerin dhe më pas shkuam në Ibrox. Nënshkrova në ditën e fundit të merkatos, ishte një ditë stresuese, por isha shumë i lumtur që u bashkova me Rangers, një klub me shumë histori”, ka thënë Bajrami për faqen zyrtare të klubit skocez. “Jam gati të luaj pasi kam luajtur dy ndeshje për Shqipërinë, por është në dorë të trajnerit nëse do të luaj. Ne kemi presion çdo javë këtu dhe më pëlqen ai presion”.
Ai është shprehur se kalimi nga Sassuolo te Rangers ishte një vendim i thjeshtë për të, duke theksuar dëshirën për të fituar trofe.
“Kam luajtur në Itali për pesë vitet e fundit dhe aty futbolli është shumë taktik. Kam folur me disa lojtarë që kanë luajtur në Skoci dhe ata më thanë gjëra të mira për futbollin këtu. Dua të adaptohem sa më shpejt dhe qëllimi im është të fitoj trofe, të jap maksimumin për ekipin dhe tifozët”, ka thënë ai.
Bajrami ka theksuar gjithashtu se ndihet rehat në disa pozicione në fushë, por preferon të luajë si numri dhjetë, një rol që e ndihmon të kontribuojë me gola dhe asiste për ekipin./RTK