×
  • Lajme
  • Lajme

    A do të ketë shpërndarje të Kuvendit javën tjetër?/ Flasin Arbër Rexhaj, Vlora Çitaku, Lutfi Haziri dhe Pal Lekaj

    Arbnor Buzhala
    24 Maj 2024

    Java e ardhshme pritet të jetë përfundimtare dhe do të qartësoj çdo gjë, nëse në Kosovë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare para pushimeve verore ose jo, shkruan FrontOnline.

    Aktualisht janë të propozuara dy data për zgjedhje të parakohshme 30 qershor dhe 7 korrik 2024, këto dy data janë propozuar nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës.

    Për tu mbajtur zgjedhjet në këtë interval kohor, Presidentja e Kosovës në këtë rast Vjosa Osmani,  pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, cakton datën për mbajtjen e zgjedhjeve dhe kjo duhet të ndodhë jo më shumë se 10 ditë pas shpërbërjes së tij dhe se zgjedhjet duhet mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit.

    ‘’4.5 Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe me vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

    Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveç se KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat’’ – Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

     

    Deputeti i VV-së: Jemi gati për shpërbërje – Veç me PDK-në s’mund ta shpërndajmë Kuvendin, s’ka dorëheqje e shkarkim të Qeverisë

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë për FrontOnline se nëse nuk ka unifikim të spektrit opozitar, shpërndarja e Kuvendit të Kosovës është e vështirë të ndodhë.

    ‘’Ju e keni parë takimin e kryeministrit, që ka ftuar gjitha partitë opozitare dhe normalisht meqë është vit i fundit i mandatit, ka rrjedhë më pas edhe çështja e datës së dakorduar se kur mund të shkohet në zgjedhje në këtë rast edhe shpërbërjes së Kuvendit, në këtë takim ka marr pjesë vetëm PDK-ja, por siç po shihet s’ka unifikim të spektrit opozitar dhe në këtë rast nëse s’ka unifikim opozitar është edhe problematike shpërbërja e Kuvendit’’ thotë Rexhaj.

    Deputeti Rexhaj, potencon se kanë gatishmëri me e shpërnda Kuvendin, nëse këtë gjë e kanë edhe partitë opozitare, konkretisht LDK dhe AAK.

    ‘’Nëse të gjitha subjektet politike kanë gatishmëri me shpërnda Kuvendin, Kurti është i gatshëm të pranojë atë’’ shton deputeti Rexhaj.

    Ai thotë se vetëm me PDK-në, nuk mund të e shpërbëjnë Kuvendin, pasi që i duhen 80 vota dhe se nëse partitë tjera opozitare nuk e përkrahin shpërndarjen, një gjë e tillë s’mund të ndodhë derisa dorëheqja ose shkarkimi i Qeverisë, nuk vjen në shprehje.

    ‘’Me PDK-në s’mund ti bëjmë 80 vota për shpërbërje. Dy partitë opozitare LDK dhe AAK nëse janë të gatshme të shpërndahet Kuvendi, sigurisht që do të ndodhë sepse duhen 80 vota, dhe se nuk vihet në shprehje shkarkimi ose dorëheqja e kryeministrit’’, deklaron ai.

     

    Çitaku: Jemi për zgjedhje, po takohemi dhe po flasim edhe me LDK-në e AAK-në

    Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së¸Vlora Çitaku, thotë për FrontOnline se qëndrimi i tyre është i qartë dhe konkret duke thënë se janë të mendimit që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje.

    ‘’Ju e dini se qëndrimi i PDK-së është i qartë, konsistent dhe publik – vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje dhe kjo kërkesë është transmetuar gjatë nga PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar’’, deklaron ajo.

    Çitaku deklaron se preferojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, por kjo nuk mund të ndodh dhe si opsion mbetet shpërbërja e Kuvendit.

    ‘’Ne sigurisht se preferojmë dorëheqjen e Kurtit, por meqë nuk i kemi votat për shkarkimin e tij, atëherë opsioni mbetët shpërbërja e Kuvendit’’, deklaron ajo.

    Më tej, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, thotë se janë duke punuar edhe me pjesën tjetër të opozitës sa i përket koordinimit për shpërbërje të Kuvendit.

    ‘’Ne jemi duke punuar edhe me kolegët tanë opozitar sepse të gjithë pajtohemi se vendi nuk është në rrugën e duhur dhe duhet të kthehet mandati tek qytetarët sa më parë. Ne jemi për zgjedhje, jemi konsistent’’ thekson Çitaku.

    Sekretarja e Përgjitshme e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para se ta takonte kryeministrin Albin Kurti, ka takuar kryetarin e LDK-së¸Lumir Abdixhikun dhe kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të pasur unifikim.

    ’Kryetari Krasniqi është takuar me kryetarin e LDK-së, Abixhikun dhe atë të AAK-së, Haradinajn, para se të takohet me kryeministrin Kurti dhe ne synojmë që të kemi një unifikim para se të ketë shpërndarje të Kuvendit’’, potencon ajo.

    Në fund, Çitaku thotë se gjithçka dihet javën që vjen nëse ka ose jo shpërbërje të Kuvendit.

    ‘’Ne po punojmë në atë drejtim dhe çdo gjë do të jetë e qartë ditët në vijim sepse afatet kushtetuese imponojnë se nëse synojmë zgjedhje me 7 korrik atëherë shpërndarja e Kuvendit duhet të ndodhë në fillim të javës tjetër’’, shton ajo.

     

    Haziri: S’ka shpërbërje të Kuvendit, nëse s’kalon Kodi Civil,  PDK dhe VV i kanë votat, le ta shpërbëjnë Kuvendin

    Nënkryetari i LDK-së¸Lutfi Haziri, për FrontOnline deklaron se shpërbërja e Kuvendit të Kosovës, varet se në çka janë dakorduar kryeministri Albin Kurti dhe lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, në takimin që kanë pasur.

    ‘’Varet krejt nga ajo çka janë dakordu Kurti ne emër të shumicës parlamentare dhe Krasniqi si pjesë e opozitës. A është përfshi Kodi Civil, për miratim kjo është çështje që mund të çojë drejt shpërndarjes së Kuvendit, por nuk pres që pa kalimin e Kodit Civil, nuk mund të ndodh shpërndarja e Kuvendit në këtë fazë’’ deklaron Haziri.

    Haziri, beson se pjesë  e takimit mes Krasniqit e Kurtit, ka qenë edhe diskutimi për Kodin Civil

    ‘’Unë besoj se pjesë e kësaj është edhe Kodi Civil’’ potencon ai.

    Nënkryetari i LDK-së, thotë për FrontOnline se kryeministri Kurti ka humbur ndikimin tek grupi i tij parlamentar dhe kjo është më shumë menaxhim i situatave dhe lojë fjalësh nga shumica parlamentare.

    ‘’Nëse nuk ndodh javën tjetër shpërndarja, atëherë Kurti e ka humbë mundësinë me menaxhu shumicën parlamentare, ai nuk e ka në menaxhim grupin e vet parlamentar dhe kjo ishte fakti se Kurti pas takimit me Krasniqin ka takuar zëvendëskryeministrin dhe ministrat e tij, por është çështje e tyre. Por kjo dëshmon se Kurti nuk e ka më shumicën dhe i duhet një parti si PDK për me mujt me zhvillu procesin. Detyrimisht po shihet se vetë nevoja për me i menaxhua disa marrëveshje, dëshmon se Kurti ka marrëdhënie të kushtëzuar me partitë opozitare’’ shprehet Haziri.

    Sipas tij VV dhe PDK me votat e pakicave mund ta shpërbëjnë Kuvendin.

    ‘’Është më shumë menaxhim i situatave dhe lojë me fjalë sepse shumica parlamentare edhe PDK-ja, me votat e pakicave mund ta shkaktojnë shpërndarjen e Kuvendit në çdo kohë’’deklaron Haziri për FrontOnline.

     

    Lekaj: Shpërbërja e Kuvendit version jo i sinqertë, PDK të bashkohet me opozitën për largimin e Qeverisë Kurti

    Nënkryetari dhe deputeti i AAK-së¸Pal Lekaj, për FrontOnline, thotë se kalimi i marrëveshjeve ndërkombëtare sot në Kuvendin e Kosovës, nuk ka nevojë të lidhet me punën e zgjedhjeve.

    ‘’Kalimi i Marrëveshjeve ndërkombëtare janë një e mirë që ndodhi sot në Kuvend dhe lidhet me ecurinë normale të legjislacionit të Kosovës e nuk kanë nevojë të lidhen me punën e zgjedhjeve’’ deklaron ai.

    Lekaj thotë se ideja dhe versioni i PDK-së dhe VV-së, për shpërbërje të Kuvendit është jo i sinqertë në raport me qytetarët.

     ‘’Ideja për të shkuar në zgjedhje në version të LVV-së dhe PDK-së është jo e sinqertë në raport me qytetarët dhe spektrin politik. LVV dhe Kurti duhet të pranojnë dështimet dhe gabimet në udhëheqje të institucioneve shtetërore tani e katër vite dhe kjo realizohet me Dorëheqjen e Qeverisë’’ thekson ai.

    Nënkryetari i AAK-së, për FrontOnline, thotë se PDK-ja duhet të kthehet dhe të bashkëpunoj me opozitën që të koordinohet për ta larguar Qeverinë Kurti nga pushteti.

    ‘’Ndërsa PDK duhet ti kthehet bashkëpunimit e koordinimit me Opozitën për ta larguar këtë Qeveri dhe pastaj është e lirë që të zhvilloj aktivitetet politike para dhe pas zgjedhore në formën që ata mendojnë’’ deklaron Lekaj.

    Ai thotë se janë për zgjedhje, por vetëm me shkarkim ose dorëheqje të Qeverisë

    ‘’AAK kërkon zgjedhje por ajo të bëhet me Dorëheqjen e Kryeministrit, si dëshmi e mos aftësisë për të udhëhequr shtetin e Kosovës, sepse vërtet Kosova ishte pa zot shtëpie’’ përfundon nënrkeytari i AAK-së, Pal Lekaj për FrontOnline./FrontOnline/

     

     

    Prince Coffee House tani edhe në Vjenë të Austrisë
    Nga Rubrika
    Lajme11 Shtator 2024
    Për të enjten parashikohet të mbajë mot kryesisht me diell. Vonë pasdite pritet gradualisht shtim i vranësirave, më të përqëndruara në Rrafshin...
    Lajme11 Shtator 2024
    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka theksuar se partia e saj nuk ka asnjë lidhje ideologjike me Lëvizjen Vetëvendosje dhe nuk ka...
    Lajme11 Shtator 2024
    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Kosovës për herë të parë në...
    Të tjera
    Lajme11 Shtator 2024
    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, është shprehur e bindur se kandidati i partisë së saj për kryeministër, Bedri Hamza, është më i...
    Lajme11 Shtator 2024
    Njëri nga të plagosurit nga rasti Capat-Sekiraqët, është liruar dje nga spitali. Ai ishte duke marrë trajtim në Klinikën e Kardiokirurgjisë. Kjo...
    Sport11 Shtator 2024
    Ylli i futbollit portugez dhe një nga lojtarët më të njohur në botë, Cristiano Ronaldo, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj trajnerit të...
    Lajme11 Shtator 2024
    Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit. Nacionale e siguroi aktakuzën...
    Lajme11 Shtator 2024
    Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për 19 vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë. Kurti e ka nisur postimin...
    Lajme11 Shtator 2024
    Agjencia shtetërore e Arkivave të Kosovës, ka bërë të ditur se ka përfunduar transferimin e materialit arkivor– pjesë e fondeve arkivore të...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.