Reduktimet me ujë të pijshëm në Prishtinë kanë filluar më shumë se një muaj. Megjithëse tani nga Ujësjellësi Rajonal “Prishtina” kanë bërë të ditur se nga sot e deri më 15 shtator do të ketë reduktime për furnizim me ujë të pijshëm.
Zëdhënësja e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, thotë për KosovaPress, po bëhet për të ruajtur resurset ujore dhe ruajtjen e kualitetit me ujë të pijshëm.
Mjeku ka treguar se në zonat rurale ujë nuk do të ketë nga ora 16:00 deri në orën 06:00, ndërsa në ato urbane do të ndalet në ora 24:00.
“Duke filluar nga sot ,15 gusht e deri më 15 shtator 2020, për shkak të ruajtjes së resurseve ujore, menaxhimit të thatësisë dhe ruajtjes së kualitetit të ujit të pijshëm, ju njofton me furnizimin e ri i cili vlen për të gjitha zonat e shërbimit”, të gjitha zonat rurale që kanë burime alternative do të kenë reduktime të ujit nga ora 18:00-06:00. Të gjitha zonat urbane do të kenë reduktime të ujit të pijshëm nga ora 24:00 (00-00) deri në 04:00, gjithsej 4 orë gjatë natës”, ka treguar Mjeku.
Tutje ajo ka thënë se qëllimi kryesor i Ujësjellësit “Prishtina”, është që të ofroj furnizim me ujë të pijshëm.
“Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” sh.a., qëllimin kryesor e ka ofrimin e shërbimeve të furnizimit me ujë të pijshëm për të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit. Për të përmbushur këtë mision me sukses dhe për të ofruar furnizim stabil me ujë të pijshëm dhe cilësorë, sigurisht që kërkohet angazhim maksimal dhe ka kosto të lartë në trajtimin e ujit dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit në vazhdimësi. Me të gjitha kapacitetet e saj, kompania ka bërë shpërndarje të barabartë të ujit në të gjitha zonat e shërbimit”, ka thënë ajo.
Vështirësi në furnizim me ujë, do të kenë katët e larta të ndërtesave kolektive.
“Katet e larta të ndërtesave kolektive, që mund të hasin në vështirësi rreth furnizimit me ujë të pijshëm, duhet të bëjnë zgjidhje individuale konform rregullave për Ligjin për Bashkëpronësi. Furnizimi me ujë dhe aplikimi i reduktimeve minimale varion nga zona në zonë për shkak të konfiguracionit të terrenit dhe konsumit të ujit”, ka thënë Mjeku