Sot për nder të Ditës së dëshmorëve në Prizren, kryetari Mytaher Haskuka dhe përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Landovicë, pranë shtatoreve të dëshmorëve të kombit Ismail Kryeziu, Pal Paluca, Xhevat Berisha, Ismet Jashari-Kumanova, dhe te monumenti i dëshmorit Remzi Ademaj në Prizren.
Për nder të kësaj dite, në hapësirat e Lidhjes së Prizrenit, kryetari Haskuka ka bërë shpërndarjen e mirënjohjeve për 22 gra veterane të luftës, që kanë kontribuar për çlirimin e vendit.
Në një fjalë rasti, i pari i Prizrenit tha se në këtë përvjetor po përkujtohen dëshmorët që flijuan jetën e tyre për të realizuar ëndrrat e qytetarëve të Kosovës për të pasur një shtet të lirë e të pavarur.
Pas shpërndarjes së mirënjohjeve, është përuruar rifillimi i punimeve për përfundimin e memorialit të heroit të kombit Besim Nrecaj në Malësi të Re. Punimet për këtë memorial filluan në vitin 2017, por nuk u përfunduan, ndërsa tani me projektin e ri memoriali do të përurohet deri në fund të këtij viti.