Emisari special për dialogun, Richard Grenell ka deklaruar sot se administrata e ish-presidentit Barack Obama ka injoruar çështjen Kosovë-Serbi.
Duke folur për PSCP.tv, ish-ambasadori amerikan tha se deri te marrëveshja e 4 shtatorit erdhi pasi që “kështu dëshironin kosovarët dhe serbët”.
“Ajo marrëveshje ishte vetëm pse serbët dhe kosovarët thanë se ‘mendojmë se është momenti për ne, pasi jemi injoruar për tetë vjet nga ekipi Obama-Biden, momenti të shikoni situatën tonë dhe të na ndihmoni’. Ne e bëmë dhe shikoni çfarë ndodhi”, u shpreh Grenell.
Ai ka folur edhe për përfshirjen e presidentit Donald Trump në marrëveshjen për normalizim ekonomik.
“Trump ishte i jashtëm në atë moment që u fut dhe tha se kjo s’ka kuptim. Ne po negociojmë për disa gjëra mes Kosovës dhe Serbisë dhe tradicionalistët ‘ekspertët’ e Ballkanit në Departamentit Shtetëror thanë se duhet ulur në tavolinë dhe të diskutohet për çështje politike”, tha Grenell.
Ai tha se marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë për normalizim ekonomik do të krijojë vende të reja pune.
Grenell gjithashtu foli edhe për fizibilitetin që SHBA do t’i bëjë Liqenit të Ujmanit përmes inxhinierëve, si pjesë e marrëveshjes në Uashington.
Ish-ambasadori Grenell ka folur gjithashtu se kishte propozuar në formë shakaje që liqeni i Ujmanit të quhej Trump.
“Menjëherë të dyja palët thanë se mund të shkojmë me këtë. Ia nisi si shaka dhe doli të ishte një formë e zgjidhjes”, ka thënë ai.