Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama edhe gjatë takimit me homologun e tij, Avdullah Hoti i ka dalë në krahë presidentit, Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli pas propozim-aktakuzave për krime lufte.
Rama në një konferencë të përbashkët për medie me Hotin theksoi se Gjykata Speciale nuk duhet të deformohet në një padrejtësi ndaj Kosovës dhe luftës së UÇK-së.
“Ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politikë shqipfolës. Qofshin këta në Kosovë, Shqipëri, apo Maqedoni të Veriut për të qenë të njëzëshëm që drejtësia të jetë e drejtë dhe procesi gjyqësor i mundshëm si rezultat i angazhimit të Kuvendit të Kosovës në miratimin e një Gjykate Speciale për të zbardhur akuzat për krime lufte të mos deformohet në një padrejtësi ndaj Kosovës dhe Luftës Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Derisa shtoi se ky qëndrim i tij nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje për të penguar politikisht Gjykatën Speciale.?
“Ky qëndrim nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje për të penguar politikisht një proces të drejtë ligjor. Por ka të bëjë me diskreditimin publik të këtij procesi përmes një shpallje mediatike të panjohur në sistemin e drejtësisë…kam pa deklaratat e ndërkombëtare që ky është një hap pozitiv, por aty vetëm hap pozitiv nuk ka. Aty është një hap shumë shqetësues”, tha ai.