Një numër i madh i bashkatdhetarëve janë parë teksa vinë këto ditë në Kosovë për të votuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen nesër në Kosovë.
Ardhje kishe edhe sot në Aeroportin e Prishtinës dhe nga pikat kufitare. Ndërkohë, vetëm dje në pikat kufitare të Kosovës, në perëndim, lindje dhe veri janë kontrolluar në hyrje 22.325 persona.
Zyrtarët policorë, i kanë thënë KosovaPress-it, se dje gjatë 24 orëve kanë hyrë 7316 vetura të cilat janë kontrolluar. Po ashtu, janë kontrolluar edhe 196 autobusë.
Dy ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim që shtetasit që jetojnë në vendet ku shkalla e infektimit me virusin korona është e lartë për të hyrë në Republikën e Kosovës duhet të posedojnë testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë ose duhet të qëndrojnë 7 ditë në vet-izolim.
Këtu bëjnë pjesë të gjithë ata që vijnë nga Gjermania, Danimarka, Qipro, Sllovakia, Spanja, Franca, Italia, Britania e Madhe, Holanda, Rumania, Belgjika, Çekia, Austria, Irlanda, Hungaria, Luksemburgu, Islanda, Sllovenia, Malta, Polonia, Kroacia, Lihtershtajni, Portugalia dhe Bullgaria, vende këto të cilat aktualisht Kosova i konsideron si zona të rrezikshme për përhapjen e virusit.