Në kohë pandemie, rendimenti i grurit po del të jetë lajmi më i mirë.
“Që njëzet vite që merrem me kultivimin e grurit, ky vit është më i suksesshmi. Në 60 hektarët që i kam mbjellë, rendimenti i kalon 5 ton për hektarë, shkon edhe ma nalt po nën pesë ton nuk ka. Këtë vit farën na e ka siguru M& Sillosi, moti ka marrë i mirë e si rezultat është ky grurë që po e shihni”, tregon fermeri Rrahman Hoti, përderisa korrjet vazhdojnë nën diellin përcëllues.
Një ndër faktorët kryesorë në rezultatet e këtij viti ishte funksionalizimi i zinxhirit fermer-pika grumbulluese, ku M& Sillosi, përveç farës u ka siguruar fermerëve edhe tregun.
“ Vitin tjetër do ti shtoj sipërfaqet, besoj se edhe kolegët e mi do ta bëjnë të njëjtën, gruri ka leverdi”, shpjegon Rrahmani, ndërsa sasia e korrur në arat e tij po bartej tek pika grumbulluese.
Për dallim nga viti i kaluar, deri më sot pikat grumbulluese kanë pranuar mbi 40% sasi më të madhe.
Kualitetin e lartë të këtij viti, përveç pamjes në fusha, e shfaqin edhe rezultatet të cilat vijnë nga mostrat në laborator.
“ Sipas të gjithë parametrave, me përgjegjësi të plotë mund të them se këtë vit gruri e mielli do të jenë të kualitetit më të lartë. Zakonisht kur ka rendiment ka edhe cilësi, kjo po vërtetohet edhe gjatë kësaj kohe kur po i analizojmë mostrat ”, deklaron Ramadan Deliu, teknolog i laboratorit të M& Sillosit në Xërxë.
Me rezultatet e këtij viti, M& Sillosi do të arrij ti plotësoj mbi 70% të kërkesave të tregut vendorë, me miell të kualitetit të lartë.