Shkruan: Hisen Berisha
Vendimi i Qeverisë Kurti për të kompensuar shpenzimet për tekstet shkollore për nxënësit në Kosovë duhet të jetë një hap i rëndësishëm për të lehtësuar barrën financiare të prindërve dhe për të siguruar qasje të barabartë në arsim për të gjithë fëmijët.
Megjithatë, shqetësues është fakti se ky vendim përfshin edhe financimin e teksteve shkollore për ata që ndjekin mësimin sipas plan-programit të Serbisë, përfshirë edhe fëmijët e lindur në Kosovë nga komuniteti serb, të cilët i ndjekin mësimet me këtë plan-program.
Shqetësimi nuk është politika e subvencionimit jo diferencues, por fakti se ky komunitet arsimohen sipas plan-programit mësimor paralel të Serbis dhe faktikisht edhe librat i marrin po nga qeveria serbe. Atëherë si qytetarë kosovarë, e shfrytëzojnë edhe të drejtën e aplikimit për subvencionim nga Qeveria e Kosovës të librave e materialeve mësiomore që në fakt i marin nga Serbis, e kjo ngre shqetësime të mëdha për mënyrën se si këto fonde mund të përdoren nga komuniteti serb në Kosovë.
Është tepër shqetësuese që këto fonde, të destinuara për të mbështetur arsimimin e fëmijëve, mund të përdoren për qëllime të tjera nga pjesëtarët e këtij komuniteti, si për shembull për të blerë armë që më pas mund të përdoren në barrikada kundër institucioneve dhe rendit ligjor të Republikës së Kosovës. Një situatë e tillë nuk përbën vetëm një rrezik për sigurinë publike, por minon çdo përpjekje për të krijuar një shoqëri të qëndrueshme dhe paqësore.
Është e papranueshme që Qeveria e Kosovës, në të njëjtën kohë që promovon sovranitetin dhe integritetin e shtetit, të financojë materiale arsimore që i përkasin një sistemi edukativ të një shteti tjetër, i cili vazhdon të minojë pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, fakti që këta nxënës zhvillojnë mësimin edhe në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, zyrtarisht ditë feste, një ditë e shënuar për shtetin dhe popullin tonë, tregon mungesë respekti dhe njohjeje për shtetësinë e Kosovës. E për më tepër që në ato tekste e planprograme mësimore mësohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “është organizatë terroriste që ka cenuar rendin kushtetues dhe tërësinë territoriale të Serbisë e RFJ-së, dhe se si qytetarë luajal serbë duhet të përkushtohen në luftën e shenjtë për Kosovën dhe Metohinë serbe.”
Këto mësime e plan programe nuk mund të financohen nga taksat e qytetarëve shqiptarë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë.
Përveç aspekteve ligjore, kushtetuese e të sigurisë, Kurti po gënjen edhe këtë vit për sasinë e mjeteve, kur deklaroi se qeveria ndan 7 milionë euro për subvencionimin e librave dhe materialeve mësimore. Nëse në Kosovë janë rreth 100 mijë nxënës në nivelin e klasave 1-5 që subvencionohen me nga 80 euro, kjo i bie 100,000 × 80 euro bëjnë 8 milionë euro. Ndërsa në nivelin e 6-9 janë rreth 100 mijë nxënës që subvencionohen me nga 110 euro, do të thotë edhe 11 milionë euro. Pra, totali i buxhetit për subvencionim duhet të jetë 19 milionë euro.
Një qasje e tillë nga Qeveria është e papranueshme dhe kërkon një rishikim të menjëhershëm.
Pastaj, derisa në Kosovën Lindore u protestua për “dinjitet e identitet” që të kenë “Libra në gjuhën shqipe,” fondet publike të Kosovës nuk duhet të përdoren për të mbështetur programe arsimore që refuzojnë të njohin pavarësinë e vendit dhe për më tepër, nuk duhet të përdoren për aktivitete që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e shtetit.
Një qasje e tillë jo vetëm që minon përpjekjet për ndërtimin e një sistemi arsimor të integruar dhe gjithëpërfshirës në Kosovë, por gjithashtu dërgon një mesazh të gabuar për unitetin dhe përkushtimin ndaj vlerave kombëtare. Ndërsa ne mbështesim të drejtën e çdo qytetari për të arsimuar fëmijët e tij, nuk mund të pranojmë që fondet publike të Kosovës të përdoren për të mbështetur një program arsimor që nuk e njeh pavarësinë dhe sovranitetin e vendit tonë.
Qeveria duhet të rishikojë këtë vendim dhe të sigurojë që mbështetja financiare për tekstet shkollore të shkojë vetëm për ata nxënës që ndjekin programet e aprovuara nga sistemi arsimor i Kosovës. Nëse dëshirojmë të ndërtojmë një shoqëri të integruar dhe të barabartë, është e domosdoshme që sistemi ynë arsimor të reflektojë vlerat dhe aspiratat e Republikës së Kosovës, duke përfshirë të gjitha komunitetet, por pa kompromentuar sovranitetin dhe integritetin e shtetit tonë.