Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha në vizitën e tij në Kosovë, ka takuar shumicën e liderëve partiak, ku në takimin me nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, temë diskutimi ka qenë në përgjithësi situatën aktuale që është në Kosovë lidhur me coronavirusin dhe zhvillimet tjera politike në vend.
Veliu e priti atë në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku tha se kanë diskutuar në përgjithësi për gjendjen aktuale në vend dhe thellimin e bashkëpunimit mes partive.
“Ne sot patëm kënaqësinë që në selinë e LDK, të prisnim Kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha me bashkëpunëtorët. Ne diskutuam në përgjithësi situatën aktuale që është në Kosovë në lidhje me Covidin, por edhe me zhvillime të tjera politike që janë zhvillime edhe brenda për brenda Kosovës dhe zhvillimet që lidhen me pozicionimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, e diskutuam edhe bashkëpunimin tonë shumëvjeçar që, si parti simotra dhe anëtarë të Partive Popullore Europiane që jemi, është fjala për një bashkëpunim mëse 30–vjeçar dhe diskutuam për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen”, tha Veliu.
Kryetari i PD-së Basha falënderoi Veliun për bashkëpunimin dhe i uroi shërim të shpejt liderit të LDK-së, Isa Mustafa.
“Në selinë e Partisë sonë simotër, Lidhjes Demokratike të Kosovës gjeta rastin të nënvizoj dhe njëherë vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike për rolin që kjo forcë politike luan si një shtyllë e stabilitetit politik në Kosovë, për investimin 30 vjeçar në pavarësimin, shtetformimin, demokratizimin dhe udhëtimin e Kosovës drejt objektivave të saj për anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, çka përbëjnë edhe shtratin e përbashkët të partive tona simotra, anëtare të Partisë Popullore Europiane dhe të Unionit Demokrat Ndërkombëtar”, tha Bsha, përcjell Telegrafi.
“Sikundër shpreha besimin që ky investim 30 vjeçar, që e ka pajisur Lidhjen Demokratike të Kosovës me një përvojë të jashtëzakonshme dhe me një vlerësim mbarë qytetar, që kalon kufijtë e bindjeve politike të qytetarëve të Kosovës, duke nisur nga trashëgimia e Presidentit Ibrahim Rugova e duke vazhduar me investimin e LDK-së deri në ditët e sotme, do të arrijë të përkthehet në bashkëpunim edhe me forcat e tjera politike, në një të mirë për çdo qytetar të Kosovës e në veçanti për ato objektiva që kanë të bëjnë me përballimin me sukses të pandemisë së Covid-it, përballimin, në veçanti, të krizës ekonomike dhe pasojave sociale që kjo pandemi po sjell anë e mbanë rajonit e më gjerë, por, po kështu, edhe në plotësimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian. Dhe, natyrisht, për udhëheqjen me sukses të një investimi të përbashkët të institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe partnerëve tanë strategjikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, dialogun me Republikën e Serbisë, me synim njohjen reciproke midis dy vendeve si një investim në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të të gjithë vendeve të rajonit”, u shpreh Basha.
Pas këtij takimi, Basha do të takohet edhe me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.