×
  • Opinione
  • Opinione

    Urgjente: Një ‘pikë kthimi’ për Ballkanin Perëndimor

    Wolfgang Ischinger
    19 Mars 2023

    Nga Wolfgang Ischinger, Politico

    Për një kohë shumë të gjatë, vendeve të rajonit u është dashur të jetojnë me çështjet dhe mosmarrëveshjet e tyre të pazgjidhura dhe koha për vendime të guximshme ka ardhur.

    Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka bërë që arkitektura ekzistuese e sigurisë evropiane të shpërbëhet, duke provokuar ndryshime thelbësore në politikat e jashtme dhe të mbrojtjes në të gjithë kontinentin.

    Si rezultat, përballë përfundimit të lidhjeve të saj të gjata energjetike dhe tregtare me Rusinë, Gjermania ishte ndoshta më e prekur se shumica, dhe iu desh të përshtatej me epokën e re duke adoptuar një ‘Zeitenëende’, ose pikë kthimi – një largim rrënjësor nga politikat dhe parimet e saj të së kaluarës.

    Një pikë kthimi e ngjashme nevojitet urgjentisht tani edhe në juglindje të Evropës. Vendeve të Ballkanit Perëndimor u është dashur të jetojnë me çështjet dhe mosmarrëveshjet e tyre të pazgjidhura për një kohë shumë të gjatë. Ka ardhur koha për vendime të guximshme për të kapërcyer pengesat e së kaluarës, duke udhëhequr rrugën drejt bashkëpunimit rajonal dhe anëtarësimit të ardhshëm në Bashkimin Evropian.

    Megjithatë, potenciali i plotë për rritjen dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor mund të realizohet vetëm nëse marrëdhënia ndërmjet Serbisë dhe Kosovës vendoset përfundimisht në një bazë të qëndrueshme dhe bashkëpunuese.

    Më shumë se një dekadë e gjysmë më parë, gjatë negociatave të Trojkës në vitin 2007, u zhvillua një propozim për një “Marrëveshje Themelore” ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Teksti bazohej në filozofinë e Traktatit Themelor të vitit 1972 ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane, i cili synonte të krijonte marrëdhënie të mira fqinjësore midis të dy shteteve dhe lejonte bashkëpunim gjithëpërfshirës pragmatik duke anashkaluar disa çështje – si njohja e plotë diplomatike – reciproke – që dukej e pazgjidhshme në atë kohë.

    Por, për fat të keq, Serbia e pa të pamundur nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore dhe u humb mundësia.

    Natyrisht, që nga vitit 2007 kanë ndryshuar shumë gjëra. Kosova, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, është një vend i pavarur dhe demokratik tash e 15 vjet, duke u përpjekur për vendin e saj të merituar dhe të padiskutueshëm në Evropë. Serbia, nga ana e saj, është zhvilluar në një qendër të madhe investimesh për kompanitë ndërkombëtare dhe presidenti Vuçiç është bërë një përkrahës i fuqishëm i integrimit ekonomik të rajonit.

    Megjithatë, për sa kohë që të dy vendet mbeten të ngulitura në mënyrën e konfrontimit, ato nuk do të jenë në gjendje të realizojnë potencialin e tyre të plotë ose rolet e tyre në bashkëpunimin dhe integrimin rajonal.

    Ngjarjet e fundit në Kosovën Veriore kanë demonstruar edhe një herë rreziqet e përshkallëzimit – madje edhe të konfliktit të madh – prandaj nevojitet veprim urgjent në lidhje me çështjen e statusit të pazgjidhur të Kosovës dhe çështjen e të drejtave të pakicave të komunitetit të saj serb.

    Në këtë drejtim, Gjermania dhe Franca nisën së fundmi një përpjekje të re, duke paraqitur një “Propozim evropian” dhe duke u lidhur ngushtë me partnerët e BE-së, veçanërisht me Italinë, Miroslav Lajçak – Përfaqësuesin Special të BE-së për rajonin – dhe Shtetet e Bashkuara.

    Deri më tani, Serbia dhe Kosova të dyja kanë treguar se e pranojnë tekstin, megjithatë dallimet në lidhje me modalitetet dhe zbatimin mbeten. Siç ndodh shpesh në diplomacinë e krizës, rëndësi ka gjuha e shkruar ose gjuha e aneksit.

    Por zgjidhja është e drejtpërdrejtë: Serbia duhet të pranojë faktin se Kosova është këtu për të qëndruar, përfshirë edhe në skenën ndërkombëtare dhe Kosova duhet të pajtohet me domosdoshmërinë e adresimit të shqetësimeve të pakicës së saj serbe, duke përfshirë pranimin e formimit të parashikuar të një asociacioni të komunave me shumicë serbe.

    Si mik i Kosovës dhe i Serbisë dhe vetë ish-negociator i BE-së, i bëj thirrje Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti që të bëjnë një hap besimi që tani. Më 18 mars, në Ohër, të dy do të kenë një mundësi historike për të treguar guxim dhe lidership politik. Tani është koha për të çuar përpara Serbinë dhe Kosovën së bashku, në interes të popullit të tyre, në interes të Ballkanit Perëndimor dhe në interes të paqes dhe sigurisë në kontinentin evropian.

    Bëjeni pikën e kthimit të ndodhë – pikërisht tani.

    Ambasadori Wolfgang Ischinger ka përfaqësuar BE-në në negociatat e Trojkës në vitin 2007. Ai ka kryesuar Konferencën e Sigurisë së Mynihut nga viti 2008 deri në 2022 dhe aktualisht shërben si President i Fondacionit të Konferencës së Sigurisë së Mynihut.

    Nga Rubrika
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Opinione06 Janar 2025
    Nga Hisen Berisha: Refuzimi i Kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë Speciale dhe institucioneve shtetërore shfaq një problem më të thellë sesa një mosmarrëveshje...
    Të tjera
    Lajme09 Janar 2025
    Në gjykimin ndaj Arton Sekiraqës, Flamur Mulit, Xhevdet Salihut dhe Fitim Munishit, dëshmitari Gzim Tërnava, i cili njëherësh ka hetuar rastin si...
    Vip09 Janar 2025
    Shtëpia më e famshme në gjithë shqiptarinë, Big Brother VIP Kosova 3, ka marrë ‘flaakë’ nga një debat patriotizmi mes dy drenicakëve....
    Sport09 Janar 2025
    Al Nassr ka arritur të përmbys rezultatin dhe tani po avancon 2:1 ndaj Al Okhdood. Ishte Cristiano Ronaldo i cili shënoi nga...
    Vip09 Janar 2025
    Debati për çmimin final të Big Brother VIP Kosova ka vazhduar tutje, teksa Driloni shpërtheu ndaj Vullnetit duke e cilësuar si nxitës...
    Vip09 Janar 2025
    Debati i ashpër për çmimin e madh që përfshiu të gjithë banorët e shtëpisë nuk kaloi pa ofendime. Kësisoj, ishte Xheneta ajo...
    Lajme09 Janar 2025
    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar vendimin e VV-së për t’i bojkotuar debatet zgjedhore në T7, Klan Kosova e RTV Dukagjini....

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.