×
  • Opinione
  • Opinione

    Ukraina po e kryen punën e NATO-s

    Kurt Volker
    19 Korrik 2023

    Nga: Kurt Volker / The Financial Times

    Ndonjëherë është e vështirë të vlerësohet rëndësia e ndryshimeve të mëdha globale, teksa ato ndryshime ndodhin. Analizat, instinktet dhe veprimet tona janë të rrënjosura në atë që ne tashmë e dimë, duke mos e vlerësuar sa duhet mjedisin e ri në të cilin gjendemi. Fokusohemi në të kaluarën teksa ajo që me të vërtetë duhet të bëjmë është që të përqendrohemi urgjentisht në të ardhmen.

    Ky është ndoshta shpjegimi më i mirë i asaj që ndodhi këtë javë në Samitin e NATO-s, në Vilnius të Lituanisë. Aleanca veproi shumë mirë në atë që tashmë di të bëjë. E përsëriti angazhimin “e hekurt” për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të vet, ripohoi strategjinë bërthamore të NATO-s, miratoi planet e mbrojtjes për të gjitha shtetet e aleancës, u angazhua përsëri që çdo shtet anëtar do të shpenzonte të paktën dy për qind të PBB-së për mbrojtjen, si dhe adresoi një gamë të gjerë të sfidave të sigurisë

    Finlanda u mirëprit si anëtare e re; procesi i ratifikimit të Suedisë duhet të përfundojë së shpejti. Anëtarët e NATO-s gjithashtu u zotuan ta forcojnë krahun lindor, si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus.

    Ndoshta zhvillimi më pozitiv dhe më pak i raportuar nga java e kaluar, është riorganizimi i Turqisë me pjesën tjetër të aleatëve të saj, për disa çështje kritike. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan hoqi dorë nga kundërshtimet për ratifikimin e anëtarësimit suedez në NATO, foli në favor të pranimit të Ukrainës, miratoi dërgesat e mëtejshme të dronëve Bayraktar në Ukrainë dhe ka arritur marrëveshje me ShBA-në për blerjen e aeroplanëve F-16 për Turqinë.

    Të gjitha këto zhvillime bëjnë me dije për një NATO që është më e bashkuar dhe më e aftë për të mbrojtur shtetet anëtare, sesa që ka qenë vite më parë. Këto janë rezultatet pozitive. Por, sado që anëtarët e kritikuan pushtimin rus të Ukrainës dhe sado që vazhdojnë t’ia japin Kievit armët për t’u mbrojtur, ata duket se nuk e kanë kuptuar se çfarë do të thotë pushtimi i Moskës për sigurinë evropiane. Në fakt, gjithçka ka ndryshuar.

    Deri tash, NATO mund të përballonte që anëtarët aspirantë të rrinë në një model mbajtjeje, për vite me radhë, duke këmbëngulur në reforma dhe duke i peshuar pasojat gjeopolitike të çdo vendimi të zgjerimit. Me paqen relative në Evropë, ishte e sigurt të supozohej se e njëjta strategji sigurie, e përdorur në të kaluarën, do të funksiononte në të ardhmen.

    Por, nën Vladimir Putinin, Kremlini e ka miratuar në mënyrë eksplicite një politikë të zgjerimit territorial që synon rindërtimin e një perandorie ruse. E ka nisur një luftë të madhe në Evropë që ka prekur çdo vend në kontinent – dhe shumë përtej tij. Lufta që tashmë i ka detyruar miliona refugjatë ukrainas që të shkojnë në vendet fqinje evropiane, ka shkaktuar inflacion masiv (pjesërisht për shkak të ndërprerjeve të energjisë), ka ndërprerë furnizimet globale të ushqimit dhe transportin në Detin e Zi, ka shkaktuar zhvendosje të mëtejshme ekonomike për shkak të politikave të sanksioneve dhe të nevojës për të mbështetur buxhetin e shtetit të Ukrainës, ndërsa ka shpërndarë burimet evropiane të mbrojtjes.

    Nëse Putini nuk mposhtet në Ukrainë, situata do të përkeqësohet. Në përpjekjen për ta rindërtuar perandorinë, ai më pas do ta kthente shikim kah Estonia, Letonia, Lituania dhe madje edhe Finlanda – të gjitha shtetet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, që më parë ishin pjesë e perandorisë ruse dhe të cilat aleanca është e detyruar t’i mbrojë. Nëse lufta ndalet në Ukrainë, Rusia thjesht do të rigrupohet dhe do të përgatitet të sulmojë përsëri. Me një Rusi autoritare dhe imperialiste në prag, askush në Evropë nuk është i sigurt. Kjo është, në fund të fundit, ajo që e bindi Finlandën dhe Suedinë që vitin e kaluar ta kërkojnë anëtarësimin në NATO.

    Megjithatë, në atë samit NATO nuk ofroi asnjë garanci përtej asaj që tha më 2008, kur pohoi se Ukraina një ditë do të bëhet anëtare. Nuk ekziston asnjë proces aktual për ta arritur këtë qëllim. Në të vërtetë, gjuha e Vilniusit mund të shihet si më e dobët, duke theksuar se një ftesë do të ofrohet vetëm kur “të gjithë aleatët bien dakord” (që do të thotë se ata aktualisht nuk janë) dhe kur “kushtet janë plotësuar” (që do të thotë se ka ende kushte për t’u përmbushur). Natyra e saktë e këtyre kushteve mbetet e paqartë.

    Kjo nuk është thjesht një mundësi e humbur. E pasqyron një dështim për të kuptuar se natyra e sigurisë evropiane ka ndryshuar. Ukraina aktualisht po e kryen punën e NATO-s – duke luftuar për të mbrojtur kufijtë e një Evrope të lirë. Ajo është më e aftë ushtarakisht se shumica e aleatëve dhe po i mbron vlerat mbi të cilat është themeluar NATO. Rusia po e sulmon Ukrainën sepse kërkon mposhtjen e këtyre vlerave: qëndrimi i Kievit në dhomën e pritjes së NATO-s, është një dritë jeshile që Putini sërish të sulmojë.

    Nga ana e Ukrainës, ajo natyrisht duhet që së pari ta fitojë luftën, të cilën po e bën gradualisht. Ajo gjithashtu duhet të vazhdojë të bëjë presion për anëtarësimin në NATO dhe ta përshpejtojë miratimin e BE-së për anëtarësim. Nuk ka të ardhme për Ukrainën jashtë këtyre blloqeve.

    Tashmë ekziston një kontradiktë thelbësore midis angazhimit të NATO-s për sigurinë e aleancës dhe refuzimit të saj për t’ia dhënë Ukrainës një rrugë të qartë drejt anëtarësimit. Me një Rusi imperialiste të armatosur me armë bërthamore, që pretendon pjesë të territoreve që u përkasin vendeve të tjera – dhe duke e nxitur një luftë përfaqësuese në të gjithë kontinentin – është e vështirë të shihet se si NATO mund të përmbush misionin e saj për ta mbrojtur Evropën, pa e pranuar Ukrainën si anëtare. Kjo është kontradikta që duhet të trajtohet urgjentisht, në mënyrë që të mund të bëhet një ftesë e fortë kur aleatët të takohen përsëri gjatë vitit të ardhshëm. / Telegrafi.com

    Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet, vendet që do të mbesin pa rrymë
    Nga Rubrika
    Opinione01 Maj 2024
    Nga: Daniel Michaels / The Wall Street Journal (titulli origjinal: NATO Prepares to Face Russia – and Problems of Its Own) Trupat...
    Opinione30 Prill 2024
    Nga: David Robson / The Atlantic Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në...
    Opinione29 Prill 2024
    Shkruan: Mero Baze Ilir Meta i bëri të gjitha sa mundi. Në fillim hipi në hekura, pastaj në kodrat e Lieqnit, më...
    Të tjera
    Sport01 Maj 2024
    Në një super ndeshje dhe dramatike, Peja fitoi ndaj Golden Eagle Yllit 80:81 (26:20, 21:26, 15:13, 18:22), duke barazuar serinë gjysmëfinale të...
    Lajme01 Maj 2024
    Një person ka marrë lëndime trupore sot te Liqeni i Batllavës në Orllan, pasi i njëjti është therur me thikë, në një...
    Lajme01 Maj 2024
    Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka thënë se deklarata e kryeministrit Albin Kurti, se do përpiqet ta kalojë Kodin Civil,...
    Lajme01 Maj 2024
    Rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës vlerësohet se mund të rrezikohet pas rekomandimeve të fundit franko-gjermane. Këto dy shtete...
    Bota/Rajoni01 Maj 2024
    Ziadin Sela, lider i Aleancës për Shqiptarët foli për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në Maqedoninë e Veriut javën që vjen. Sela...
    Lajme01 Maj 2024
    Pesë persona janë ndaluar për 48 orë si të dyshuar për plagosjet në Lupç të Podujevës. Këtë e konfirmoi për Front Online...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.