
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se nuk beson që Irani është i gatshëm të arrijë atë që ai e quajti “marrëveshja e duhur” për përfundimin e konfliktit.
“Ata do të donin shumë të arrinin një marrëveshje, por, sipas mendimit tim, nuk janë të gatshëm të bëjnë marrëveshjen e duhur”, u tha Trump gazetarëve më 21 gusht.
Ai shtoi se Uashingtoni po vëzhgon se “çfarë do të ndodhë më pas”, ndërsa pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë “kontrollin e plotë” të zonës përreth Ngushticës së Hormuzit.
Kjo rrugë e rëndësishme ujore është e mbyllur që nga nisja e konfliktit në fund të shkurtit, ndërsa ndërprerja e trafikut përmes saj mbetet një nga çështjet kryesore që pengon arritjen e një marrëveshjeje, raporton Radio Evropa e Lirë.
Teherani pretendon se e kontrollon plotësisht ngushticën dhe se ajo do të rihapet vetëm pasi Uashingtoni të përmbushë disa kushte.
Deklaratat e Trumpit erdhën pasi Omani njoftoi se ministrat e Jashtëm iranian dhe oman kanë diskutuar mundësinë e rifillimit të negociatave për lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit.
Irani dhe Omani së fundmi kanë zhvilluar bisedime për krijimin e një rruge të re që do të mundësonte kalim të sigurt nëpër këtë ngushticë.