×
  • Lajme
  • Lajme

    Tregimi i Latifes dhe Bekimit: dy histori mes harrimit, shpresës dhe varfërisë

    FrontOnline
    16 Shtator 2020

    Janë rreth 700 shtëpi me rreth 6 mijë banorë, të cilët i ndan një hekurudhë por i bashkon mjerimi. Nga ‘të tjerët’, i ndan ngjyra e lëkurës, por i bashkon jeta e frikshme në Kosovën e pasluftës. Nga shqiptarët, i ndan injorimi dhe neglizhimi, por i bashkon jetesa afër e afër greminës së varfërisë.

    Dy mahallat, 28 dhe 29 në Fushë Kosovë, të bëjnë të mendosh se po largohesh shumë kilometra prej qytetit, drejt një dimensioni dhe hapësire tjetër. Njëjtë më pati ndodhur kur vizitova para disa vitesh romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në Pragë të Çekisë. Atje, pa lejen e shtetit ata nuk mund as të preknin ulëset para banesave të tyre.

    Bash njëjtë, edhe këta romë, ashkalinjë e egjiptianë të cilët i takoj në Fushë Kosovë, janë dhjetë minuta larg në gjeografi tokësore, por dhjetë vite larg në zhvillim e në mentalitet, prej Fushë Kosovës. Është gati e pabesueshme që 20 minuta larg Prishtinës dhe 10 minuta larg Fushë Kosovës, ku lulëzon jeta dhe vende vende veturat e shtrenjta, tri komunitete janë përplasur dhe vazhdojnë jetesën të lënë në harresë.

    *
    Sadullahun dhe Allmirin i takoj qysh në fillim të sokakut të njërës prej mahallave. Pak më tutje e takoj Muhamerin, edhe afër tij Muhametin. Shkëndijat e pafajësisë i vërej në sytë e tyre, dhe ata çuditen derisa më shohin me maskë duke shëtitur në ‘territorin’ e tyre. 45 minuta shëtitje nëpër sokaqet e dy lagjeve e mahallave, asnjë njeri nuk ka vendosur maskë. Syri nuk ta sheh askund një dezinfektues të duarve. Afërsia mes njerëzve është për tu admiruar po të mos ishim në një situatë pandemie. Gratë i shëtisin fëmijët e tyre, burrat aty këtu vozisin vetura, bicikleta, traktora, ndërsa mosha më e shtyrë janë ulur në ballkonet – po e zëmë se janë ballkone – dhe vetëm presin të largohet edhe kjo ditë.

    Nuk ka asnjë kuptim ta vizitosh këtë pjesë, dhe çfarëdo pjese tjetër ku jeton varfëria dhe sëmundja, e të mos futesh në tregimet e njerëzve.

    Unë i intervistoj personazhet e mia ndërsa fëmijët janë gjithmonë rreth meje, duke dashur të tregojnë aftësitë e tyre në lëvizje, në akrobacione trupore, duke buzëqeshur, duke pyetur a jam ky ose ai. Elhemja dhe shoqja e saj, dy vajza me sytë më të bukur në krejt botën, ma lejojnë edhe një fotografi të çastit.

    Ky, së paku, është një qytet i vogël ku njerëz që i bashkon i njëjti fat, fati të jesh ndryshe nga të tjerët dhe të paragjykohesh, gjykohesh, dënohesh, anashkalohesh e dëmtohesh, bashkëjeton me kalimin e ditëve në pritje të ndihmës dhe jetës më të mirë.

    ‘Kur kom, ha, kur nuk kom gatuj diçka’

    Latifja është ulur përballë shtëpisë së saj, mbështetur në murin e një tjetër shtëpie, dhe ma do mendja se ky është aktiviteti i saj më i shpeshtë i ditës.

    Qëndrimi në lagje dhe kënaqësia që e merr prej fëmijëve të cilët përplasin topat e lojës së tyre, janë shoqëria kryesore e Latifes.

    “Komt po më dhemin, nuk po muj me dalë kërkah. Dal këtu veç deri në mahallë. Nona m`ka dekë, që 1 vjet e gjysmë. Unë i kom 53 vjet, për 54. Nana i ka pasë 80 vjet. Jetoj veç me nipin, Oltin, ka dalë e tha po shkoj po kqyri për bukë dikah. Mrena në shpi e kom mirë, vllaznia knej më kanë ndihmu. Shpija s’po t’jep me hangër, badihava. Po flladitna bile kur po dal qitu. Kur s’ki, s’ki çka bon”.

    “E Prishtinës jom”.

    Latifja e thotë këtë fjali dhe komplet konstrukti i këtij trupi të goditur prej jetës ndryshon, nisur prej fytyrës. Ajo sikur dëshiron të tregojë se në Prishtinë e nisi mjerimin, dhe jeta e detyroi që pak larg Prishtinës ta vazhdonte po atë mjerim.

    “Në Prishtinë kom jetu deri sa u bo lufta, kah Kolovica e Re, kah Teknika, kah Sali Shumari. Prej që u bo lufta jom ardhë këtu në Fushë Kosovë. Me nanën jena kon në Prishtinë, shpija na u ka djegë, një vëlla që e kom pas të smutë e ka shitë shpinë, edhe u desht me ardhë këtu. Elhamdurilah vllaznija musliman ma kan ble do ven, ma kan maru qit shpi. Nipi i ka 13 vjet, për 14. E kom shumë t`meçëm, shkon në shkollën ‘Selman Riza’, në klasën e tetë. Nuk kom marak ai me dalë me lyp po çka me bo. Me ni kolicë, lemenka e shishe e gjithçka tjetër, kom punu, edhe unë kom dal. Çka me bo, njeri po duhet me përballu. Për bukë, kur kom, ha, kur kur nuk kom gatuj diçka. Prej që ra kjo smuja po tutna me dal, edhe nuk muj. Veç këtë nip e kom, unë e kom rrit, nana e vet e ka lon 3 mujsh. Djalin e kom në burg, e ka pasë një problem me grun, edhe unë veç qat djalë e kom pasë”.

    “M’rrin gati nipi shumë. Unë i thom djalë, krejt kohën. Mos me kon edhe ai djalë unë veç me u tranu. Pe çeli gojën najhere me to. Burrin nuk e di ku e kom, prej luftës e knej nuk e di a osht gjallë a i dekt, nuk kom ni kurgjo prej tij. Unë me djalin tem atëherë jemi kon në tjetër ven, ai në tjetër ven. Mu m`dhemin unazat, midisi, m`kanë thonë me shku në banjë, edhe kojshia m`thanë me shku nja 15 ditë e ma pagujshin, po kujt me ja lon djalin, kujt me ja lonë shpinë, me pas dikon hajt thotë njeri”

    *

    E vazhdoj ecejaken nëpër këto dy lagje, derisa Dielli është gati të perëndojë dhe t`ua lehtësojë dhimbjet e sikletet banorëve në këtë pjesë të Kosovës.

    Në këtë pjesë, nuk ka asnjë shtëpi të shëndetit. Menjëherë pasi përfundoi lufta në Kosovë, e cila, sikundër ishte çlirimi i shqiptarëve prej serbëve, për shumë romë, ashkalinjë e egjiptianë të Kosovës ishte fillimi i një racizmi të fuqishëm prej shqiptarëve të Kosovës, në këtë pjesë është përdorur një qendër e mjekimit si pjesë e Balkan SunFlowers. Qendra ka qenë mobile dhe aty qytetarët e këtyre pjesëve kanë pasur mundësi të kontrollohen për problemet e tyre shëndetësore. Sot as ajo nuk është.

    Qendra më e afërt është shumë larg, në këmbë është e pamundur dhe është e nevojshme vetura apo taksi. Ky i fundit është i kushtueshëm marrë parasysh se shumica e burrave dhe grave në këtë pjesë janë punëtorë krahu. Të tjerët, të papunë. Është bërë një kërkesë që të kthehet shtëpia e shëndetit në këtë pjesë, ose të ndërtohet një e re.

    *

    “A une kom bo be që mo kërkujna nuk ja jepi votën”

    “Unë i kom katër fëmijë, grun e smut e kom e s’kom me çka me e çu te doktori, me bicikëll sun e çoj, traktor nuk kom. Me pas naj traktor, për hir të Allahut kushdo që mundet le të më ndihmon. Gruja osht me inikcija, këta fëmijë me i majt unë me traktor boll e kom. Nuk po lypi traktor t`madh”

    Bekim Hajolli, 49 vjeçar, e ka një oratori fantastike dhe dëshiron me çdo kusht që me anë të këtij teksti ta sigurojë një traktor, një mjet ky që do t`ia lehtësojë jetën.

    “Traktor me katër rrota” – dëgjohet duke thënë Resuli, djali më i vogël i Bekimit, derisa unë e intervistoj Bekimin me bicikletën e tij afër, një bicikletë e mirë që është vullneti i mirë dhe dora e shtrirë e një të afërmi të Bekimit.

    “Qe sa erdha prej kantave, dola në Fushë Kosovë edhe në Prishtinë, me tri katër lemenka s`mundesh kurgjo me bo. M`lodh biciklla se edhe osht pak e naltë, po duhet me e shty kanihere. Nuk po kom zgjidhje tjetër. Jom ma i gzueshëm me ma pru dikush naj traktor. Kërkush nuk vjen knej, për vota krejt vijnë, për zgjedhje. A une kom bo be që mo kërkujna nuk ja jepi votën, se kërkush s’pom merr parasysh. Ma përpara t`merr i huji para syve se këta”

    “Unë para luftës kom jetu në Dragodan, në Prishtinë. Hallku ma ka ble këtu venin, për sevap, një shpi ma kanë maru. Baba e shiti shpinë në Prishtinë edhe erdhëm këtu, baba vdiq masnej. Kush ka mujt, shqiptart e këta tonët janë tubu me ma ble këtë vend. Kushtet i kom t`mira, na ndihmon shumë edhe Shpejtimi i çajtores, e shkep çorbën pa pare, krejt fukaretë këtu ky i man, mos me kon ky cofin uni. Presim në ren, marrim çorba e ushqim. Katër fëmijë i kom, Resulin, Bujarin, Beharin edhe Beharen. Me pasë traktor dy djemt e mdhej i qes me punu”.

    Gruaja e Bekimit është 60 vjeçare, dhe sa herë e pyes Bekimi se çka saktësisht lëngon ajo, ai përgjigjet se ‘i duhen inikcijat’. Baba i Bekimit, amanet të vetëm para se vdiste nga infrakti, djalit, ia la punën, karrocën, meqë ai nuk mundi të ndihmonte më shumë.

    “Sot më thirrën me i marrë në Prishtinë do tesha për fëmijë, do maqina, një frizhider, por nuk po kom me çka. Gruja e merr nje pension invalidor, 60 euro, po nuk i dalin. Një traktor t`vogël e gjeta për 300 euro po nuk pata me çka me e ble. Djali i madh i gran traktorit. Me pasë me çka me ble, nesër shkoj edhe e marr e dalim 4-5 veta. Edhe djemtë e vllaut i kom këtu, edhe këta të ngratit dalin qishtu me neve. Behari e ka lon shkollën, në klasën e pestë, krejt fmija e kqyrin nanën e tyne”.

    E kam shumë problem edhe kur i shkruaj rrëfimet e këtyre njerëzve, edhe kur i transkriptoj, edhe kur jam te vendi i ngjarjes, sepse nuk e di as kah t`ia nisim e si ta përfundojmë sagën e jetës së tyre të mundimshme.

    Brenda dy mahallave ka dyqane ushqimore, por për veshmbathje e tekstil njerëzit dalin jashtë komunitetit, furnizohen në vende të tjera. Banorët tregojnë se me energji elektrike nuk kanë problem, ndërsa po rregullohet edhe rrjeti i kanalizimit dhe vitin tjetër u është thënë që do të shtrohet asfallti në këtë pjesë.

    Të rinjtë nuk e kanë një sallë sportive ku do të mund ta kalonin kohën e lirë.

    *

    I kam lënë prapa vetes edhe Latifen edhe Bekimin me shpresën e madhe që lexuesit e mi do të reagojnë dhe dikush do t`i ndihmojë ata të dy, por edhe plot të tjerë në këtë pjesë. Latifja dhe Bekimi presin prej meje, unë pres prej vetes dhe për juve./Kultplus

    (Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mbështetja e mediave dhe gazetarisë për të drejtat e njeriut në Kosovë”, përkrahur nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe realizuar nga Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e KultPlus/YIHR KS dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i BE ose K2.0, CEL apo QKSGJ)

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.