×
  • Lajme
  • Lajme

    Tommaso Vitale: Nuk ka ndryshim në mandatin e KFOR-it në Kosovë

    FrontOnline
    22 Korrik 2020

    Gjenerali i brigadës Tommaso Vitale, shef i zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje në Beograd, ka deklaruar që nuk ka ndryshime në mandatin e KFOR-it në Kosovë. Ai ka shtuar se KFOR-i po e përmbushë “atë që është e përshkruar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

    “Detyra jonë është që të mbrojmë të gjithë njerëzit në Kosovë, që të garantojmë lëvizjen e lirë për të gjithë dhe dëshiroj të them që në të njëjtën kohë e mbështesim fuqishëm rinisjen e dialogut (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë) nën ombrellën e Bashkimit Evropian (BE) apo cilitdo aktorë tjetër ndërkombëtar, në mënyrë që të tejkalojmë mosmarrëveshjen historike”, theksoi Vitale në panelin kushtuar bashkëpunimit të Serbisë dhe NATO-s, në kuadër të javës së 8 të NATO-s që po mbahet në Beograd, nën organizimin e organizatës joqeveritare Qendra për Studime Euroatlantike.

    “KFOR-i ka qenë, është dhe vazhdon të jetë plotësisht i përkushtuar, nuk do të ketë ulje të numrit të trupave. Gjendemi në një mjedis kompleks, i cili është bërë edhe më kompleks me (pandeminë) COVID-19”, tha shefi i Zyrës ushtarake të NATO-s për lidhje në Beograd.

    Vitale ka theksuar që politika e neutralitetit ushtarak të Serbisë – për të cilën insistojnë autoritetet e saj – nuk paraqet kurrfarë pengese për bashkëpunim me NATO-n.

    “Serbia është fqinj i ynë dhe partner mjaft i vlerësuar. Roli i saj është kyç për rajonin dhe në kontekstin e gjerë ndërkombëtar. Ne kemi thënë mjaft qartë se parimi i ynë themelor është që NATO, si aleancë, e respekton të drejtën e secilit shtet sovran që të ketë zgjedhjet e tij dhe aranzhimet e sigurisë pa kurrfarë përzierje ose veto nga jashtë. Kemi qenë mjaft të qartë lidhur me atë që NATO e respekton të drejtën e Serbisë që të zgjedh aranzhimet e veta”, ka thënë Vitale.

    Shefi i zyrës së NATO-s më Beograd ka rikujtuar që partneriteti ndërmjet Serbisë dhe NATO-së është vendosur rreth një dekadë e gjysmë më parë – më 2006 – përmes zyrës ushtarake, të cilën ai e drejton aktualisht dhe se ky partneritete po zhvillohet “në interesin e Serbisë dhe NATO-s, si dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

    Branimir Filipoviq, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, ka falënderuar përfaqësuesin e NATO-s për qëndrimin lidhur me respektimin e politikës së neutralitetit ushtarak të Serbisë dhe gjithashtu, ka theksuar që bashkëpunimi i Serbisë me Aleancën është në interesin e ndërsjellë dhe se kjo “është rruga e drejtë për zhvillim të mëtejshëm të bashkëpunimit”.

    “Bashkëpunimi është i rëndësishëm edhe për shkak të çështjes së Kosovës, e cila për Serbinë është sfida më e madhe politike dhe e sigurisë e për të cilën dialogu është në vazhdim e sipër”, tha Filipoviq, duke theksuar që është e rëndësishme të punohet lidhur me perceptimin ndaj NATO-s në opinionin publik në Serbi.

    Sipas hulumtimeve që janë publikuar më 21 korrik, anëtarësimin eventual të Serbisë në NATO e mbështesin 9 për qind e të anketuarve në Serbi, ndërkaq 72 për qind janë shprehur kundër. Të tjerët, siç kanë thënë, nuk do të votonin në një referendum për një çështje të tillë. Hulumtimin e ka zhvilluar Qendra për zgjedhje të lira dhe demokraci , përfaqësuesi i së cilës ka thënë se qëndrimet e qytetarëve për anëtarësim në NATO, janë identike me rezultatet e dy vjetëve paraprakë.

    Arsyeja themelore e mbështetjes së dobët për NATO-n në mesin e qytetarëve të Serbisë, është intervenimi i NATO-s në vitin 1999, i cili zgjati 78 ditë dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes teknike-ushtarake në Kumanovë, më 9 qershor 1999, pas së cilës forcat ushtarake dhe policore të Serbisë e braktisën territorin e Kosovës/REL.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.