Sot është mbajtur takimi i parë në mes të dy liderëve të shtetit, presidentit të vendit, Hashim Thaçit dhe kryeministrit Avdullah Hoti, raporton Gazeta Express.
Në një njfotim të nisur për media nga presidenca thuhet se Thaci me Hotin kanë biseduar për proceset politike, pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike.
Presidenti dhe kryeministri janë pajtuar për Forumin e Liderëve që do të negociojë me Beogradin në dialog.
Presidenti Thaçi ka thënë se fatmirësisht situata politike është normalizuar dhe tani duhet të krijohet uniteti politik për t’u bashkuar të gjithë në procesin e dialogut përballë Serbisë.
Edhe kryeministri Hoti ka theksuar se Kosova ka nevojë të krijojë ekip gjithëpërfshirës në këtë fazë përfundimtare të dialogut me Serbinë, ku pjesë e tij duhet të bëhen edhe subjektet politike opozitare.
Presidenti Thaçi dhe kryeministri Hoti kanë shprehur shqetësimet e tyre edhe për rritjen e numrit të të infektuarve me COVID-19.
“Duhet me rreptësi të zbatohen rekomandimet e Institutit të Shëndetësisë Publike”, ka thënë presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit dhe kreu i ekzekutivit janë pajtuar që bashkërendimi dhe koordinimi ndërinstitucional është i domosdoshëm që Kosova t’i kalojë me sukses sfidat me të cilat po ballafaqohet.