Duket se Qeveria Kurti është e bindur se duke e kundërshtuar SHBA-n, siç e kundërshtoj edhe kësaj radhe propozimin e saj për targat, po i ndihmon në njërën anë vetë SHBA-s dhe krejt miqve tanë ndërkombëtar e në anën tjetër edhe Kosovës, përkatësisht procesit të dialogut dhe arritjes së njohjes.
A është e mundur kjo ? Ta shpjegoj këtë pak më shumë.
Sipas Qeverisë së Kosovës del se me këtë mospajtim ajo e ndihmon SHBA-n, sepse zyrtarët e Uashingtonit tani, pas mospajtimeve dhe kundërshtimit jo të zakonshëm që i bëri Kurti, do të shkojnë në Serbi dhe t’ju thonë zyrtarëve serb në Beograd “Shikoni ne nuk mund të luajmë më me Kosovën si dikur, kur atje kishin pushtetarë të shantazhuar dhe merreshim vesh me ta si të donim”. “Jo, punët kanë ndryshuar me Qeverinë Kurti – do të vazhdojnë amerikanët në Beograd – “për dallim, ata tani nuk janë të shantazhuar as të korruptuar dhe si kurrë më parë kanë fituar besimin e mbi 50 % të votuesve. Jeni ju në Beograd ata që do duhet të lëshoni pe, jo Kosova” do të përfundojnë amerikanët në Beograd. Ok. Pra, me këtë mendësi politike qeveritare, që është mbëltuar qysh moti si koncept opozitar tek Lëvizja VV, mëtohet që thjeshtë të “rritet pazari” në përballje me Serbinë dhe krejt këtë me qëllim që Kosova të fitoj në dialog pozitë më të favorshme dhe të nxjerrë më shumë përfitime, të mos e dëmtoj integritetin dhe sovranitetin territorial dhe në fund edhe ta siguroj njohjen dhe anëtarësimin në BE, NATO, OKB etj. Kështu si duket mendon Qeveri Kurti ndihmohen edhe SHBA-t edhe Kosova.
A mund të ndodhë kështu ?
Nëse po, e Qeveria Kurti mendon se po, i bije se fajin kryesor për dështimet në dialog me Serbinë i kanë pasur gjithanshëm dhe gjithmonë pushtetarët para Qeverisë Kurti, përkatësisht kompromiset e tyre të dëmshme dhe politikat e tyre jo vizionare dhe për më keq gjendja e tyre kollaj e shantazhueshme. Për rrjedhojë po i bika se nëse pushtetarët sot nuk janë të korruptuar as kriminel, trysnia e ndërkombëtarëve ndaj tyre rreth dialogut është e kot dhe amortizohet kollaj sepse e drejta është në anën tonë, dhe Kosova s’ka pse bën koncesione.
Nëse po, po i bije gjithashtu se faktori ndërkombëtar ishte në rregull dhe është po i njëjti që ka qenë në çdo aspekt në raport me Kosovën. Por përderisa dje ata kanë gjetur në Kosovë pushtetarë të korruptuar dhe të shantazhuar lehtësisht, të cilët nuk e duan vendin e vetë por veten e tyre, atëherë ata janë përdorur që të bëjnë lëshime në dëm të Kosovës, por në të mirë të mundësisë së përafrimit të Serbisë me BE-n bile edhe me SHBA-n, gjë që është shumë e rëndësishme për sigurinë dhe paqen në Ballkan dhe për mbajtjen e Rusisë larg rajonit e sidomos larg Serbisë.
Dhe tjetra po i bije gjithashtu se, Serbia mund të ndryshoj me këtë qasje, apo thënë ndryshe është e detyruar të ndryshoj sepse qasja e re por e vendosur e Prishtinës zyrtare është e fortë dhe e guximshme por edhe kushtetuese të cilën edhe SHBA-ja e potencoj se është e tillë, pra e ligjshme. Për rrjedhojë Serbia e sheh se punët kanë ndryshuar në Kosovë, se Kurti është i vendosur dhe ajo nuk mund të pret ta siguroj për serbët e Kosovës Asociacionin si pushtet i tretë e lëre më ta kthej Kosovën atje ku ka qenë para lufte.
A mund të ndodh kështu ?
Jo s’ka gjasa. Sepse që të ndodh kështu i bije se krejt puna paska mbetur që të ndryshoj vetëm karakteri i pushtetit në Kosovë, pra që Qeveria e Kosovës të jetë e pa korruptuar dhe e pa shantazhuar dhe gjërat do të ndryshojnë në të mirë të Kosovës. Jo s’ka gjasa gjithashtu. Sepse kështu i bije që Vuçiqi dhe pushtetarët tjerë në Beograd, sipas një standardi të tyre tashmë, duhet të jenë të korruptuar si dikur kolegët e tyre në Prishtinë dhe të pranojnë atë që faktori ndërkombëtar dhe Qeveria e Kosovës ofrojnë si zgjidhje për Kosovën. Ndërkohë ne po e shohim se Serbia ka ngritur gatishmërinë e ushtrisë së saj. A është ky një blof i Serbisë? Mund të jetë, por edhe mund të mos jetë. Në të dy variantet në të shpeshtën e rasteve viktimë e parë paraqiten serbët e Kosovës e jo integriteti i Kosovës. Keq.
Thënë përmbledhtazi, Qeveria Kurti nuk ka vizion për ta parë kompleksitetin e situatës konkretisht dialogut me Serbinë. Ajo në këtë segment është miope politikisht, impotente pragmatikisht e për më shumë e paguximshme përgjithësisht. Ndërkaq gjendja të cilën e ka zgjedhur edhe në të parë nuk duket ashtu është komode, por prodhon jo komoditet sepse forcon “status quo-n”.
Ajo që Qeveria e Kosovës nuk po e kupton dhe kjo është një nga të metat e saja më të mëdha që përndryshe është ide e saj e vjetër dhe ide korruptive, është se në dialog për ta ‘RRITË PAZARIN’ në dëm të Serbisë, duhet ekstra koordinim me SHBA-t, dhe jo kundërshtim i saj. Përndryshe propozimet, projektet dhe nismat, asnjëherë nuk do të jenë të mira për ne. Për më keq gjithmonë do ta vendosin ‘status quo’-n në qendër. Kaq e thjeshtë është kjo punë. Të ndërlikuar po e bënë Qeveria Kurti.