×
  • Lajme
  • Lajme

    Të kujt janë pronat në Kosovë?

    FrontOnline
    17 Shtator 2020

    Serbia nuk ka pronë të saj në Kosovë dhe pretendimet e saj për prona në Kosovë janë krejtësisht të natyrës politike, vlerësojnë Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe Muhamet Sadiku, ekspert i çështjeve ekonomike. Për më shumë, sipas tyre, Serbia për një kohë të gjatë ka shfrytëzuar fonde të caktuara financiare të Kosovës, të cilat dhunshëm i ka marrë në fund të viteve 90-të të shekullit të kaluar.

    Komentet e tilla vijnë kur në Bruksel po mbahet takimi në nivel të ekspertëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Në këtë takim, siç është paralajmëruar, “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”, do të jenë temë e diskutimit.
    Të dy ekspertët e fushave përkatëse, vlerësojnë se pala e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme me këtë temë, për shkak se në fakt ajo mund të nënkuptojë edhe negociata për suksesion apo trashëgimi.

    Borko Stefanoviq, ish-shef i ekipi negociator i Qeverisë së mëhershme të Serbisë në dialogun me Kosovën në Bruksel, është i bindur se Prishtina do të insistojë për suksesion, ashtu siç ka bërë edhe më herët, ndërkaq që Beogradi zyrtar ka refuzuar.

    Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kur bëhet fjalë për “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”, është çështje e termave që përdoren nga delegacionet për çështjen e suksesionit.

    Sipas tij, Serbia fare nuk i fsheh pretendimet e saja lidhur me pasuri të caktuara dhe prona në Kosovë, të cilat, siç thotë ai, sipas të drejtës ndërkombëtare i takojnë Kosovës.

    “Në momentin e shpalljes së pavarësisë dhe të sovranitetit, të gjitha pasuritë, përfshirë këtu ato natyrore, që janë nëntokësore, miniera, parqe, hekurudha, ndërmarrje dhe të tjera, në mënyrë automatike kalojnë nën autoritetin ose bëhen pronë e qeverisë, e cila e ka shpallur pavarësinë dhe sovranitetin. Mbi këtë bazë, të gjitha ndërmarrjet dhe të gjitha pasuritë, qofshin natyrore apo të çfarëdo natyre qofshin, në mënyrë automatike kalojnë nën Qeverinë e Kosovës. Pra, pretendimet e palës serbe janë krejtësisht të pajustifikueshme dhe kanë fund e krye natyrë politike”, theksoi Hoti.

    Ai shtoi se për sa i përket aspektit financiar, Kosova mund ta shtrojë çështjen e borxhit financiar ndërkombëtar, ku përfshihet borxhet e kredive që janë marrë në institucionet financiare ndërkombëtare nga autoritetet qendrore të ish-shtetit federal të Jugosllavisë, me kushtin që ato investime kanë ndodhur në Kosovë.

    Ndërkaq, Borko Stefanoviq, i cili ka qenë shef i ekipit negociator i Qeverisë së mëhershme të Serbisë, në dialog më Kosovën dhe aktualisht nënkryetar i subjektit opozitar serb Partia e Lirisë dhe Drejtësisë, vlerëson se Kosova gjatë bisedimeve në Bruksel, do të insistojë në temën e pretendimeve financiare dhe pronësore.

    Sipas tij, Prishtina do të këmbëngulë që të gjitha pronat, minierat, ndërmarrjet, ndërtesat, tokat bujqësore, janë prona të Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe se kjo nuk mund të jetë lëndë, të cilën duhet t’ia provojë Serbisë ose qytetarëve të saj.

    Stefanoviq, megjithatë, thotë se pala e Serbisë mund të insistojë për disa prona të pretenduara.

    “Beogradi, para së gjithash, mund të insistojë për ndërmarrjet e mëdha, për minierat, fabrikat, në të cilat Republika e Serbisë ka investuar ose përmes kredive të cilat Republika e Serbisë i ka kthyer apo është duke i kthyer ende në emër të Kosovës”, theksoi Stefanoviq.

    Ai shtoi se dikur këto kredi të shumtën e rasteve janë marrë nga institucionet ndërkombëtare financiare.

    Sipas tij, gjatë bisedimeve në Bruksel, Serbia mund të insistojë për pronën e qytetarëve serbë në Kosovë, e cila sipas tij “është uzurpuar”, duke shtuar që mekanizmi për verifikimin e pronësisë së pasurisë, për të cilin është arritur pajtimi në dialogun teknik, “nuk është jetësuar asnjëherë”.

    Gjithashtu, sipas tij, Serbia mund të insistojë për pasurinë e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, e cila reflektohet në pronat e mëdha të tokave.

    Por, Muhamet Sadiku, profesor i ekonomisë, thekson se pretendimet e Serbisë se ka pronë në Kosovë kanë qenë të shpërfaqura edhe në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës, gjatë viteve 2006-2007. Siç thotë ai, Serbia nuk ka pronë në Kosovë, sepse prona e cila gjendet brenda kufijve të Kosovës, sipas të drejtës ndërkombëtare, i takon asaj.

    Por, siç sipas tij, taktikën e njëjtë, duke luajtur me letrën e pronës, Serbia e ka përdorur edhe kur është ndarë Bosnjë e Hercegovina në dy njësi, njëra prej të cilave është Republika Serbe, e cila ka sipërfaqen prej 49 për qind të territorit të këtij shteti.

    Siç thotë Sadiku, Serbia pretendon që serbët e Kosovës kanë në pronësi sipërfaqe të madhe të tokës në Kosovë, gjë që sipas tij, nuk është e vërtetë, përveç në rastet kur ajo është në pronësi private.

    “Kjo pronë edhe nëse ekziston për aq sa ekziston, është brenda territorit të Kosovës, është brenda Kosovës sovrane, në të cilën të gjithë banorët e saj kanë të drejtë t’i realizojnë të drejtat e tyre pronësore. Prandaj, në Kosovë nuk rrezikohet prona e askujt. Por, këtu është prapavija e Serbisë, që nëpërmes këtyre kuazi-argumenteve të fuqizojë pozitën e ardhshme të ndonjë Asociacioni të ardhshëm, ku shihet se Serbia pretendon që të instalojë një entitet shtetëror brenda shtetit të Kosovës. Këto, megjithatë, janë skenarë me plotë dredhi, të cilat Kosova nuk duhet t’i lejojë që të realizohen”, theksoi Sadiku.

    Lidhur me takimin e të enjtes në Bruksel dhe për temën që do të trajtohet aty, ka reaguar edhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Përmes një komunikate për media, ai ka thënë që diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit.

    Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në një tryezë diskutimi për dialogun, të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se në takimin e së enjtes në Bruksel nuk do të bisedohet asgjë e rrezikshme për Kosovën. Por, duke dhënë shpjegime lidhur me temën “për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore”, ai është shmangur përdorimit të termit “pronësore”.

    “Në takimin e dytë, ne kemi sjellë temën për obligimet financiare, po e quajmë, ku hyjnë: suksesioni, borxhi shtetëror i ish-Jugosllavisë, pjesa që i takon Kosovës, pensionet e marra gjatë viteve 90-të, shtesat e fëmijëve, dëmet e luftës dhe një listë e gjatë e çështjeve. Unë nuk pres që këto tash do të arrijmë t’i kuantifikojmë, që të pajtohemi saktë për shifrat. Atë që do të arrijmë të bëjmë është që të pajtohemi në parim se si do t’i zgjidhim këto çështje pas njohjes reciproket në mes të dy vendeve”, tha Hoti.

    Në anën tjetër, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se çfarë nënkuptohet me formulimin “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore” dhe as për atë se për cilat prona në Kosovë dhe cilat pretendime financiare do të insistojë Beogradi gjatë bisedimeve në Bruksel.

    Gjithashtu, nga kjo zyrë Radio Evropa e Lirë nuk ka marrë përgjigje as në pyetjen nëse formulimi “pretendime të përbashkëta financiare dhe pronësore” e fshehin termin e suksesionit, në të cilin proces marrin pjesë vetëm shtetet sovrane.

    Por, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, përmes një shkrimi në Twitter, kishte paralajmëruar që çështjet e pronës mund të jenë në rend dite në takimin e së enjtes në Brukseli.

    “Kemi shumë për të thënë në lidhje me këto çështje (prona private, kishtare dhe shtetërore)”, ka shkruar Gjuriq.

    Profesor Sadiku, thotë se për çështjet financiare dhe ekonomike mund të bisedohet me Serbinë, për shkak se, sipas tij, tash e 30 vjet, ajo ia ka marrë Kosovës në formë joligjore fondin e pensioneve, si dhe kursimet, të cilat janë transferuar dhunshëm nga bankat e Kosovës, dhe të cilat i shfrytëzon tash e tri dekada. Gjithashtu, sipas tij, Kosova tashmë ka deklaruar se e mban përgjegjësinë për borxhin e saj publik, i cili është financuar për objektet e saj deri në vitin 1990.

    “Sa i përket borxhit, janë disa konkluzione ndërkombëtare. Kosova e pranon borxhin legal të vetin dhe unë besoj që Kosova e shërben pjesën origjinale të borxhit të vet, por jo borxhin që është manipuluar nga një qeveri jashtë Kosovës. Kosova nuk mund të mbajë përgjegjësi për manipulimin me borxhin publik nga ana e Serbisë. Kosova mban përgjegjësinë për pjesën kur ka ekzistuar autonomia, kur Kuvendi i Kosovës (në ish-sistemin e kaluar) ka dhënë pëlqimin për hyrjen e Kosovës në këto borxhe”, theksoi Sadiku.

    Profesor Hoti thotë se, në kuptimin politik, për suksesionin, për ndarjen e pasurisë dhe për të borxhit publik, negociojnë vetëm autoritetet sovrane. Emërtimi i temës për të cilën do të bisedohet në Bruksel, si “pretendime të përbashkëta financiare dhe pronësore”, është vetëm terminologji, për të shmangur reagimet politike.

    “Unë po mendoj që është çështje e terminologjisë sepse Serbia edhe më tutje vazhdon ta ndjekë këtë diskursin e mosnjohjes dhe diskursin e zgjedhjes së kujdesshme të fjalëve dhe fjalorit që përdorë kundrejt Kosovës. Mbi këtë bazë edhe ky lloj formulimi për pretendime financiare dhe pronësore, është në linjë të njëjtë. Sido që të jetë, në bërthamë, mendoj që është drejtim që çon kah një fund, të cilin e kërkojnë dhe që e gjejnë vazhdimisht shtetet sovrane”, theksoi Hoti.

    Ndërkaq, Stefanoviq, shpreh bindjen që Kosova do të insistojë që në dialog të bisedohet për suksesionin. Sipas tij, deri më tash, çdo herë që është tentuar që të bisedohet për pretendimet financiare dhe pronësore, përfaqësuesit e Prishtinës “kanë theksuar, para së gjithash, nevojën e zgjidhjes së çështjes së suksesionit apo ndarjes së pasurisë së trashëgimtarëve ligjor të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ)”.

    “Deri më tash, të gjitha ekipet negociatore (të Beogradit) kanë refuzuar që në atë mënyrë të përcaktojnë se cila pronë e kujt është dhe të japin prova për pronësinë. Por, është e mundur që qeveria jonë e tanishme do t’i rreket asaj formule. Nuk do ta kishin për herë të parë”, theksoi Stefanoviq.

    Në pyetjet se a mund të konsiderohen bisedimet për “pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore” si konsesion dhe a do të çonte kjo drejt njohjes së ndërsjellë, Stefanofiq vlerësoi që në rast se pala e Serbisë do të pranojë që të bisedojë me Kosovën, duke e trajtuar atë si të barabartë me një republikë të ish-RSFJ-së, atëherë mund të nënkuptohet ashtu.

    Dialogu që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka rinisur më 16 korrik, pasi që ky proces ishte pezulluar që nga nëntori i vitit 2018.

    Takimi i fundit i nivelit të lartë politik në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë është zhvilluar më 7 shtator, ndërkaq që takimi i radhës i këtij niveli është paralajmëruar për 28 shtator.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku të hënën me bashkëpartiakët e tij, bëjnë homazhe te varri i ish-presidentit historik Ibrahim Rugova....
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mërgimtarët më shumë vota. Ai thotë se kanë investuar shumë në ushtri e mbrotje,...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka takuar profesorin e tij, Xhaferin dhe pensionistë të tjerë, ku ka premtuar se viti...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.