
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka shprheur ngushëllime për vdekjen e 26 vjeçarit nga Gjilanit, i cili dje vdiç pasi kërceu nga kati i pestë i konviktit, të shndërruar në karantinë, ku ai po qëndronte.
Tahiri ka shkruar se Agon Musliu shënon viktimën e parë të papërgjegjësisë së Qeverisë Kurti, ndërsa ka shtuar se duhet të japin përgjegjësi urdhëruesit e masave të Qeverisë.
Postimi i tij në Facebook:
Humbja e jetës së Agon Musliut, 26 vjeç, nga Gjilani, është e rëndë dhe i ka tronditur të gjithë. Ngushëllimet më të thella për familjen dhe më të dashurit e tij, që po përballen me një dhimbje të madhe. Vdekja e Agonit, në Qendrën e Studentëve, ku po mbahej i karantinuar, nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, shënon viktimën e parë të papërgjegjësisë së Qeverisë Kurti që pandeminë po e menaxhon me masa emergjente dhe akte administrative në kundërshtim të hapur me parimet juridike të shtetit ligjor dhe rendit kushtetues. Vdekja e këtij të riu, duke qenë në duart e shtetit, nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa dhënë përgjegjësi urdhëruesit dhe zbatuesit e këtyre masave, Ministrat Arben Vitia dhe Xhelal Sfeçla. Ky rast tragjik duhet të zbardhet menjëherë dhe plotësisht. Organet kompetente duhet të zhvillojnë procedurë gjithëpërfshirëse, në mënyrë që të gjithë zyrtarët përgjegjës të ballafaqohen me drejtësinë. Tashmë i pamë tendencat e para për shfajësim dhe ikje nga përgjegjësia. Por, në asnjë rrethanë kjo nuk guxon të ndodhë dhe as nuk do të ndodhë.