Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Enrico Barduani, priti në vizitë përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë, Peter Sorensen, në selinë e KFOR-it, në Prishtinë.
Sipas një njoftimi të KFOR, ata diskutuan pikëpamjet mbi tema të ndryshme, duke përfshirë sigurinë e qëndrueshme anembanë Kosovës, situatën e stabilitetit rajonal dhe përpjekjet e KFOR-it në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Gjeneralmajor Enrico Barduani theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e Bashkësisë Ndërkombëtare, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në të gjithë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse si reagues të sigurisë.