Identifikimi i veturave të banorëve rezident të Prishtinës për qëndrim në parkingjet publike të Komunës së Prishtinës, do të bëhet me shenjëzimin e atyre hapësirave.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Liridon Restelica për Front Online ka shpjeguar edhe për mënyrën se si do bëhet verifikimi i veturave në parkingjeve publike.
“Për ato parkingje të banorëve rezident, ne do t’i shenjëzojmë me një ngjyrë tjetër, dhe do të vendosim edhe tabela vertikale, ku do t’i njoftojmë edhe personat tjerë që ato parkingje janë vetëm për banorët rezident. Momentin që një banorë jo rezident parkohet në ato hapësira atëherë do t’u bllokohet makina, dhe do t’u konfiskohet”, ka sqaruar Restelica më tutje.
Në anën tjetër, ai tregoi se ka filluar edhe marrja e kartelave për banorët që do ta shfrytëzojnë parkingjet në hapësirat publike, e që fillimisht ka nisur marrja e tyre për parkingun prapa “Pallatit të Rinisë”.
“Kartelat aktualisht i kemi lëshuar vetëm për parkingun prapë “Pallatit të Rinisë”, ndërsa jemi duke punuar në dizajnimin e versionit që do të jetë me kod për banorët rezident dhe jorezident. Ata do t’i marrin ato dhe i vendosin para makinës, që kontrollori jonë do t’i skanojë, dhe në bazë të saj ai do të verifikojë se a është i paguar apo jo”, tha ai për Front Online.