×
  • Opinione
  • Opinione

    Shumica e shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri do votonin pro referendumit për bashkim

    Valon Murati
    11 Prill 2024

    Shkruan: Valon Murati

    Në një sondazh të realizuar nga Euronews Albania në pyetjen se si do të votonin në një referendum të mundshëm për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, 82,9% të respondentëve në Shqipëri janë deklaruar pro dhe 70.6% në Kosovë. Si zakonisht pas rezultateve të tilla gjithnjë ka zëra në Kosovë që shprehen të habitur pse ka një përqindje kaq të madhe për bashkim në Shqipëri duke e projektuar në kokën e vetë me vite të tëra se qytetarët e Shqipërisë janë kundër bashkimit. Të gjithë ata që e njohin mirë Shqipërinë zyrtare, funksionimin e shoqërisë atje por edhe sondazhet e mëhershme, së paku ato prej vitit 2000 e këtej, fare nuk habiten me këtë rezultat. Që nga sondazhi i Gallupit i vitit 2000 ose 2001 kjo shifër në Shqipëri qëndron diku tek 82%, përderisa në Kosovë nga atëherë kur ishte tek 86% ka rënë diku në 70%. Tash, nevojitet një shpjegim edhe për Kosovën. Pse ka rënë kjo shifër në Kosovë e cila ka frymuar me idenë e lirisë dhe bashkimit aq gjatë. Janë disa faktorë sipas mendimit tim:

    1. Çlirimi dhe bashkimi deri në vitin 1999 ishin sinonime. Por për shkak të rrethanave ndërkombëtare por edhe atyre të brendshmeve çlirimi e liria erdhën pa bashkim. Në rrethanat e reja bashkimi nuk u trajtua jetik, siç ishte në të kaluarën kur ishte ngjitur me konceptin e lirë dhe të çlirimit.

    2. Më pas Kosova u pavarësia. Kjo pavarësi u kurorëzua si rezultat i një procesi negocimi ndërkombëtar. Pjesë e këtij negocimi ishte Pakoja e Ahtisaarit e cila, për të bërë përpjekje që ta akomodonte edhe interesin e Serbisë, Kosovën e bënte shtet të pavarur, me kufizime të mëdha të funksionalitetit të brendshëm. Pjesë e kompromisit dhe këtyre parimeve ahtisariane, ishte ndalimi i bashkimit përmes kushtetutës. Dhe nuk ishte problemi themelor. Problemi fillonte me gati pamundësinë e ndryshimit të kushtetutës për shkak të vetos serbe ndaj çfarëdo ndryshimi kushtetues. Këto ishin kushtet që u pranuan për projektin e pavarësisë së Kosovës.

    3. Që nga viti 1999 me një kombinim ndikimit të faktorëve të jashtëm dhe e tërheqjes nga kjo ide e faktorëve të brendshëm (sidomos krahut të luftës që ishte bartës i konceptit të bashkimit, por jo vetëm), projekti i bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë u luftua egërsisht (si diçka prapanike madje) dhe u promovua me agresivitet ideja e një identiteti kosovar të ndarë nga ai shqiptar. Puna e palodhshme e strukturave dhe individëve të jashtëm e të brendshëm që besojnë në një identitet të veçantë kosovar e përcjell kjo me një fushatë të herëpashershme kundër Shqipërisë dhe çdo gjëje që vjen nga Shqipëria, sigurisht që ka lënë pasoja.

    4. Propagandimi i vazhdueshëm deri në histeri se ideja e bashkimit është në kundërshtim me shtetin e Kosovës, paçka se nga lëvizja jonë kombëtare çlirimtare prej viteve 1970’ i ka trajtuar kërkesat qoftë për Kosovën Republikë në kuadër të Jugosllavisë, qoftë për Kosova e pavarur, si hapa drejt bashkimit. Kështu me idenë se po prishet shteti i Kosovës, e edhe më absurde se po bie Pakoja e Ahtisaarit (ndonëse kompromis) u luftua projekti i ripërcaktimit të kufijve. Në këtë kontekst u dëmtua rëndë interesi i Kosovës dhe i shqiptarëve me luftimin e kësaj ideje. Kështu u shpallën më të rëndësime për ne Leposaviqi, Zveçani e Zubin Potoku sesa Presheva, Bujanoci e Medvegja. Atëherë, sot e nesër do të mbesim të kurthuar në jofunksionalitet dhe moszgjidhje të problemeve me Serbinë, pa e rikthyer në tryezën e bisedimeve projektin e ripërcaktimit të kufijve.

    5. E në këto rrethana si më lartë, në kontekstin e gjithë këtyre presioneve dominon frika se kjo ide nuk e ka aktualisht përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare sidomos amerikanëve dhe evropianëve.

    Dhe përkundër këtyre që u thanë më lartë, pas 26 viteve ende 70,6% deklarohen se janë pro bashkimit në Kosovë. Realisht bashkimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk mund të ndodhë jashtë një konteksti ndërkombëtar dhe rrjedhimisht as pa përkrahjen e faktorëve kryesor ndërkombëtar, në rastin tonë sidomos SHBA-ve dhe vendeve kryesore të BE-së. Kur të krijohen ato rrethana, në referendum vullneti i qytetarëve të të dyja shteteve tona do t’i afrohet 95%-it. Deri atëherë, kemi edhe disa punë për ta konsoliduar dhe bërë Kosovën tërësisht sovrane për të arritur pastaj për të vendosur për fatin e saj, përfshirë edhe nëse do ose jo një bashkim me Republikën e Shqipërisë.

    Nga Rubrika
    Opinione09 Janar 2025
    Shkruan: Christiaan Alting Von Geusau Duket se arritja legjislative më e spikatur e Bashkimit Europian në vitin 2024 ka qenë detyrimi që...
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Të tjera
    Vip10 Janar 2025
    Në shtëpinë e ‘Vëllait të Madh’ ka shpërthyer debati i nisur tash e disa ditë për ndarjen e çmimit të madh. Vullneti...
    Bota/Rajoni10 Janar 2025
    Virusi më i ri kinez, apo i njohur me emrin “Metapneumovirusi” mund të jetë duke qarkulluar në Shqipëri, por ende nuk ka...
    Vip10 Janar 2025
    Banorët kanë pyetur moderatorin Alaudin Hamiti se pse Gjesti nuk është në “Prime”. “Ku është Gjesti”, pyeti Xheneta. Alaudini i tha se...
    Vip10 Janar 2025
    Pas vendosjes në nominim kokë më kokë, tensionet mes Leo dhe Drilonit janë rritur ndjeshëm, duke kulmuar në një përplasje të ashpër...
    Zgjedhjet 202510 Janar 2025
    Nait Hasani kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, ka njoftuar se sonte ka takuar bashkëfshatarët dhe veteranët e UÇK-së të fshatit...
    Vip10 Janar 2025
    Konkurrentja e Big Brother VIP Kosova 3, Xheneta, ka thënë se është ndjerë keq pa praninë e Gjestit brenda shtëpisë. Ajo thotë...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.