×
  • Lajme
  • Lajme

    Shtyhet gjykimi ndaj policëve të akuzuar për krim të organizuar e korrupsion

    FrontOnline
    10 Gusht 2020

    Si pasojë e mungesës së avokatit Abit Asllani, i cili mbron të akuzuarin Izet Uskoviq, të hënën, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit të dytë ndaj Uskoviq dhe dy të akuzuarve tjerë Ana Vasoviq-Baraq dhe Veroljub Dimitrijeviq.

    Tre zyrtarët policor, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, po akuzohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal lidhur me keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për marrje ryshfeti.

    Lidhur me mungesën e avokatit, gjykatësja e Departamentit Special, Albina Rama-Shabani, tha se i njëjti ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk ka njoftuar gjykatën për mungesën e tij.

    “Mirëpo, meqenëse i njëjti nuk ka paraqit kundërshtim të provave, konsideroj se nuk kemi pengesë me vazhdu sot. E ka pas afatin brenda 30 dite, nuk ka paraqit kundërshtime”, ka thënë ajo.

    Në anën tjetër, avokati Faruk Korenica, mbrojtës i të akuzuarës Vasoviq- Baraq, ka thënë se meqenëse i akuzuari Uskoviq gjendet në masë të arrestit shtëpiak, nëse vazhdohet gjykimi pa prezencë të avokatit, gjykata do të bënte shkelje absolute.

    Kurse, gjykatësja Rama–Shabani, deklaroi se avokati Asllani nuk ka paraqitur kërkesë për hudhje të aktakuzës apo kundërshtim të provave.

    Tutje, avokati Korenica ka sugjeruar që avokati Asllani të kontaktohet ose të pritet edhe pak, duke shtuar sërish se përndryshe sipas tij do të bëhej shkelje vazhdimi i gjykimit pa avokat.

    Ndërkaq, i pyetur nga gjykatësja Rama- Shabani, i akuzuari Uskoviq, deklaroi se ka biseduar të premten me avokati dhe i njëjti i ka thënë që gjithçka është në rregull.

    “E kam pyet mos u shty diçka për shkak të COVID-it ka, thënë çdo gjë është sipas planit dhe do jem aty”, ka deklaruar Uskoviq, duke shtuar se mbrojtësi i tij i kishte thënë se të hënën do të paraqitet në gjykatë.

    Më pas, gjykata ka tentuar të kontaktojë me avokatin Asllani, mirëpo një gjë e tillë nuk është arritur.

    “Meqenëse nuk prezanton mbrojtësi dhe nuk po mundemi me konfirmu faktin se a ka ushtruar kundërshtim apo jo. Gjykata merr aktvendim sot nuk mund të mbahet seanca, ta kisha caktu një sipas detyrës zyrtare, mirëpo nuk kam informata se a ka parashtruar kundërshtim sepse mora vesh prej administratës që mund të ndodh që po vonohen shkresat”, ka thënë më pas gjykatësja Rama- Shabani.

    Seanca e ardhshme pritet të mbahet me 20 gusht, ora 10:00.

    Ndryshe, në këtë rast të akuzuar janë edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq, të cilët në shqyrtimin fillestar të me 26 qershor 2020, e kanë pranuar fajësinë për kontrabandë me mallra dhe dhënie të ryshfetit.

    Gjykatësja Rama-Shabani, kishte bërë të ditur se shpallja e aktgjykimit për ta do të bëhet pasi të përfundoj shqyrtimi gjyqësor për këtë rast, pasi sipas saj të njëjtit janë edhe dëshmitarë bashkëpunues dhe do të dëgjohen gjatë gjykimit.

    Ndërkaq, në po këtë seancë, avokati Asllani, mbrojtës i të akuzuarit Uskoviq, kishte propozuar që të hyjnë në negociata për marrëveshje të pranimit të fajësisë me Prokurorinë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për çka prokurori Qerkini deklaroi se janë të gatshëm për një veprim të tillë.

    Mirëpo, prokurori Burim, gjatë seancës të së hënës bëri të ditur se avokati dhe i akuzuari nuk janë paraqitur në prokurori lidhur me negociata për marrëveshje të pranimit të fajësisë.

    PSRK, më 23 prill 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq, Izet Uskoviq, për shkak të veprave penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, nën paragrafi 2.3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Marrja e ryshfetit”, nga neni 429 paragrafi 2 të KPRK-së, ndaj Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq për veprën penale “Kontrabandë me mallra”, nga neni 317, paragrafi 1 të KPRK-së dhe “Dhënia e Ryshfetit”, nga neni 429, paragrafi 2 të KPRK-së.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga PSRK-ja, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq akuzohen se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq, ashtu që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar ose qëllimit të grupit për të kryer një apo më shumë vepra penale të dënueshme me së paku katër vjet burgim, aktivisht merr pjesë në veprimtaritë kriminale të grupit.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit e lartcekur akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe nuk i kanë përmbushë detyrat zyrtare të tyre, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personat tjerë, duke lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë si mallra ushqimor, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Serbia për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale.

    Prokuroria pretendon se Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare, duke mbikëqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Tresava, ashtu që kanë bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviq, Darko Saviq dhe persona të tjerë, si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave për të vepruar në kundërshtim me detyrën zyrtare, sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 euro për çdo kamion.

    Gjithnjë sipas prokurorisë, një pjesë të këtyre parave ata e kanë marrë për vete, një pjesë e parave ka shkuar për udhëheqësin e grupit-komandantin e stacionit, tani të pandehurin Rade Radosavljeviq, ku kanë pas obligim që secili ndërrim të paguaj dhe atë në baza mujore shumën prej 700 euro, ndërsa pjesa tjetër është ndarë tek policët e ndërrimit, e që këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve apo edhe në vende të caktuar ku ata janë udhëzuar që t’i lënë, si tek pompa e derivateve “Çekalic”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

    E akuzuara Ana Vasoviq-Baraq akuzohet se duke vepruar si anëtare e grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, saktësisht udhëheqëse e ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale, duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që dhe pas komunikimit dhe marrëveshjes me ta ka dhënë udhëzimet për kohën dhe vendin ku duhet të kalojnë dhe nga ta ka pranuar shuma të ndryshme të parave, qoftë personalisht apo në vende të caktuara, ku një pjesë e ka mbajtur për vete dhe pjesën tjetër për komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavjleviq.

    I akuzuari Veroljub Dimitrijeviq akuzohet se duke vepruar si anëtarë i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, polic patrullues në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë si dhe me kontrabanduesit, në atë mënyrë që ka zbatuar udhëzimet e shefave të ndërrimit dhe komandantit të stacionit dhe pas komunikimit me të njëjtët, i ka udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende dhe në çfarë kohe të kalojnë, ku nga ta ka marrë shuma të ndryshme të parave dhe një pjesë të shumës e ka mbajtur për vete, kurse pjesën tjetër e ka dorëzuar për udhëheqësit e ndërrimeve dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit Rade Radosavljeviq.

    I akuzuari Izet Uskoviq akuzohet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal dhe si person zyrtar në Policinë e Kosovës, zëvendës i udhëheqësit të ndërrimit në SPMK-Leposaviq, ka marrë pjesë aktive në kryerjen e këtyre veprave penale duke bashkëpunuar me të pandehurit e tjerë, e sidomos me të pandehurin Dragana Radojeviq, të cilin e ka pas epror ku ka zbatuar udhëzimet e tij dhe të komandantit të stacionit, duke udhëzuar kontrabanduesit se në cilat vende të kalojnë, duke marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke shkuar në vende të caktuara për të mbledhë shumat e parave e të cilët kontrabandistët i kishin lënë dhe të njëjtat shuma i ka dorëzuar për udhëheqësin e ndërrimit dhe komandantin e stacionit-udhëheqësin e grupit, Rade Radosavljeviq.

    Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”.

    Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit material të kundërligjshëm kanë kontrabanduar mallra, dhe atë mallra ushqimorë, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve, nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo eksportimit të mallrave, në atë mënyrë që duke bashkëpunuar me tani të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq, Ana Vasoviq Baraç, Izet Uskoviq dhe Dragan Radojeviq, në cilësinë e personave zyrtarë në Policinë e Kosovës në SPMK-Leposaviq, me ç’rast kanë përfituar shuma të konsiderueshme të parave dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Kontrabandë me mallra”.

    Sipas dispozitivit të tretë të kësaj aktakuze, Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq akuzohen se që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, me qëllim të kalimit të mallrave kontrabandë nga Republika e Serbisë për në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, u kanë dhënë shuma të parave apo përfitim tjetër personave zyrtarë-policëve të SPMK në Leposaviq, në mënyrë që personat zyrtarë të veprojnë ose të mos veprojnë në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare, ku me të njëjtit janë dakorduar që me rastin e kalimit të mallrave të paguajnë shuma të parave sipas tarifave të përcaktuara për çdo automjet, dhe atë nga 20 euro për vetura të vogla, 30-50 euro për furgona dhe 100-150 për çdo kamion, që këto shuma të parave i kanë paguar tek zyrtarët policorë, por edhe i kanë lënë nëpër vende të caktuara si tek pompa e derivateve “Cekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tani të pandehurit Millan Jovanoviq-Llaki, ku pas hetimit nga ana e policisë edhe janë arrestuar.

    Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Aleksandar Dimitrijeviq dhe Darko Saviq se kanë kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Një aksident trafiku ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë, ku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Pritjet për të hyrë në Kosovë përmes pikave kufitare te Dheu i Bardhë, dhe në Muçibabë po zgjasin një orë. E në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sekretari i PDK-së për organizim dhe zgjedhje, Betim Gjoshi ka thënë se të moshuarit kanë nevojë për pensione të dinjitetshme çdo muaj...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Instituti Demokratik i Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimit, ky kryeministri Albin Kurti dha njoftimin se Ministria e Financave po ndan për...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Sot, në një bashkëbisedim të zhvilluar në Gjilan me veteranë të UÇK-së dhe pensionistë të FSK-së,  kandidati per deputet i  PDK-se ,...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Autoritetet gjermane të sigurisë e pranuan se kishin marrë informacione vitin e kaluar për autorin e dyshuar për sulmin vdekjeprurës në një...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Vullneti ia ka transmetuar Xhenetës fjalët e Drenushës për të. Ai i tregoi se Drenusha ka thënë se Xheneta është e varur...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Nënkryetari i LDK-së dhe një prej figurave politike që ka qenë pjesë e proceseve politike të bërjes së Kosovës shtet, Lutfi Haziri,...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Shqipëria pritet të përfshihet nga moti me reshje të dendura shiu. Ministria e Mbrojtjes në Tiranë, ka apeluar për strukturat qendrore dhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.