Përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë do të takohen javën e ardhshme në Austri, për të biseduar për kontrollin e armëve.
I dërguari i SHBA-së, Mrshall Billengslea do të qëndrojë në Austri më 22 dhe 23 qershor, ku do të takohet me zëvendësministrin e Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, për të biseduar “për temat që kanë të bëjnë për kontrollin e armëve”, njoftoi Departamenti i Shtetit.
Në njoftim po ashtu thuhet se SHBA-ja e ka ftuar në këtë takim edhe Kinën “dhe e ka bërë të qartë se duhet që të tri shtetet të bisedojnë për kontrollin e armëve”.
Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdimisht i ka bërë thirrje Kinës që t’i bashkohet SHBA-së dhe Rusisë në bisedimet për një marrëveshje eventuale për kontrollin e armëve bërthamore, që do të zëvendësonte marrëveshjen e arritur më 2010 të quajtur New START (Traktati për zvogëlimin e armëve strategjike).
Traktati New START – që vendos kufizime rreth vendosjes së armëve strategjike të SHBA-së dhe Rusisë në jo më shumë se 1,550 nga secili shtet – skadon në shkurt të vitit të ardhshëm.
Kina, që vlerësohet se ka rreth 300 armë bërthamore, vazhdimisht ka refuzuar ftesën e Trumpit, që t’i bashkohet bisedimeve. /rel/