Ndonëse në Shqipëri mungojnë statistikat zyrtare, në Evropë vlerësohet se 1 në 100 ndividë janë me celiaki, një çrregullim sistemik me natyrë autoimmune që nxitet nga gluteni në individë, që janë gjenetikisht të ndjeshëm ndaj saj.
Duke u bazuar në këto të dhëna, mund të supozohet se më shumë se 7 milionë individë janë të prekur nga kjo gjendje shëndetësore në të gjithë Evropën, ku afërsisht vetëm 25% e tyre marrin një diagnozë. Kjo gjendje shëndetësore digjestive dëmton zorrët e holla dhe ndërhyn në thithjen e lëndëve ushqyese nga ushqimi. Pra, këta individë nuk mund të tolerojnë një proteinë të quajtur “gluten”, e cila gjendet në grurë, thekër dhe elb, por jo vetëm. I vetmi trajtim është ndjekja e një diete shumë rigoroze “pa gluten”.
Plotësimi i nevojave për produktet ushqimore për këta indvidë në Shqipëri përbën një sfidë për ta, pasi vetë artikujt e kësaj shporte, të cilat duhet të jenë 100% “pa gluten” janë kryesisht artikuj importi dhe kanë çmime më të larta se artikujt e tjerë me gluten. Për shembull, nëse një kg miell gruri kushton 100 lekë, 1 kg miell nga drithërat “pa gluten” është 5 apo 6 herë më shumë. Po ashtu, artikujt e tjerë të ngjashëm, si buka apo makaronat, që plotësojnë nevojat bazike të këtyre individëve variojnë me të njëjtën përpjesëtim në rritje. Nëse do të përmendnim dhe ushqime të tjera të domosdoshme për jetesë si frutat, perimet, mishi, arrorët etj, të cilat janë pjesë e regjimit ushqimor “pa gluten”, cmimi i kësaj shporte do të rritej edhe më shumë. Po ashtu, edhe pjesa e bulmetit, e cila duhet të jetë edhe ajo e sigurtë 100% pa gluten, nuk mund të sigurohet nga prodhuesit shqiptarë. Për këtë arsye, këta individë duhet t’i drejtohen produkteve që vijnë nga Italia, Austria apo Gjermania. Sigurisht edhe këto me çmime më të larta.
Po ashtu, ky komunitet, për të pasur një jetë dhe zhvillim sa më normal, herë pas here kanë nevojë edhe për suplemente ushqimore si vitamina, probiotikë etj, shpenzime këto që e rëndojnë edhe më tepër buxhetin e familjeve, që kanë në mesin e tyre familjarë me këtë diagnozë/gjendje shëndetësore. Jo më kot, vende të tilla si Italia, Austria, Gjermania etj, ofrojnë një skemë rimbursimi mujor që i plotëson këto shpenzime të veçanta, për suplemente ushqimore, pra ushqime të sigurta “pa gluten”, duke qenë se mjekimi i vetëm është ushqimi “pa gluten”, por edhe për analizat e herëpashershme, të cilat e monitorojnë gjendjen e individëve me celiaki apo me këtë intolerancë ushqimore./FrontOnline/