Numri i rasteve me koronavirus në shkollat kosovare ka filluar të rritet. Si pasojë e kësaj, komunat në të cilat po shfaqen të infektuarit në ambiente shkollore po i mbyllin ato në mënyrë që ta parandalojnë transmetimin e mëtutjeshëm.
Ditë më parë, shkolla fillore “Eqrem Çabej” u obligua të mbyllej, pasi që një arsimtare rezultoi pozitiv në testin për koronavirus.
Përgjatë ditës së djeshme, në Dragash dolën pozitiv për Covid-19 katër mësimdhënës dhe një nxënëse, ku si rrjedhojë e kësaj, komuna e Dragashit u detyrua ta mbyllte shkollën e të dilte në mësim online.
Edhe sot pati vendim për mbylljen e dy shkollave në Vushtrri, komunë kjo ku kanë filluar të rriten rastet. Përgjatë ditës së djeshme, Vushtrria pati 20 raste me virusin korona.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ndonëse ka thënë se në bazë të informatave që posedon nga terreni është e menaxhueshme, ai ka potencuar se rikthimi i nxënësve në platformën online mund të sjellë vështirësi në procesin mësimor.
“Platforma online është shumë e vështirë për t’u ndjekur, marrë parasysh mungesën e pajisjeve teknologjike në mesin e stafit mësimor, e posaçërisht nxënësve”, ka deklaruar Jasharaj për Express.
Tutje, ai ka rikujtuar refuzimin e propozimit të SBASHK-ut për shtyerjen e procesit mësimor për vitin e ardhshëm, kërkesë kjo e refuzuar nga MASH.
Numri total i rasteve pozitive në vend ka shkuar në 17.139, teksa 657 persona kanë vdekur si pasojë e Covid-19 që prej fillimit të pandemisë e deri më tani.