×
  • Ekonomi
  • Biznes

    Rritja e çmimeve, si mund të ndërhyjë Qeveria

    FrontOnline
    12 Dhjetor 2021

    Qeveria e Kosovës e gjen veten përballë kërkesave të qytetarëve për të vepruar kundrejt rritjes së çmimeve të produkteve bazike.

    “Mendoj se duhet rritur rrogat dhe të barazohemi me çmimet që janë rritur”, thotë Blerina Qerimi, qytetare e Prishtinës.

    “Kushtet e popullatës sonë janë të tilla që nuk ka mundësi t’i përballojë këto çmime. Shteti duhet të ndalojë shtrenjtim e miellit, bukës dhe gjërave të tjera elementare”, thotë Sali Ejupi, po ashtu nga kryeqyteti.

    Agjencia e Statistikave të Kosovës, në raportin e publikuar më 7 dhjetor, ka bërë të ditur se çmimet e produkteve të konsumit janë rritur për 5.7 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2021.

    Rritja më e lartë është vërejtur te buka, drithërat, mishi, qumështi, djathi, vaji, vezët, pemët dhe perimet.

    Rritje ka pësuar edhe çmimi i energjisë elektrike.

    Situatë e ngjashme me çmime është edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe në Evropë.

    Deri te kjo ka ardhur për shkak të pengesave në zinxhirin e furnizimeve që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, si edhe për shkak të rritjes së çmimeve të gazit.

    Për të lehtësuar bazën ekonomike mbi qytetarët, vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë ngrirë çmimet e produkteve bazike.

    Qeveria e Kosovës thotë se është duke bërë veprime të tjera, që, sipas saj, do t’i përgjigjen në mënyrë të ligjshme dhe të përshtatshme situatës së krijuar.

    “Jemi duke punuar në funksionalizimin e plotë të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, nëpërmjet plotësimit të bordit”, thotë zëdhënësi Përparim Kryeziu.

    “Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tashmë ka proceduar për miratim Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, i cili parasheh fushat dhe format e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për konkurrencë të shëndoshë të tregut”, shton ai.

    Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës.

    Një formë për ndërhyrje: Rritja e pagave

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se vendimi potencial i Qeverisë për ngrirje apo ndërhyrje në çmimet e tregut do të binte ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

    “Nuk e di nëse ngrirja e çmimeve është mënyra më e mirë. Nuk e kam parë këtë praktikë në nivel evropian, duhet shikuar formë tjetër, jo në këtë formë”, thotë Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.

    Si formë tjetër, ai përmend rritjen e pagave.

    Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro. Paga mesatare bruto në sektorin publik është rreth 620 euro, ndërsa në sektorin privat rreth 380 euro.

    Rukiqi thotë se në Kosovë, qysh në vitin 1999, nuk ka pasur inflacion më të lartë se këtë vit.

    “Ngritja e çmimeve ka ndikuar shumë në mirëqenien e qytetarëve. Qeveria duhet ta zbusë këtë barrë që ka popullata”, thotë ai.

    Sipas profesorit të ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, Qeveria e Kosovës duhet të nisë me subvencionimin e prodhuesve ose të ndërhyjë në planin e politikave sociale, për të zbutuar situatën që ka krijuar rritja e çmimeve.

    Në tetor, Qeveria e Kosovës, ka ndarë disa mjete nga Pakoja e saj për Rimëkëmbje Ekonomike, pёr mbështetjen e përfituesve nga skemat sociale dhe pensionale.

    Përfituesit e skemave pensionale, në muajin nëntor, kanë marrë nga 100 euro shtesë mbi pensionin e rregullt, ndërsa përfituesit e skemave sociale, në muajt nëntor dhe dhjetor, marrin dyfishin e pagesës sё rregullt.

    Si kanë ndërhyrë Maqedonia e Veriut dhe Serbia në kontrollimin e çmimeve?

    Maqedonia e Veriut, e cila ka ngrirë çmimet e produkteve bazë, në periudhën janar-shtator të këtij viti ka pasur ngritje të kostos së jetesës për 2.8 për qind.

    Qeveria maqedonase ka vendosur që t’i ngrijë çmimet e produkteve bazë – bukës, sheqerit, miellit, vajit, qumështit, mishit, djathit dhe gjizës – në nivelin e 1 dhjetorit.

    Ngrirja do të vlejë deri më 31 janar të vitit të ardhshëm dhe kjo nënkupton që tregtarët, brenda kësaj periudhe, nuk mund t’i prekin çmimet.

    Ngjashëm si Maqedonia e Veriut ka vepruar edhe Serbia.

    Qeveria atje ka marrë vendim më 30 nëntor që t’i ngrijë çmimet në nivelin e 15 nëntorit, për 60 ditë.

    Ngrirja vlen mbi çmimet e sheqerit, miellit, vajit, mishit të derrit dhe qumështit.

    Inflacioni në Serbi në muajin shtator ka qenë 4.3 për qind.

    Nga Rubrika
    Ekonomi14 Janar 2025
    Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka njoftuar se çmimet e konsumit u rritën në 1,1% vjetore dhe 0,7% mujore. “Indeksi i...
    Ekonomi10 Janar 2025
    Instituti GAP ka publikuar një infografikë me produktet më të eksportuara gjatë viteve 2022-2024. Buzuar në këtë infografikë, më së shumti është...
    Ekonomi10 Janar 2025
    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për rritjen e pensioneve për 20 përqind për familjet e kategorive të...
    Të tjera
    Lajme15 Janar 2025
    Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK), Lumir Abdixhiku ka përmbyll ditën në lagjen Bregu i Diellit. Nga kjo lagje, Abdixhiku...
    Lajme15 Janar 2025
    Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci në përmbyllje të vizitës në ShBA, ka vizituar fabrikën “Sikorsky – Lockheed Martin”, ku prodhohen helikopterë të...
    Zgjedhjet 202515 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka thënë se nuk i vjen turp që...
    Zgjedhjet 202515 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj ka njoftuar se ka mbyllur ditën sot në Korishë të Prizrenit, duke falënderuar...
    Lajme15 Janar 2025
    Nol Nushi nga PSD-ja ka njoftuar se është liruar pas arrestimit në stacionin policor në kufirin Kosovë-Maqedoni. Nushi ka shkruar se arsyeja...
    Zgjedhjet 202515 Janar 2025
    Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Artan Nimani ka njoftuar se sonte ka qëndruar në fshatrat Gramacel dhe Jasiqi...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.