
Si ndodhi tragjedia në Minierën e Artanës, rrëfen për Front Online minatori që i shpëtoi fatkeqësisë
Një gurë i madh i cili ra mbi galerinë e minierës së Artanës në Novobërdë, të martën e 2 qershorit 2020, ishte fatal për dy punëtorë që po punonin aty.
Ky gurë ua mori jetën dy minatorëve, të cilët ishin duke punuar në atë horizont, derisa një tjetër mbeti i lënduar nga pesha e gurit që ra mbi të.
Agron Vllasaliu, i mbijetuari i kësaj ngjarje tragjike, në një rrëfim ekskluziv për Front Online ka treguar se si ndodhi kjo tragjedi.
“Ka qenë një rast tragjik, ku jemi trishtuar të gjithë punëtorët. Në atë moment unë kam qëlluar aty, ku dy shokët e mi mbetën të vdekur, por Zoti deshti që unë shpëtova me lëndim në këmbën e djathtë. Ka qenë një shembje e një guri prej pjesës tavanore ku mbetën të vdekur dy shokë të punës”, rrëfen ai për Front Online.
Ai për Front Online tha se nga horizonti ku mbetën të vdekur dy minatorët ka arritur të dalë me ndihmën e shokëve të tij.
“Unë kam dalë me ndihmën e disa shokëve, por edhe ka pasur hapësirë me kalu pjesë ku kanë mbetur të vdekur dy shokët dhe kam dalë jashtë”, tha tutje ai.
I mbijetoi tragjedisë së Artanës, po merr trajtim psikologjik
Vllasaliu, i cili e ka të lënduar këmbën e djathë nga pasha e gurit që ra mbi të, tha se nuk është i gatshëm ta fillojë punën, pasi që siç tha ai, është duke marrë trajtim edhe nga psikologu.
“Për momentin nuk jam i gatshëm me fillu punën, jam në kontrolle mjekësore, jam në vizitë të ortopedi, psikologu, nuk jam i gatshëm me fillu punën. Kam probleme me këmbë, kemi probleme me stresin dhe depresionin. Por, tash me trajtim mjekësorë do Zoti që bëhemi më mirë. Jemi tmerruar prej ngjarjes ka mundur të ndodh edhe më shumë”, thotë Vllasaliu.
Por, për këtë minator, fatkeqësi tjetër ishte pamundësia për t’i ndihmuar shokët të cilët mbetën nën rrënojat si pasojë e shembjes së gurit.
“Rasti ka qenë tragjik kur i kemi pa shokët nën guri dhe nuk kemi pasur mundësi t’u ndihmojmë, ka qenë ngjarje tragjike, jo vetëm unë, por edhe shumë tjerë jemi tmerruar”, rrëfen ai për Front Online.
S’ka siguri në punë, minatori ndihet i rrezikuar
Ai foli edhe për kushtet e punës që kanë minatorët në këtë minierë.
Sipas tij, sfidë për ta mbetet investimi në vendin ku ata punoj në, për të pasur siguri më të madhe gjatë punës.
“Kushtet e punës që i kemi ne nuk janë të mira, po mundohemi me i mirëmbajtë me vazhdu me punu, me i siguruar vendet e punës, me vazhdu përpara. Ne kemi problem me investime, më së shumti që ka nevojë me investuar në minierën e Novobërdës”, u shpreh ai për Front Online.
E raste të tilla tragjike, sipas Vllasaliut, mund të ketë edhe në të ardhmen në Minierën e Artanës në raste se nuk investohet.
“Në qoftëse nuk i sigurojnë vendet e punës po, por nëse sigurohen punishtet, sigurohen horizontet, vetëm Zoti mundet me vendosë, se nuk dihet”, tha ai.
Kush u doli në ndihmë minatorëve ditën e tragjedisë, flet i mbijetuari
Për t’iu dalur në ndihmë minatorëve ditën tragjike u angazhuan disa institucione të vendit, por Vllasaliu, për Front Online, tha se punën më të madhe e kanë bërë minatorët.
“Më së shumti jemi të kënaqur me minatorët që kanë intervenuar më shpejt se sa për institucionet tjera, punën më të madhe e kanë kryer minatorët. Edhe pse janë kanë të tmerruar por e kanë pas forcën e tyre ata janë që kanë nxjerre aty që kanë punuar”, është shprehur Vllasaliu.
Shembje të gurëve ka pasur edhe në të kaluarën në Minierën e Artanë, por kjo sipas Vllasaliut, nuk i ka penguar që të vazhdojnë punën.
“Po ka pasur raste, ka pasur shembje, por persona të vdekur jo, vetëm mbyllje të korridoreve dhe kemi vazhduar me punu, nuk kemi pasur pengesa në këtë punë”, tha ai. /Front Online/