×
  • Kronika
  • Kronika

    Rasti i vrasjeve në “Mati 1”, i akuzuari për tentim vrasje thotë se nuk ka tentuar ta vrasë askënd

    FrontOnline
    19 Qershor 2020

    Naim Mehmeti, i cili po akuzohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, gjatë mbrojtjes së tij të dhënë në seancën e së premtes, ka deklaruar se nuk ka tentuar ta vrasë askënd dhe se nuk ka marrë ndonjë veprim për të shtënë dikë me armë.

    Më 5 shtator 2019, lagjja “Mati 1” në Prishtinë, ishte tronditur nga konflikti i armatosur në mes familjes Mehmeti dhe Rahuna, pas të cilit konflikt, kishin mbetur të vdekur tre persona.

    Ndër tre personat e vdekur, një ishte nga familja Mehmeti, një nga familja Rafuna, derisa nga ky konflikt i armatosur, ka ndërruar jetë edhe një kalimtar rasti.

    85 ditë më vonë, lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë tre faqëshe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj Naim Mehmetit, për dy veprat penale të lartpërmendura, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në seancën e së premtes, i akuzuari Mehmeti deklaroi se tani i ndjeri Mefail Rafuna ka tentuar ta vrasë dhe e ka gjuajtur me armë, ku e ka plagosur në pulp të këmbës të majtë dhe në gisht të madh, për cka tha se e ka kuptuar se është plagosur kur ka shkuar në Stacion të Policisë.

    Ai deklaroi se pasi kishte shkuar në banesën e vëllait të tij të ndjerë, Bashkim Mehmetit, kishte marrë kallashin, por se nuk kishte pasur qëllim që ta privojë dikë nga jeta.

    I njëjti shtoi se pasi ka dalur nga tuneli afër banesës, ka qenë ë pamundur ta shoh tani të ndjerin Mefail Rafuna, pasi siç tha ai, ky i fundit ka qenë në këndin tjetër të banesës, i cili vend kishte formën “L”.

    I akuzuari konfirmoi se kur ka dal nga banesa, ju ka drejtuar dikush me zë të lartë “Nalu, policia”, duke shtuar se kishte qenë një polic, urdhrit të të cilit i ishte bindur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Po, ju kam bind, sepse edhe ai më ka drejtu armën dhe nuk kam pas qëllim tjetër. Ka thënë policia, dorëzo armën. Mu afrua ngat, ma lypi armën, unë ja dorëzova armën në dorë. Armën para se me ja dorëzu e kam pasur në pozicionin me tyt poshtë”, ka deklaruar Mehmeti.

    Ai shtoi se më pas i ka kërkuar policit që ta marrë vëllain e tij, tani të ndjerin Bashkim, ta fus në veturë dhe ta dërgojë në spital, e se në ndërkohë kishte ardhur ndihma e shpejtë dhe policia.

    “Kanë thënë arrestone, është i dyshuar dhe më ka arrestuar policia”, deklaroi i akuzuari, duke theksuar se të ndjerin Mefail Rafuna e kishte parë vetëm kur e kishin arrestuar policia dhe e kishin futur në veturë të policisë, ku shtoi se ky i fundit kishte qenë i shtrirë në trotuar, para lokalit.

    Tutje, prokurori Ilaz Beqiri e ka pyetur të akuzuarin lidhur me arsyen që i ndjeri Mefail Rafuna e ka gjuajtur me armë dhe plagosur atë, i njëjti deklaroi se ngjarja ka ndodhur për punimet që po bëheshin në shkallët para lokalit të tij.

    “Ndodhi, mjeshtrit kanë qenë tu punu në shkallë të mia para lokalit tim, çka i kanë pengu Mefailit ato shkallë nuk e di, i ka hjek anësoret. Shkova me fol me vëllain e Mefailit, Fadilin me pyet pse po i hjek. Jashtë të dy kanë qenë bashkë. Mefaili tha për qef dhe më shajti. edhe e shtini dorën në çantë dhe e nxorri alltinë, unë ika, ika rreth lokalit, lokalit tem. Ai hini në lokal tem, më dul ma zoni pritën ,se lokali i ka në dy anë xhama edhe më ka gjuajt prej brenda lokalit tim dhe unë kam vazhduar prapë të ik dhe kam hyp në banesë”, ka deklaruar i akuzuari.

    I njëjti tha se më pas ka hyrë në ndërtesë, në katin e dytë, ku edhe i ka banesat, raporton “Betimi për Drejtësi”/

    “Ndodhi, i nijta krismat e armëve pa u ndërpre hiç, e pata babën poshtë edhe vëllain poshtë jashtë. Edhe s’pata zgjidhje tjetër, hypa në kat të tretë dhe e mora armën, tu e dit me çfarë krimineli kam të bëj .Nuk pata zgjidhje tjetër, krismat i nijta”, ka deklaruar Mehmeti.

    I pyetur nga prokurori Beqiri për arsyen e marrjes së armës, i akuzuari tha: “Tu i ni krismat, e mora armën me dal me frikësu, nuk pata zgjidhje tjetër, jo me qëllim me vra”, duke shtuar se nuk ka dashur ta vras dikë.

    Prokurori e ka pyetur atë sa ka qenë momenti prej se ka mbërritur në katin e dytë dhe kur i ka dëgjuar krismat, për çka i akuzuari tha se nuk e di.

    “Nuk e di. Jam kon tu ik, nuk kam mujt me mat kohën, shkallëve kam hyp tu vrapu”, ka thënë ai, duke sqaruar se ka ikur nga plumbat.

    “Meqenëse deklaruat se në katin e tretë është e Bashkimit, a shkon shpesh në atë banesë”, e ka pyetur prokurori të akuzuarin.

    “Në atë kohë, jemi kon tu i mobilu banesat. normal”, u përgjigj Mehmeti, duke shtuar edhe se e ka ditur më herët vendodhjen e pushkës, për të cilën tha se ka qenë me një çantë, bashkë me municion.

    Tutje, Mehmeti deklaroi se nuk e di se a ka qenë pushka që polici ia ka marrë nga dora e mbushur dhe se nuk e ka ditur që fisheku ka qenë në tytë.

    “The se kur ke dal Mefailin nuk e ke pa, po ma vonë e ke vërejt që ka qenë në pjesën e L të ndërtesës? A pat naj pengesë me mujt me shku deri qaty? A ka pas naj mur që s’ke mujt me shku? A ka pas ndonjë pengesë që s’kishe mujt me shku te Mefaili, mes teje dhe vendit ku ka qenë Mefaili?”, ka pyetur prokurori, për çka i akuzuari deklaroi se nuk ka pasur muri tjetër.

    Tutje, i njëjti tha se nuk e di se sa kohë ka kaluar prej momentit kur i ndjeri Mefail Rafuna e ka gjuajtur me armë e derisa ka shkuar te arma.

    Tutje, prokurori e ka pyetur të akuzuarin rreth gjendjes së tij emocionale nga momenti që e ka gjuajtur i ndjeri Mefail Rafuna, e derisa ka zbritur më pas poshtë nga banesa.

    Mirëpo lidhur me këtë pyetje, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Cerkini deklaroi se i përkujton prokurorit se nuk është ekspert i lëmisë përkatëse për të konstatuar gjendjen emocionale, mirëpo i akuzuari nëse dëshiron mund të përgjigjet sipërfaqësisht.

    Lidhur me këtë, i akuzuari tha se ka qenë në gjendje të frikshme dhe nuk di si ta shpjegojë.

    Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shqipron Zymeri e ka pyetur klientin e tij se nëse kishte dashur ta kryejë aktin me armën që ka pasur në dorë, a kishte mundur ta vrasë edhe policin edhe dikë tjetër, e të shkaktojë pasoja.

    “Me pas dashtë po, po nuk e kam pas atë qëllim unë”, ka thënë i akuzuari Mehmeti.

    Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Shpresa Hasaj–Hyseni, se cili ishte motivi konkretisht që mori armën, ai tha se është frikësuar për anëtarët e familjes së tij dhe veten.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e saj, Mehmeti tha se fillimisht është ndalur në katin e dytë, ku edhe i ka dëgjuar krismat, për çka tha se kanë qenë shumë.

    Tutje, i njëjti deklaroi se kur doli me armë e ka parë vëllain e tij, tani të ndjerin Bashkim, të shtrirë në tokë, në trotuar.

    Ndërsa, kur ka dal nga hyrja e banesës ai tha se ka parë prindërit e tij, ku babai i kishte thënë “Bashkimi ka mbet i vrarë”.

    Mehmeti tha se vëllai i tij kishte mbetur i vrarë krejt në anën e kundërt, para lokaleve të familjes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kurse shtoi se sapo ka dalë nga tuneli, kontakti i tij ka qenë me policin, për të cilin tha se kishte qenë te koka e vëllait të tij.

    Mehmeti gjithashtu tha se nuk ka pasur ndonjë moment kur armën e ka ngritur në ndonjë pozitë tjetër nga ajo që e ka mbajtur me tytë poshtë.

    Ndryshe, gjatë paraqitjeve të pyetjeve nga ana e prokurorit Beqiri, ai ka pretenduar se mbrojtësit po interferojnë në përgjigje të pandehurit dhe udhëzojnë se si të përgjigjet.

    Paraprakisht, para deklarimit të të akuzuarit, në gjykatore është paraqitur Egzona Abazi, bashkëshortja e të ndjerit Mefail Rafuna, e cila fillimisht nuk ishte inkuadruar në aktakuzë si palë e dëmtuar, e më pas i kishte dërguar njoftim kryetares së trupit gjykues për këtë rrethanë.

    Ajo ka deklaruar se ndihet e dëmtuar dhe po të mos e bënte dikush tjetër vrasjen, do e bënte i akuzuari.

    “Nuk kërkoj dëmshpërblim, dëmshpërblim e kërkoj prej juve, me vënë drejtësinë në vendin e vet. Du drejtësia ta zë vendin e vet. Na e kena lon prej fillimit drejtësia me bo vendin e vete. Burri jem osht i vdekur, ky në liri. Unë jetoj me të derë më derë”, ka thënë ajo.

    Ndryshe, avokati Zymeri ka deklaruar se nëse prokurori bën precizimin e pikës së dytë të aktakuzës, i akuzuari do ta pranonte fajësinë.

    Mbrojtja si prova shtesë ka propozuar transaksionet e konsumatorit për banesën në katin e tretë, që sipas tyre dëshmojnë që banesa është e të ndjerit Bashkim Mehmetit dhe jo të akuzuarit, si dhe faturat e rrymës.

    “Prova që kanë të bëjnë me dispozitivin e dytë të aktakuzës. Njëkohësisht edhe të parit sepse ka fotografi që ndërlidhen me pikën e parë e që janë tre foto nga vendi ngjarjes. Banesat në katin e dytë janë të mbrojturit tonë”, ka thënë ai.

    Këtë propozim e ka kundërshtuar prokurori Beqiri, pasi ka thënë se në procesverbalin e bastistjes që u lexua si provë, shkruan se ato gjësende janë gjetur në banesën e të ndjerit Bashkim dhe askush nuk e konteston që janë gjetur diku tjetër.

    “Asnjëherë prokuroria nuk ka thënë që janë gjetur në banesë të dikujt tjetër a Naimit”, ka thënë ai, përderisa kryetarja e trupit gjykues i ka replikuar duke i thënë se në posedim ia ka lënë Naimit, duke iu referuar aktit akuzues.

    “E kom arsyen pse ja kam lon Naiimit, se qaty u kon edhe pushka u shku e ka marr edhe pushkën, qaty ku u kon municioni. Se po mendoni që veç mu ka tek me shkru qashtu”, ka thënë prokurori.

    Trupi gjykues e ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, kurse seancën e radhës e ka caktuar për 23 qershor, me fillim nga ora 10:00, gjatë së cilës palët në procedurë do të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare.

    Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 27 nëntor 2019, ekziston dyshimi i bazuar se pas një kontesti pronësor që kishin mes vete familja Rafuna dhe Mehmeti, më 5 shtator 2019, rreth orës 15:40, në kryqëzimin e rrugës “Muharrem Fejza” dhe “Jakov Xoxa”, i pandehuri Naim Mehmeti ka tentuar që ta privojë nga jeta tani të ndjerin Mufail Rafuna.

    Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që paraprakisht është fjalosur me tani të ndjerin rreth anësorëve të shkallëve, të cilat i kishte hekur Mufail Rafuna dhe në momentin kur tani i ndjeri ka nxjerrë armën nga çanta, i pandehuri ka filluar të ikë rreth lokaleve duke vrapuar.

    Sipas akuzës, i ndjeri Rafuna ka shtënë në drejtim të të pandehurit me revole dhe e ka goditur në pulpin e këmbës së majtë dhe në gishtin e madh të asaj këmbe.

    Tutje, thuhet se i pandehuri ka shkuar në banesën që gjendet në katin e tretë, ka dëgjuar të shtënat e armëve, ka marrë armën automatike, ka dal në hyrje të banesës, ka parë të plagosur Mufail Rafunën, e vëllain e tij, Bashkim Mehmetin, por fatmirësisht tani në ngjarje ishte implikuar pjesëtari i Policisë së Kosovës, në rroba civile, Irfan Bunjaku, i cili ka arritur që të pandehurit t’ia marrë armën “AK 47”, nga dora dhe ta vejë në kontroll të pandehurin, në të cilën kishte fishekun në tytë, dhe 28 fishekë të tjerë në karikator, ndërsa polici ka vërejtur se ka qenë i plagosur nga të shtënat e Mufail Rafunës.

    Për këtë akuzohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

    Ndërkaq, dispozitivi i dytë i aktakuzës thotë se nga data e pacaktuar deri më 5 shtator 2019, pa autorizim ka poseduar armën e tipit “AK47”, me 29 fishekë, me të cilin ka kryer veprën penale si në pikën e parë të akuzës, e pas bastisjes në banesë të tij, janë gjetur dhe sekuestruar 80 fishekë automatikut dhe 64 fishekë të pistoletës.

    Nga Rubrika
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Katër persona janë përfshirë në një rrahje gjatë së shtunës në Ferizaj. Gjatë intervenimit të policisë, njëri nga të dyshuarit e ka...
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Një sasi e drogës e dyshuar të jetë e llojit kokainë dhe një armë e zjarrit janë gjetur në një veturë të...
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Një person është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Prishtinë, konkretisht në lagjen Vetërnik. I dyshuari derisa ka qenë duke lëvizuar me...
    Të tjera
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryetari i Podujevës Shpejtim Bulliqi, ka shprehur pikëllim për vdekjen e Hilmi Ukës, i cili ishte mësimdhënës dhe drejtor shkolle. Ai tha...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Ish-konkurrentët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Arioni dhe Diana janë fotografuar së bashku. Ata krijuan lidhje sa ishin...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Leo është bërë nervoz pasi dështoi në sfidën për kapitenin e javës. Madje ai thotë se Fitimit nuk i duhet asgjë avantazhi...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në pikën kufitare në Merdarë, sot është paraqitur një autobus me targa vendore, ku gjatë kontrollit të mjetit, janë selektuar për skanim...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se viti 2024 ka qenë viti i pasaportës së vendit tonë. Përmes një postimi në...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Në një bisedë me një gazetar, Ilir Tahiri, kandidati për deputet i PDK-së, shprehu shqetësimin për qëndrimet e Albin Kurtit ndaj UÇK-së....

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.