Rritje e ndjeshme e çmimeve në produktet bazike është duke u vërejtur tash e sa muaj në Kosovë.
Si pasojë e kësaj rritje, është ngritur edhe shqetësimi se po rëndohet jeta e qytetarëve, veçanërisht e atyre që jetojnë me të ardhura të vogla e me asistencë sociale.
Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin tetor 2021 me muajin tetor 2020 ishte më e lartë për 5.7%, shkruan FrontOnline.
Ngritje e çmimeve është vërejtur në vaj, sheqer, miell e vezë.
Por, kësaj rritje nuk i kanë shpëtuar as lëndët djegëse.
Nafta e benzina po shitën më shtrenjtë tash sesa vitin e kaluar. E për gati 5 euro është rritur edhe vlera e një metri dru.
E, siç duket ankesat e qytetarëve po dalin të jenë vetëm “llafe” mes tyre.
Kjo, për shkak që ata nuk po ankohen fare në vendin adekuat.
Vetëm gjashtë ankesa për tre muaj janë bërë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, më saktësisht në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Këto të dhëna janë bërë të ditura në një përgjigje për FrontOnline, nga zyra për komunikim e Ministrisë së Tregtisë.
Ndërsa, thonë se në përgjithësi ankesa janë 776.
“Që nga muaji shtator e deri më sot në total, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit ka pranuar 776 ankesa. Prej tyre gjashtë ankesa janë për rritje të çmimeve, ankesa të cilat janë adresuar tek Autoriteti i Konkurrencës”, thuhet në përgjigjen e MTI-së, për FrontOnline.
Kurse, kanë treguar së që nga fillimi I këtij viti në këtë departament janë pranuar një mijë e 774 ankesa.
“Në total, që nga 01.01.2021 e deri më sot, DMK ka pranuar 1774 ankesa, të cilat janë adresuar tek autoritetet kompetente për trajtim”, thuhet më tutje në përgjigje.
Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1.0% në muajin tetor 2021, krahasuar me muajin shtator 2021.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (3.9%); mish (0.4%); qumësht, djathë dhe vezë (1.7%); vajra dhe yndyrëra ushqimore (2.9%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.1%); kafe, çaj dhe kakao (3.0%); gaz (5.1%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (5.8%); blerje e automjeteve (3.2%); karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (6.2%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3 për qind në IHÇK./FrontOnline/