Shefi ekzekutiv i Afganistanit, Dr. Abdullah Abdullah tha se janë të gatshëm të fillojnë bisedimet me talebanët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Abdullah, në një ceremoni të mbajtur në kryeqytetin afgan Kabul mori pjesë nëpërmjet video-konferencës ku tha se qeveria po përpiqet për arritjen e paqes në vend.
Ai tha se talebanët duhet të përfitojnë nga kjo mundësi e krijuar për paqe, duke shtuar se paqja veçanërisht është dëshira e popullit afgan.
Shefi ekzekutiv gjithashtu tregoi se janë liruar rreth 3 të burgosur talebanë për të filluar bisedimet.
Deri më tani janë liruar 2.710 anëtarë të talebanëve nga burgjet afgane si dhe 420 pengje nga talebanët.
– Procesi i bisedimeve për paqe në Afganistan
Talebanët, një kërcënim i madh për qeverinë e drejtuar nga presidenti afgan, Ashraf Ghani, ende ruajnë dominimin e tyre në shumë rajone të vendit. Disa rajone të këtij vendi që janë nën kontrollin e talebanëve, ballafaqohen me probleme serioze të sigurisë.
Ende nuk është arritur një rezultat pavarësisht se qeveria në vitet e kaluara në mënyrë të përsëritur ka treguar përpjekje për të zhvilluar bisedime për paqe me talebanët dhe ka formuar Këshillin e Paqes.
Në periudhën e ish-presidentit të Afganistanit, Hamid Karzai, kontaktet mes administratës afgane dhe talebanëve planifikohej të zhvilloheshin në qershor të vitit 2013 në kryeqytetin e Katarit, Doha. Por, talebanët në zyrën ku pritej të zhvilloheshin takimet kishin vendosur tabelën dhe të ashtuquajturin flamur të “Emiratit Islam të Afganistanit”, pas së cilës qeveria afgane u tërhoq nga bisedimet.
Zyra u mbyll pas një muaji ndërsa bisedimet e paqes u pezulluan.