Nga Pavel Slunkin, “European Council on Foreign Relations”
Vladimir Putinit po i mbarojnë të gjitha “kartat” që ka në dispozicion për të luajtur në luftën konvencionale që po zhvillon në Ukrainë. Forcat e armatosura ukrainase po çlirojnë territoret e pushtuara, dhe po kryejnë operacione sabotazhi kundër objektivave të kontrolluara nga Rusia, duke përfshirë Urën e Krimesë.
Forcat e armatosura ruse i kanë shpërdoruar rezervat e tyre të raketave dhe burimeve njerëzore profesionale. Përtej retorikës bërthamore, shantazheve me “bomba të pista” dhe terrorizimit të civilëve, Kremlini duket se është pa ide se si duhet të ecë përpara. Komandantët e tij ushtarakë kanë provuar edhe taktikat brutale të përdorura më herët në Siri, por pa rezultat. Tani, regjimi rus po përpiqet të formojë një “ushtri të dytë” me qindra mijëra rekrutë civilë të stërvitur dobët. Është shumë herët për ta cilësuar këtë përpjekje si një “dështim”, por pritshmëritë duken ambicioze.
Njëkohësisht, Putini mund të ketë ende një “kartë” më shumë nën mëngë: ushtrinë bjelloruse. Që nga fillimi i pushtimi rus në shkallë të gjerë në Ukrainë në fundin e muajit shkurt, kanë qarkulluar zëra për përfshirjen e afërt në luftime të trupave bjelloruse. Por deri më tani ato kanë mbetur në kazermat e tyre në Bjellorusi.
Dhe kjo gjë ka krijuar në Perëndim iluzionin se udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenka, po bën një lloj rezistence mitike ndaj presionit të Putinit. Megjithatë, ka më shumë gjasa që Minsku dhe Moska të jenë shumë të kënaqur me marrëveshjen e tyre aktuale. Ose që ata e dinë se nuk kanë më asnjë kartë për të luajtur.
Është e vështirë të gjesh ndonjë shembull kur Putinit ka ushtruar presion ndaj Lukashenkos gjatë muajve të fundit. Përkundrazi, marrëdhënia mes dy diktatorëve të moshuar duket se është në fazën e “muajit të mjaltit”. Rusia e ka ndihmuar Bjellorusisë për shlyerjen e huasë prej 1 miliardë dollarësh, dhe i ka dhënë një kredi të re prej 1.5 miliardë dollarësh.
Për më tepër, për shkak të sanksioneve perëndimore ndaj produkteve bjelloruse, 60 për qind e eksporteve të këtij vendi përfundojnë tani në tregun rus. Dhe Bjellorusia e ble gazin rus me çmimin e volitshëm prej vetëm 128.5 dollarë për 1 mijë metra kub (shumë modest krahasuar me çmimin rekord në tregut prej 2800 dollarësh verës që shkoi).
Dhe ky raport kaq harmonik ka të ngjarë të mos ishte e mundur nëse Lukashenka do të ishte treguar një partner më i ftohtë. Në fakt ai ka hequr dorë nga i gjithë sovranitetin ushtarak mbi territorin e Bjellorusisë. Trupat ruse mund të hyjnë, të largohen dhe të rikthehen në territorin bjellorus kur të duan, pa marrë as lejen formale të autoriteteve lokale.
Dhe vështirë se Lukashenka do t’i shpallë luftë Rusisë për shkak të kësaj ndërhyrje “të vogël”. Aq më tepër që ai e kupton se tanket ruse mund t’ia mësyjnë në çdo çast në territorin e pallatit të tij presidencial. Në fakt e gjithë ushtria ruse po vendoset në Bjellorusi.
Ndërkohë, presidenti bjellorus po kryen një mobilizim të fshehtë dhe një fushatë të re propagandistike. Ish-ushtarakët dhe oficerët e policisë në pension po marrin fletëthirrjen. Edhe mjekët ushtarakë po trajnohen ndërsa disa civilë janë njoftuar se nëse lind nevoja, do të mobilizohen që në fazën e parë.
Kreu i KGB-së, i shërbimit sekret të Bjellorusisë, dhe besnikë të tjerë të regjimit po vizitojnë ndërmarrjet shtetërore, duke përhapur fjalën për një “sulm të afërt” kundër Bjellorusisë nga Ukraina. Dhe në një konferencë të posaçme për atashetë ushtarakë të huaj, Ministria bjelloruse e Mbrojtjes, mbrojti të drejtën e saj për të marrë “masa të parandalimit strategjik për të parandaluar një sulm të mundshëm”.
E gjitha kjo duket shumë e dyshimtë, dhe ka krijuar shqetësime të reja se trupat e Lukashenkos do t’i bashkohen pushtimit rus. Por hamendësimet mbi proceset e mendimit të udhëheqësve autoritarë janë një punë shumë e vështirë. Dhe duke pasur parasysh mungesën e dukshme të presionit rus ndaj Lukashenkos, prapa këtyre aktiviteteve mund të fshihen motive të tjera.
Lukashenko mund të frikësohet vërtet se forcat ukrainase janë gati të nisin një sulm në territorin bjellorus. Tek e fundit, ata do të kishin arsye të forta për ta bërë këtë: në shkurt Rusia sulmoi Kievin nga Bjellorusia; qytetet e Ukrainës po bombardohen rregullisht nga territori bjellorus; dhe trupat bjelloruse mund ta pushtojnë Ukrainën Perëndimore, duke i ndërprerë linjat e furnizimit për dërgesat e armëve nga Perëndimi.
Por kjo frikë është qartazi e pabazë nga perspektiva perëndimore. Është e vështirë të vlerësohet shkalla në të cilën sundimtari bjellorus mbetet një aktor racional, dhe aq më tepër të vlerësohet mënyrat sesi perceptimet e tij mbi realitetin, ndryshojnë nga ato të Perëndimit. Ndërkohë ka edhe një shpjegim më cinik: Lukashenka ka të ngjarë ta ketë kuptuar se nëse Rusia e humbet këtë luftë, regjimi i tij ndoshta nuk do të mbijetojë. Ndaj ai duhet ta ndihmojë Moskën që të fitojë me çdo kusht luftën. Por ushtria bjelloruse nuk e ka kapacitetin që t`i kthejë ekuilibrat e luftës në favor të Rusisë.
Së pari, ajo është shumë i vogël, dhe segmenti më i gatshëm për luftë nuk i kalon 15.000 trupa. Pjesa tjetër është po aq efikase sa rekrutët e rinj të Rusisë. Për më tepër, forcat e armatosura ukrainase tani janë shumë më të përgatitura për një sulm nga veriu: ato kanë minuar tashmë rrugët dhe fushat në kufirin me Bjellorusinë, kanë shkatërruar urat përkatëse, me armët moderne perëndimore, si raketat antitank HIMARS, at mund t`i parandalojnë trupat bjelloruse edhe pasi të kenë kaluar kufirin.
Së dyti, shoqëria bjelloruse është në shumicë kundër pjesëmarrjes së vendit në luftë. Më shumë se 90 për qind, e refuzojnë idenë për t’u bashkuar në anën e Rusisë. Prandaj dërgimi i bjellorusëve në luftë mund të provokojë një valë të madhe pakënaqësie brenda vendit, madje edhe më shumë sesa mobilizimi i Putinit në Rusi.
Forcat demokratike bjelloruse në mërgim, ka të ngjarë ta shfrytëzojnë rastin për të përmbysur regjimin e Lukashenkos. Këtë javë, liderja e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya u kërkoi trupave bjelloruse që të reagojnë ndaj urdhrave për të sulmuar Ukrainën duke ulur armët dhe duke u bashkuar me forcat ukrainase.
Prandaj, kjo mënyrë veprimi do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme, kryesisht për Lukashenkon, por edhe për Putinin, i cili mund të humbasë aleatin e tij të vetëm në Evropë. Tani për tani, qasja aktuale mund të jetë më e vlefshme sesa një front i dytë i paparashikueshëm në Ukrainë.
Por ndërsa lufta po përparon dhe evoluon, vlerësimet e vendimmarrësve bjellorusë dhe rusë për situatën mund të ndryshojnë. Dhe ata mund të vendosin që kostot e mos-dërgimit të trupave bjelloruse në Ukrainë janë më të mëdha se ato të dërgimit të tyre. Prandaj do të jetë e nevojshme të monitorohen nga afër ndryshimet e prekshme në aktivitetin ushtarak në Bjellorusi.
Ukraina dhe aleatët e saj duhet të mbajnë shënim se sa trupa ruse dhe sa pajisje ndodhen vërtet në këtë vend. Pa pasur në dispozicion dhjetëra mijëra ushtarë rusë, çdo sulm i ri në Kiev do të dështojë, pavarësisht nëse merr apo jo pjesë ushtria bjelloruse. Deri tani, nuk ka shenja të qarta të përgatitjes për ndonjë sulm të afërt, duke pasur parasysh se numri i ushtarëve dhe pajisjeve ruse që kanë mbërritur në Bjellorusi janë relativisht të vogla.
Pjesëmarrja direkt e Bjellorusisë në luftë, nuk do të ndryshonte në mënyrë dramatike balancën ushtarake në Ukrainë, por ajo ka potencialin për ta destabilizuar edhe më shumë rajonin, dhe për të provokuar një kryengritje tjetër popullore kundër Lukashenkos.