Nga Shenoll Muharremi:
Albin Kurti po e përballon rëndë rënien e LVV-së prej nivelit të vitit 2021. Nuk di pse duhet të bëhet një ‘humbës kaq i keq’ kur ai, me shumë gjasë, është fitues i zgjedhjeve me numra për shkak se baza e tij është ende e lartë. Sado që LVV bie, ajo me siguri fiton vendin e parë. Pse duhet të sillet si humbës dhe kaq i frustruar?
Pse është e vështirë të kuptohet dhe menaxhohet ky proces, i cili është i shëndetshëm për LVV? Kur ke fituar 50.2% të votave, apo 430 mijë vota, ke prekur kulmin dhe nuk ka më hapësirë për rritje. Nuk janë votat pakufi, rezultatet mvaren dhe bazohen edhe nga akterët dhe partitë tjera. Ke qeverisur, je amortizuar, dhe tash duhet të korrigjohesh. Çka ka të keqe apo të pazakontë këtu?
Me çfarë racionaliteti kërkon 500 mijë vota apo 70%, kur nuk ke shumë rezultate për të treguar dhe ende as një program nuk e ke prezantuar? Pse, çfarë do me ato vota? Për SHIK-un që e përmende sot në tubim? Jo, nuk po flasim më për SHIK, temë e vjetër kjo. Çka ke ba ti dhe çka ki ofron me bë? Kjo na interson prej teje. A ke mësuar dicka dhe çka do të bëje ndryshe, apo ti je i pagabueshëm..
Ke qeverisur për katër vite, andaj fokusohu aty. Ku janë rezultatet dhe çka po ofron ti për katër vitet e ardhshme? Përndryshe, LVV po rrezikon të shndërrohet në një Lëvizje Nacionaliste të shekullit të 19-të, ku fokusi kryesor është armiku i jashtëm dhe armiqtë e brendshëm.
Kjo është një botë me të vërtetë e varfër dhe e vetmuar. Lideri duhet të tregoj frymë pozitive dhe të bashkoj e frymëzoj njerëzit jo të i polarizojë e ndajë ata!
LVV mund të bëjë shumë më mirë, por duhet të tejkalojë këtë krizë. Duhet të kuptojë që tashmë do të tkurret. Kjo është e pashmangshme. Fillimisht në rajonin prej 300 mijë votash më 9 shkurt dhe, nëse nuk mëson, edhe në 200 mijë vota në zgjedhjet e tjera. Është më mirë të fokusohet për të gjetur rrugën për të ardhmen. Të ri-inventoj vetën nëse dëshiron me mbetë pjesë e të ardhmës.
Në Mitrovicë nuk ofroj asgjë, pos urrejte dhe ndarje mes njerëzve. Absolutisht asgjë nuk tha për vitet e ardhshme. LVV është e fortë në Mitrovicë për shkak të përparimeve në veri, por çfarë më pas? Si do të fitohet paqja dhe ekonomia? Apo do të mbetemi gjithmonë të varur nga policia dhe siguria?
LVV nuk ka ide dhe vizion se si të ofrojë stimuj ekonomikë në veri të Kosovës dhe se si të formësojë dhe forcoj një frymë dhe kulturë shumë-etnike. Nëse vazhdon me frymën nacionaliste, ku veriu duhet, sipas tij, të jetë vetëm i shqiptarëve, kjo nënkupton humbjen e veriut. Nëse gjen formulën për të bashkuar komunitetet, atëherë ka shanse për të bërë diçka të mirë për atë rajon.