
Në Sheshin “Skëndërbeu” po zhvillohet një protestë e organizuar nga disa pjesëtarë të shoqërisë civile, të cilët po kërkojnë zgjedhje të reja, ashtu sikurse edhe Lëvizja Vetëvendosje.
Tashmë janë vendosur 448 protestues në Sheshin e Prishtinës, me një distancë të krijuar nga organizatorët, pas vendosjes së shenjave të distancës.
Organizatorët e kësaj proteste, Rron Gjinovci, ditë më parë ka thënë se kanë diskutuar për krijimin e një grupi të ri të organizimit të protestave që kërkojnë zgjedhje në vendin tonë.
“Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të tregojë për rrugët legale të organizimit institucional, të cilin vendim të gjithë ne duhet ta respektojmë institucionalisht, si qytetarë na takon e drejta për të protestuar duke kërkuar zgjedhje të reja si legjtimitet politik e demokratik i kujtdo që mendon ta udhëheqë vendin në emër të qytetarëve të tij. Gjykata punën e saj, ne punën tonë”.
“Partitë politike që veprojnë në vendin tonë nuk mund të jenë të papërgjegjshme ndaj zgjedhësve të tyre. Edhe nëse legalisht një veprim politik është i mundur, në një demokraci ai nuk ka kuptim pa legjitimitet demokratik e politik, i cili fitohet në zgjedhje. Edhe nëse zgjedhja e një qeverie të re, nga Gjykata Kushtetuese konstatohet e mundur, kërkesa jonë për zgjedhje të reja është po ashtu e mundur, legjitime, legale, madje edhe kushtetuese”, pati thënë Gjinovci.
