Në Shqipëri Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi sot se Gjykata ka pranuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestrim të pasurive të sipërmarrësit dhe pronarit të radiotelevizionit “Ora”, Ylli i Ndroqi, i dyshuar të jetë i përfshirë në të kaluarën në trafik droge.
Sipas njoftimit zyrtar, në vitin 1998, Ylli Ndroqi rezulton të jetë arrestuar në Turqi, nën emrin Xhemal Pasmaçiu, si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe se nga shkëmbimi i të dhënave me autoritetet turke është vërtetuar se bëhet fjalë për të njëjtin person.
Po ashtu njoftimi bën të ditur se në vitin 2006 Prokuroria e Milanos në Itali ka lëshuar një urdhër arresti ndaj tij, pasi dyshohej si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.
Në kuadër të Ligjit Antimafia Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e një numri të madh automjetesh, pronash dhe aksionesh të zotëruara nga Ylli Ndroqi dhe familjarët e afërt me të, duke qenë se, sipas njoftimit, ekzistojnë dyshime se pasuritë e tij nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme.
Avokatët e tij thanë se bëhet fjalë për një sulm politik për shkak të një procesi gjyqësor me kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj dhe njoftuan se do të ankimojnë vendimin e gjykatës.