×
  • Lajme
  • Lajme

    Procesi i vetting-ut në drejtësi kthehet në pikën zero

    FrontOnline
    15 Korrik 2020

    Krijimi i një grupi të ri punues për procesin e vetting-ut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, po shihet si politik dhe blerje e kohës që vetting-u të mos ndodh shumë shpejt, thonë anëtarët e dorëhequr të grupit të ekspertëve të pavarur.

    Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

    Grupi i ekspertëve të pavarur, që ishte formuar nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti në fund të muajit shkurt të këtij viti, dha dorëheqje një javë më parë.

    Pjesë e këtij grupi ishte edhe Arbëresha Loxha, drejtoreshë e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

    Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se në javën e parë të korrikut, grupi ka pranuar një email nga drejtori i Zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, Adrian Bajraktari, përmes së cilës i ka informuar që ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka vendosur të krijojë një grup të ri punues.

    “Qëllimi ynë si grup i ekspertëve asnjëherë nuk ka qenë që të jemi servis i partive politike, pra t’iu shërbejmë partive politike, por kemi pasur një qëllim të pastër që të ofrojmë ekspertizën dhe njohuritë tona lidhur me këtë fushë kaq të rëndësishme për sundimin e ligjit në Kosovë”, thotë Loxha.

    Sipas saj, grupi i ekspertëve nuk do të mund të ishte pjesë e një grupi më të madh të njerëzve, ashtu siç ka kërkuar qeveria.

    “Do të kishte efekt negativ në qoftë se ne do të vazhdonim të ishim pjesë e një grupi kaq të madh dhe ku rol kryesor duket se do të kenë akterët që do të duhej të ishin subjekt i procesit të vetting-ut dhe ku qëndrimi i shumicës së tyre tashmë është publik, kundër një procesi të tillë”, thotë Loxha.

    Edhe anëtari tjetër që është dorëhequr, avokati Kujtim Kërveshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se anëtarët e grupit të ekspertëve, nuk kanë mundur të bëhen pjesë e një grupi të njerëzve që nuk të kaluar të pastër profesionale.

    “Si pasojë e një letërshkëmbimi, do të thosha të një drafti të një vendimi të ri që qeveria pastaj e pati propozuar, ne kuptuam se strategjia dhe metodologjia e qeverisë është krejtësisht ndryshe nga ajo që ne ishim angazhuar dhe nuk kishte asnjë arsye që të vazhdonim të ishim të angazhuar”, thotë Kërveshi.

    Si Loxha edhe Kërveshi, propozimin e qeverisë për gjithëpërfshirje, e shohin si tendencë për të zvarritur reformat në sistemin e drejtësisë dhe për të prolonguar procesin e vetting-ut.

    Sipas Kërveshit, nuk ka kushte për një pjekuri politike dhe institucionale që vetting-u të ndodhë.

    “Kam bindjen që nuk ka një gatishmëri për të punuar sinqerisht në hapa konkret për të arritur deri te vetting-u. Kjo dëshmohet edhe me veprimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për bindjen time, ndryshimet e tilla nga qeveria, kanë vetëm një qëllim, të arrijnë një blerje të kohës e që vetting-u të mos bëhet me hapat të cilët kishte nisur këtë vit”, thotë Kërveshi.

    Propozimi për grupin e ri është dërguar në qeveri
    Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se ideja për zgjerimin e grupit kishte ardhur pas takimit që kishte pasur ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, me grupin e ekspertëve.

    Në përgjigjen me shkrim të Zyrës për media të kësaj ministrie thuhet se ideja e qeverisë ka qenë që të ketë një gjithëpërfshirje, duke përfshirë edhe akterë të tjerë të sistemit të drejtësisë në Kosovë si dhe përfaqësues të ambasadave të huaja.

    “Pas dërgimit të propozim/vendimit për përbërjen gjithëpërfshirëse të Komisionit dhe termat e referencës, që do të propozojë sistemin e llogaridhënies duke përfshirë edhe vetting-un, dhe mundësinë që përbërja e mëparshme e ekspertëve të jenë pjesë e këtij grupi, ata kanë vendosur mos të dërgojnë komente”, thuhet në përgjigje.

    Ky propozim për përbërjen e grupit të ri punues, tashmë është dërguar në qeveri dhe pritet që të hyjë në rendin e ditës në mbledhjen e radhës për miratim nga kabineti qeveritar.

    Pse dha dorëheqje grupi i ekspertëve të pavarur?

    Më 8 korrik, pasi kishin pranuar me shkrim propozimin e ministrit të Drejtësisë Selim Selimi, që grupit duhej t’i bashkoheshin edhe njerëz të tjerë të institucioneve të drejtësisë, shtatë anëtarët e këtij grupi vendosën të japin dorëheqje.

    Dorëheqjen ata e bënë të ditur këtë përmes një letre që i dërguan ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.
    Ky grup ishte formuar më 28 shkurt nga qeveria e kaluar e udhëhequr nga Albin Kurti.

    Anëtarët e këtij grupi ishin duke dhënë ndihmën e tyre në mënyrë vullnetare dhe kishin për qëllim të ofronin skenarin e reformës në vetting apo procesin e verifikimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

    Pjesë e këtij grupi ishin profesorë universitarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

    Nga Rubrika
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati sot do të mbajnë konferencë për media. Konferenca do të nisë në ora...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat, ka shprehur shqetësimin e tij për dështimin e Qeverisë “Kurti” në realizimin...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Hykmete Bajrami e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka reaguar ndaj ministrit Murati i cili dje foli rreth subvencionimit të faturave të energjisë...
    Të tjera
    Sport22 Dhjetor 2024
    Peja ka fituar derbin e javës së 13-të të Superligës, duke mundur Trepçën me shifrat 65:64 (27:17, 17:14, 10:23, 11:10). Vendasit e...
    Sport22 Dhjetor 2024
    Oleksandr Usyk, mbetet ‘mbreti’ i ringut. Kështu 37-vjeçari arrin ta mbrojë titullin e kampionit të botës në kategorinë e rëndë. Ai ka...
    Kronika22 Dhjetor 2024
    Dikush dyshohet se i ka dëmtuar disa vazo të luleve nga mermeri të varrezave të cilat gjenden në rrugën magjistrale Prishtinë më...
    Vip22 Dhjetor 2024
    Banorët e Big Brother VIP Kosova 3, Sara dhe Driloni sa shkon e po afrohen më shumë bashkë. Në orët e vona...
    Lajme22 Dhjetor 2024
    Festat e fundvitit kanë rritur edhe çmimet në treg. Kështu thonë qytetarët të cilët ankohen se çmimet e produkteve në prag të...
    Bota/Rajoni22 Dhjetor 2024
    Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump ka emëruar producentin televiziv britanik Mark Burnett si të dërguarin e tij të posaçëm në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.