Investimet e Trustit po bien poshtë e më poshtë.
Brenda periudhës, janar-korrik 2022, ky institucion ka humbur 161.7 milionë euro, raporton “Front Online”.
Andaj Adnan Jashari po kërkon që para se humbjet të thellohen akoma më shumë, qytetarëve t`u mundësohet të tërheqin 30 % të kursimeve të tyre pensionale.
Ai është prijës i Peticionit me nënshkrimet e 20 mijë qytetarëve për projektligjin për Trustin, që pritet të trajtohet në Kuvend në sesionin vjeshtor, i cili nisë më 12 shtator.
“Për shkak të gjendjes së rënduar, qytetarët po na shkruajnë çdo ditë dhe po na bëjnë presion që Projektligji të shkojë sa më parë në Kuvend për votim”, theksoi ai për “Front Online”.
Para se të arrijë në legjislativ, nisma duhet të kalojë nëpër jo pak faza.
“Nënshkrimet na janë pranuar si të sakta nga KQZ, tash procedurat tjera vazhdojnë me sesionin e ri vjeshtor. Procedurat janë si në të kaluarën, fillimisht i dërgohet pyetje qeverisë për këtë projektligj, pastaj shkohet në Komision Paralamentar, e në fund edhe në Kuvend për votim”, theksoi Jashari për “Front Online”.
Tërheqja e Trustit sipas ekonomistit Imer Raçi, do t`u ndihmonte kosovarëve t`i bëjnë ballë rritjes së çmimeve.
Inflacioni në vend aktualisht ka arritur në rreth 20 %.
“Çmimet sipas skenarit të renduar e kanë paraqitur bukën 90 centë, vajin 3.60 euro dhe naftën 4.00 euro. Kjo jetë përmes mbulimit të shpenzimeve nga paga është renduar tejmase andaj duhet stimuluar qytetarët përveç përmes rritjeve të pagave edhe përmes tërheqjes së kursimeve të tyre nga Trusti”, theksoi Raçi për “Front Online”.
Të këtij mendimi janë edhe deputetët e opozitës, Eliza Hoxha e Bekim Haxhiu.
Ky i fundit kishte inicuar një nismë të tillë në sesionin pranveror, por që s`ishte përkrahur nga grupi parlamentar i LVV-së që është shumicë në Kuvend.
Ndryshe, qeveria po synon t’i bëjë ballë inflacionit në Kosovë me një pako 150 milionëshe. Përmes saj është paraparë ndihmë për disa kategori.