×
  • Opinione
  • Opinione

    Populizmi i Ramës dhe fundi i “Ballkanit të Hapur”

    Xhelal Neziri
    22 Nëntor 2022

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mblodhi tërë kabinetin e tij qeverisës dhe më 14 tetor zbarkoi në Shkup. Ai erdhi për të mbajtur mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive, të dytën me radhë pas asaj të mbajtur në vitin 2017. Njëjtë si e para, edhe kjo e dyta u përcoll me protokolle e ceremoni dhe prodhoi plot 21 marrëveshje e memorandume të reja.

    Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në vitin 1993 janë nënshkruar gjithsej 37 marrëveshje, që kërkojnë ratifikim në parlamentet përkatëse. Me këto marrëveshje, të cilat pas ratifikimit i obligojnë shtetet t’i zbatojnë, janë rregulluar një sërë çështjes në interes të qytetarëve nga të dyja vendet – që nga kalimi i kufirit me letërnjoftime e deri te qasja drejt integrimeve evropiane. Të gjitha këto marrëveshje të rëndësishme janë nënshkruar para vitit 2013, pra para se Rama të vijë në krye të qeverisë shqiptare. Në kohën e tij janë nënshkruar vetëm tri marrëveshje të ratifikuara: për sigurim social (2016), për bashkëpunim në sferën e arsimit dhe shkencës (2016) dhe marrëveshja për themelimin e qendrave kulturore të ndërsjella (2019).

    Nga ana tjetër, ka gjithsej 41 memorandume, protokolle dhe marrëveshje që nuk i nënshtrohen ratifikimit, të cilat janë nënshkruar që nga viti 1993, por që zbatimi i tyre është në vullnetin e lirë të institucioneve të vendeve përkatëse. Të tilla janë edhe 5 dokumentet e nënshkruara në mbledhjen e parë, të përbashkët midis qeverisë së Shkupit dhe Tiranës, e mbajtur më 15 dhjetor në Pogradec të Shqipërisë. Nëse këtij numri i shtohen edhe 21 dokumentet e firmosura më 14 tetor në Shkup, të cilat njëjtë nuk i nënshtrohen ratifikimit, atëherë numri i tyre arrin në 62.

    Nëse të dyja mbledhjet prodhuan nënshkrime dokumentesh të paobligueshme për palët, të cilat harrohen menjëherë pasi të nënshkruhen, atëherë ku është interesi konkret i qytetarëve nga këto lloj takimesh? Te këto mbledhje, në fakt, nuk ka asnjë interes të përgjithshëm. Ka vetëm fotografime, folklorizëm patetik, popullizëm dhe propagandë. Është një mundësi e artë, sidomos e Ramës, që të shfaqë veten në një rol të burrështetasit rajonal, i cili në Shkup ndan leksione se si duhet ta ndryshojnë Kushtetutën për të ecur përpara drejt integrimit evropian, ndërsa në Shqipëri mendon se si të legalizojë paratë e pista nëpërmjet amnistisë fiskale. Në Shkup flet për demokratizimin e rajonit nëpërmjet projektit “Ballkani i Hapur”, ndërkohë që Shqipëria vazhdon të marrë kritika për përkeqësimin e gjendjes me lirinë e mediave. Në Shkup flet për vlerat evropiane që gjoja i ndajmë edhe ne në rajon, por Transparency International e rendit Shqipërinë në vendin e 110, bashkë me Bosnjë e Hercegovinën, si shtete me prani më të madhe të korrupsionit në Ballkan. Jo vetëm në Shkup, ai kudo jashtë Shqipërisë flet me sofizma, me fjali të gatshme e të bukura, që u ngjajnë poezive, por që në thelb janë popullizëm bosh.

    Në konferencën për shtyp me homologun e tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, Rama theksoi edhe rëndësinë e nismës së Ballkanit të Hapur. Tre ditë pas që të dy udhëtuan në Beograd për samitin  e radhës së kësaj iniciative. E themeluar në vitin 2019 në Novi Sad nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Rama dhe ish-kryeministri maqedonas Zaev, Ballkani i Hapur duket se nuk ka arritur asnjë nga synimet e saja: nuk ka përmbushur parimin gjithëpërfshirës, pasi ende nuk ka bindur tri shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkëngjiten, ndërkohë që nuk ka siguruar gati asnjë nga katër lëvizjet evropiane. Fluksi i mërgimtarëve verës dhe pritjet e gjata të tyre në kufijtë e rajonit i demantuan të gjitha dokumentet e nënshkruara me pompozitet në samitet e deritashme të kësaj nisme. Linjat e gjelbra për lëvizjen e mallrave në vendkalimet kufitare kanë vetëm tabelat, por në thelb janë jofunksionale. Gati asnjë marrëveshje nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, e që ishin në interes të qytetarëve të rajonit.

    Njëjtë si mbledhjet e përbashkëta midis qeverive, që prodhojnë dokumente që nuk respektohen, edhe Ballkani i Hapur duket se shërben vetëm si skenë për defilime propagandistike. Tashmë kur kancelari gjerman Olaf Scholz, si pasardhës i Merkelit, mblodhi në Berlin krerët e Ballkanit Perëndimor që t’ua bëjë me dije se Procesi i Berlinit vazhdon më fuqishëm dhe me më shumë fonde zhvillimore, Ballkani i Hapur shfaqet si një nismë gjysmake, e zbehtë, pa rezultate dhe që shërben vetëm për të kënaqur ambiciet për protagonizëm rajonal të dyshes Rama-Vuçiq.

    Nëse një veprim politik vlerësohet nga rezultatet që jep, atëherë Procesi i Berlinit del nisma e vetme që ka prodhuar përfitime për qytetarët. Përveç përfshirjes të gjashtë shteteve ballkanike si të barabarta, kjo nismë prodhon dokumente që u nënshtrohen ratifikimit, e që pas të prodhojnë biseda pa roaming, nxitjen e bashkëpunimit midis të rinjve, projekte konkrete në fusha të ndryshme, menaxhim i përbashkët i pandemisë, i krizës energjetike, njohjen e diplomave, lejeve etj. Së këndejmi duhet thënë publikisht se Ballkani i Hapur dhe mbledhjet e përbashkëta ndërqeveritare janë vetëm aktivitete propagandistike, për kosnum të brendshëm politik, nga të cilat qytetarët nuk kanë asnjë përfitim.

     

    Nga Rubrika
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Opinione06 Janar 2025
    Nga Hisen Berisha: Refuzimi i Kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë Speciale dhe institucioneve shtetërore shfaq një problem më të thellë sesa një mosmarrëveshje...
    Të tjera
    Vip08 Janar 2025
    Këngëtarja e njohur, Fjolla Morina është goxha aktive në rrjetet sociale, sidomos në Instagram. Ajo edhe sot ka publikuar disa fotografi, të...
    Lajme08 Janar 2025
    Nga shkurti, në Kosovë do të nisë imunizimi i djemve me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV), pasi një vaksinë e tillë nisi...
    Lajme08 Janar 2025
    Njohësi i ekonomisë, Shenoll Muharremi i ka publikuar disa të dhëna të importit të energjisë elektrike nga Kosova për vitin 2024. Muharremi...
    Vip08 Janar 2025
    Vullneti ka biseduar me Drenushën lidhur me protestën para një Xhamie në Prizren, kundër  festivalit  “DokuFest”. Ai rrëfeu ngjarjen që i kishte...
    Lajme08 Janar 2025
    Të mërkurën janë suspenduar tre zyrtarë policor. Njëri kolonel, tjetri major dhe një rreshter policor, ky suspendim sipas Policisë së Kosovës është...
    Lajme08 Janar 2025
    Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen në hapjen zyrtare të fushatës së PDK-së....

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.