×
  • Opinione
  • Opinione

    Politika e jashtme e Trumpit II

    Enver Hasani
    22 Korrik 2024

    Shkruan: Enver Hasani

    Në administratën Trump II, Ballkani do ta ketë statusin e çështjes rutinë që mund të menaxhohet në nivel burokratik dhe administrativ, për shkak se kornizat e përcaktuara juridike dhe ndërkombëtare të vendeve të Ballkanit mund të ndryshojnë pak, pa ndonjë ndryshim tektonik të raportit të forcave në planin global. Për rrjedhojë, nxitës të tjerë do të ofrohen për futjen e Ballkanit në agjendën globale të SHBA-së dhe aleatëve të saj, duke i shtyrë vendet e këtij rajoni për të kërkuar më me ngulm gjetjen e zgjidhjeve për problemet që kanë brenda kontinentit të vjetër. Kosova, ndërkaq, duhet ta ketë parasysh këtë situatë dhe të kërkojë vendin që i takon.

    Rreshtat në vijim analizojnë politikën e jashtme që pritet të ndjekë administrata potencialisht në ardhje e ish-presidentit amerikan Trump, së cilës në vijim i referohemi si Trump II. Analiza bazohet në një dokument publik të një “think-tanku” amerikan konservativ, “The Heritage Foundation”, që mban titullin “Project 2025” (në vijim: “Projekti”). Sigurisht që nuk merremi me anën mikro-menaxhuese të Projektit, i cili, deri në detaje, jep udhëzime për lidershipin e ri konservativ amerikan. Ne prekim vetëm çështjen e sigurisë së fortë, që mund të lexohet përmes materializimit të saj në politikën e jashtme të një vendi. Projekti ka për qëllim ruajtjen e epërsisë amerikane në luftën për pushtet me akterët e tjerë ndërkombëtarë, në rend të parë me Kinën, së cilës i jepet epërsi kundrejt Rusisë dhe Evropës. Këto dy të fundit kanë një peshë dhe rol tjetër në gjeopolitikën amerikane, gjykuar sipas leximit tim të Projektit. Vlen të theksohet se shumëçka që gjendet në projekt është thënë e vazhdon të thuhet nëpër fushatën presidenciale nga ish-presidenti Trump, por ekzistojnë pjesë të tij dhe qasje që nuk janë të dukshme gjatë fushatës. Leximi im bazohet pikërisht në zonën e përhimtë në mes të faqeve të Projektit dhe fjalimeve të Trumpit nëpër fushata dhe ekrane televizive. Modeli i veprimit që propozohet në Projekt nuk dallon në thelb nga modelet e sjelljes së fuqive të mëdha në rendin ndërkombëtar, të cilat ngelin të njëjta që nga koha e Luftës së Peloponezit, siç e ka përshkruar ushtaraku dhe historiani Thucydides në shekullin V p.e.s. Sjellja e shteteve në marrëdhënie ndërkombëtare paraqet luftë për pushtet, ku shtetet balancojnë njëri-tjetrin. Çdo herë ekziston një shtet apo fuqi e jashtme që ka fuqi më shumë se të tjerët, që kërkon jo vetëm ruajtjen e epërsisë ndaj tjerëve në sistem, por edhe balancimin e raportit të forcave e realizon ashtu që mos të ketë një epërsi të një fuqie ndaj të tjerëve. I vetmi dallim është se në kohët moderne, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk ka më balancues klasik: fuqitë e mëdha, siç e thotë Henry Kissinger në “World Order” (2014), janë vetë pjesë përbërëse e balancimit të fuqisë së gjithmbarshme ndërkombëtare.

    Dy fjalë për Trump I

    Krahasuar me mandatin e parë, gjykuar sipas Projektit, qasja ndaj Rusisë dhe raporti me të, nuk pritet të kenë dallim. Rusia paraqitet si aktore e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare, por e një natyre tjetër krahasuar me Kinën. Kjo qasje diktohet për dy arsye – njëra imediate dhe tjetra lidhet me ankthin e sigurisë që e ka shoqëruar shoqërinë ruse nga dalja e saj në skenë si fuqi me peshë në sigurinë dhe baraspeshën evropiane të forcave. Arsyeja imediate lidhet me vlerësimin e saktë të administratës Trump I (por edhe kësaj në ardhje, me shumë gjasë), se Rusia e Putinit, nga frika për stabilitetin e brendshëm, është e gatshme të futet në aventura me vendet fqinje, për të demonstruar fuqi. Frika e Putinit ka qenë dhe mbetet kryesisht personale, lidhet me personin e tij: si një ish-oficer i KGB-së që ka shërbyer në perandorinë sovjetike, e ka pasur të pamundur ta absorbojë rrënimin e saj pa asnjë rezistencë dhe për këtë fajin ia hedh Perëndimit, ngjashëm siç kishte bërë Hitleri për Luftën e Parë Botërore, që tërë fajin e kishte hedhur te komploti ndërkombëtar i hebrenjve. Në përpjekje për ta rikthyer historinë, Putini i ka dhënë një kuptim tjetër, krejt përmbajtjesor, politikës së fqinjësisë së afërt (“near abroad policy”), sipas së cilës vendet e ish-perandorisë sovjetike bien në sferën e interesit dhe ndikimit gjeopolitik rus.

    Faktori permanent i pasigurisë ruse

    Politika e fqinjësisë së afërt ka gjetur arsyetimin e vet në pasigurinë ruse si pasojë e konfiguracionit të saj gjeografik: vend i rrafshët, hapësirë pafund, me pak male si mbrojtje, për pasojë pre e pushtimeve të huaja – atyre mongole nga jugu dhe nga perëndimi, atyre evropiane. Kjo na sjell tek arsyeja e dytë se përse në administratën Trump I qetësimi i Rusisë zuri një vend të rëndësishëm. Sado që mund të duket paradoksale, një qasje e tillë e Trumpit rrjedh nga njohja e thellë që administrata e tij ka ndaj problemit rus përgjatë dy shekujve të fundit, nga koha e daljes në skenë të Petrit të Madh, që krijoj Perandorinë Ruse më 1721. Që atëherë, politikat e jashtme e këtij vendi kanë qenë ekspansioniste, siç kanë qenë ato të fuqive të tjera të kohës. Për rrjedhojë, fuqitë perëndimore kanë balancuar Rusinë me kujdes dhe herë-herë në mënyrë brutale, përfshirë edhe detyrimin e saj për të shikuar kah Lindja për zgjerim territorial. Kjo ka lënë një shije të keqe dhe ka traumatizuar liderët rusë deri te Putini.

    Në fund të shekullit XVIII kur Napoleoni përmbysi raportet shoqërore në mbarë Evropën, duke rrëzuar dinastitë e saj gjithandej si dhe çdo trashëgimi të “ancien regime” në Francë, ushtria ruse e carit Aleksandri I po sulmonte kështjellën otomane Ochakov në jug të Ukrainës së sotme në Detin e Zi. Rrethimi i kështjellës ishte sinjali i parë serioz për politikat ekspansioniste ruse dhe synimin e saj për prishjen e raportit të forcave. Britania, si balancuesja e raportit evropian të forcave, për pak sa nuk hyri në luftë në anën e otomanëve. Sikur mos të ishte reagimi i opinionit publik dhe demokracia britanike, vendi do të ishte futur në luftë. U ndoq një tjetër rrugë për ruajtjen e raportit të forcave: forcimi i otomanëve. Pas vizitës së ekspertëve britanikë në vendin e betejës, ata kishin konstatuar se otomanët ishin larg prapa çdo zhvillimi teknologjik evropian dhe duheshin mbështetur për të zënë hapin. Kjo kërkonte ristrukturimin e ushtrisë dhe vendimmarrjes politike në Perandorinë Otomane, proces që nis në fillim të shekullit në vijim dhe njihet si Tanzimati. Kjo qasje britanike – si një shtet balancues, rol që britanikët e kanë mbajtur deri më 1945 – u bë në emër të krejt Evropës. Si strategji ka qenë veçori e politikës evropiane përgjatë tërë kohës deri më sot. Njëjtë vlen edhe për Rusinë, e cila çdo herë ka rivalizuar me evropianët, të cilët, pas luftërave të Napoleonit detyruan carin rus të kërkonte zgjidhje për politikat e tij ekspansioniste në Lindje, në dëm të vendeve në brezin tokësor të asaj që gjeostrategu britanik, Halford Mackinder, e ka quajtur zemërtokë (me kuptim masën tokësore euro-aziatike). Për ta neutralizuar këtë ndikim rus në zemërtokën dhe brezin e saj lindor dhe juglindor, perëndimorët, krahas mbështetjes për modernizimin e Perandorisë Otomane, më pas edhe të Republikës së Turqisë, kanë ushtruar ndikim të njëjtë edhe në vendet e tjera të Lindjes së Largët. Ka qenë pikërisht kjo mbështetje perëndimore që ka çuar në fitoren japoneze ndaj rusëve më 1905: përgjatë tri dekadave të mëparshme, Japonia kishte arritur më shpejt dhe në mënyrë më efektive se të tjerët ta rimodelojë politikën dhe ushtrinë e saj, sipas arritjeve teknologjike dhe modeleve politike perëndimore.

    Balancimi i Kinës kërkon ndarje të detyrave

    Ky model i balancimit të Rusisë në Lindje dhe Perëndim, ka qenë dhe mbetet, pak a shumë, konstantë e politikës së jashtme të Perëndimit, një kohë nën lidershipin britanik e më pastaj nën atë amerikan gjatë Luftës e Ftohtë. Fuqia që tani duhet balancuar dhe frenuar nuk është Rusia, por Kina. Këtë fakt historik e reflekton gjerësisht Projekti, me plot të drejtë. Ideja e tij është kjo: Evropa të merret me sigurinë e saj kurse Amerika me Kinën. Kjo paraqet një ndarje të re të detyrave në mes të aleatëve euro-atlantikë, jo shenjë dobësie e Amerikës dhe aleatëve të saj. Politika e jashtme kineze, konstante pa asnjë dyshim, synon kontrollin e rrugëve detare që kalojnë nga Paqësori Perëndimor – përmes deteve të Kinës Lindore dhe Jugore – në Oqeanin Indian. Këtë e kanë bërë të qartë kinezët kaherë në projektin e tyre “Belt and Road Policy”. Projekti, në fakt, është përgjigje e qartë ndaj synimit kinez për dominim të këtyre rrugëve, ku kalon pjesa dërmuese e tregtisë dhe biznesit të botës. Brezi tokësor i zemërtokës tani është arenë balancimi dhe lufte për pushtet ndërkombëtar vetëm në anën juglindore dhe lindore të masës euro-aziatike, me fillim nga India deri në Japoni. Kjo shpjegon pse Pakistani nuk e ka më peshën që ka pasur dikur, as Afganistani nuk përbën më rrezik për Amerikën dhe aleatët e saj, si dikur. Ngritja e shpejtë e Kinës dhe tendencat e saj për ngacmim, si mënyrë dominimi dhe zgjerimi të ndikimit politik, ka diktuar këtë rëndësi të këtij brezi tokësor të vendeve euro-aziatike. Vendet në perëndim të Kinës deri te kufijtë e Rusisë mbeten jashtë dinamikave të balancimit të pushtetit në mes të Kinës dhe SHBA-së e aleateve të saj. Kjo bën që, gjykuar sipas Projektit, një model i luftës së ftohtë në mes të SHBA-së dhe Kinës pritet të shpërfaqet, por shumë më i ndryshëm nga pararendësi. Tani, gjithnjë gjykuar sipas Projektit, Evropës do t’i duhet të përkujdeset më shumë për veten dhe sigurinë e saj në raport me Rusinë, sepse ka mjaft resurse: lufta në Ukrainë ka dëshmuar se Rusia nuk mund të projektojë forcë të madhe për t’i përmbysur regjimet demokratike të vendeve ish-komuniste në periferi të saj. Në këtë kuptim, do të ketë një luftë të ftoftë në mes të Evropës dhe Rusisë, me kuptim balancimin reciprok. Me shumë gjasë mbyllja luftës në Ukrainë do të krijojë një Berlin tjetër – pa mur e tela me gjemba – në pjesë të caktuara të juglindjes dhe lindjes së Ukrainës.

    Rivaliteti me Kinën është betejë për ruajtjen e epërsisë amerikane në botë. Kur Trumpi thotë se do ta ndalë luftën në Ukrainë, ai mendon në largimin e Putinit nga aleanca me Kinën. Kjo kërkon koncesione ndaj Rusisë. Mbetet të shihet se cilat koncesione i ofron administrata Trump II për një gjë të tillë. Është e sigurt se përtej krijimit të zonave autonome në juglindje dhe lindje të Ukrainës si dhe garancive që Ukraina nuk do të shërbejë si trampolinë për destabilizim të Rusisë, asnjë tjetër garanci nuk mund t’i jepet. Kjo për faktin se një gjë e tillë do të përbënte humbje e epërsisë amerikane dhe rritje e masës së fuqisë ruso-kineze në planin ndërkombëtar. Koncesionet, si më sipër, mjaftojnë për restaurimin e dinjitetit rus në marrëdhëniet ndërkombëtare: në një rast të tillë, evropianët dhe SHBA-ja do ta rikthenin Rusinë në rolin e saj si aktore e përgjegjshme e sigurisë ndërkombëtare. Këtë e kanë bërë perëndimorët me Gjermaninë dhe Japoninë pas Luftës së Dytë Botërore dhe me Francën pas luftërave të Napoleonit. Rikthimi i Rusisë kah Evropa dhe Perëndimi domosdo që është krejt e ndryshme me Kinën, e cila, në luftën për pushtet ndërkombëtar mund të mobilizojë larg më shumë resurse se Rusia. Fundja, gjeopolitika kineze, jo ajo ruse, bie ndesh me interesat vitale ekonomike të SHBA-së dhe perëndimorëve, sepse mëton kontrollin e arterieve kryesore të tregtisë dhe biznesit botëror. Në një ballafaqim në mes të Kinës dhe SHBA-së, që pritet të ndodhë me Trump II, pak ka gjasë që vendet “aleate” të Kinës në BRIKS të anojnë kah ajo: edhe po të donte Kina t’i kontrollonte fizikisht arteriet në fjalë, resurset e saj nuk janë të mjaftueshme për një gjë të tillë. E vetmja është flota amerikane ajo që patrullon pa vështirësi ujerat e deteve dhe oqeaneve të botës. Konfrontimi ushtarak në Detin e Kinës Lindore dhe Jugore më së shumti do të dëmtonte vetë kinezët. Kjo sepse ekonomia e saj në tërësi varet nga tregtia dhe biznesi me Perëndimin. Të dhënat tregojnë se tregtia dhe biznesi brenda vendeve të BRIKS është e papërfillshme, siç është edhe efekti i politikës kineze “Belt and Road”. Kliringu, një variant i të cilit është BRIKS, ka pasur sukses në krijimin e dy rendeve ndërkombëtare, sepse perandoria sovjetike ka pasur forcë të mjaftueshme për mirëmbajtjen e rendit ndërkombëtar socialist që kishte krijuar. Kina nuk e ka këtë fuqi, sepse pozita e saj gjeopolitike ndërkombëtarisht mbështetet në vullnetin e vendeve të caktuara të Jugut Global, të cilat ndihen të ekspolatuara nga Perëndimi. Ndjenjat nuk prodhojnë forcë fizike. Kina, për rrjedhojë, do të detyrohet në ruajtjen e status quos dhe zhvillim evolutiv të fuqisë së saj ndërkombëtare, krejt si rezultat i epërsisë së konsiderueshme amerikane në planin ndërkombëtar, jo vetëm për ta frenuar fuqinë kineze, por edhe për ta diktuar tempin e zhvillimit të saj të gjithmbarshëm.

    Ballkani, krejt në periferi të ngjarjeve

    Sikur në të gjitha periudhat e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në dy shekujt e fundit, Ballkani nuk ka qenë vendimmarrës politik në marrëdhëniet ndërkombëtare, por objekt mbi të cilin është vepruar. Asnjëherë brezi tokësor i juglindjes së Evropës nuk ka qenë arenë e konfrontimeve afatgjata në mes të fuqive të mëdha: lufta civile në Greqi pas Luftës së Dytë Botërore ka zgjatur pak vjet dhe është mbyllur shpejt, duke qenë vetëm një dridhje dhe efekt refleksiv i marrëveshjes së Jaltës (1945) për ndarjen e sferave të interesit në mes të fuqive të mëdha të kohës. Në administratën Trump II, Ballkani do të ketë statusin e çështjes rutinë që mund të menaxhohet në nivel burokratik dhe administrativ, për shkak se kornizat e përcaktuara juridike dhe ndërkombëtare të vendeve të Ballkanit mund të ndryshojnë pak, pa një ndryshim tektonik të raportit të forcave në planin global. Për rrjedhojë, nxitës të tjerë do të ofrohen për futjen e Ballkanit në agjendën globale të SHBA-së dhe aleatëve të saj, duke i shtyrë vendet e rajoni për të kërkuar më me ngulm gjetjen e zgjidhjeve për problemet që kanë brenda kontinentit të vjetër. Kosova, ndërkaq, duhet ta ketë parasysh këtë situatë dhe të kërkojë vendin që i takon.

    (Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

    Nga Rubrika
    Opinione22 Nëntor 2024
    GJNP ka nxjerrë urdhër-arreste kundër kryeministrit të Izraelit Netanjahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Gallant. Çfarë do të thotë kjo dhe çfarë pasojash...
    Opinione21 Nëntor 2024
    Nga Hisen Berisha: Kështu veprojnë tradhtarët e të shiturit tek armiqtë e vendit. Në një shtet të konsoliduar me sistem juridik të...
    Opinione20 Nëntor 2024
    Shkruan: Bekim Çollaku Fitorja e presidentit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka ndezur një debat...
    Të tjera
    Lajme23 Nëntor 2024
    Kryetari i Forumit Rinor të LDK’së, Paris Guri ka reaguar pas raportimeve se Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka bërë pezullimin e...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO-s është dëshirë e hershme, pasi një herë...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Ferizaji....
    Sport23 Nëntor 2024
    Bayer Leverkusen me përmbysje e ka mposhtur Heidenheim, me rezultat 5-2, të shtunën në kuadër të javës së 11-të të Bundesligës gjermane....
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka thënë se vendi i tij mbështet heqjen e pjesshme të masave të BE-së ndaj...
    Lajme23 Nëntor 2024
    Ende pa u bërë një javë prej kur në media u raportua për grantin rreth 100 mijë euro që ministria e Bujqësisë,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.