Rreth 140 vjet pasi pëllumbi fazan me qafë të zezë u pa për herë të fundit nga shkencëtarët, studiuesit kanë “rizbuluar” zogun e rrallë.
Pas një muaji kërkimi, një ekip në shtator kapi pamjet e specieve thellë në pyllin e një ishulli të vogël pranë Papua Guinesë së Re.
Ndjenja ishte si “të gjeje një njëbrirësh”, tha bashkëdrejtuesi i ekspeditës, John Mittermeie.
Anëtarët e ekipit kishin tentuar edhe më 2019 të gjenin pëllumbin e madh që banonte në tokë, por nuk gjetën asnjë gjurmë të zogut.
Ekspedita e vitit 2022 dukej se po shkonte në mënyrë të ngjashme, derisa ekipi arriti në fshatrat në shpatin perëndimor të malit Kilkerran – maja më e lartë e ishullit.
Një vendas në veçanti ofroi një drejtim premtues. Ai raportoi se e kishte parë disa herë pëllumbin fazan në një zonë me kreshta dhe lugina të pjerrëta dhe përshkroi se kishte dëgjuar thirrjet dalluese të zogut.
Studiuesit vendosën kamera në zonë dhe përfundimisht kapën zogun vetëm disa ditë përpara se ekipi të largohej nga ishulli.
“Ndërsa po lëvizja nëpër foto, u mahnita nga kjo foto e këtij zogu që po kalonte pranë kamerës sonë”, tha studiuesi i Universitetit Cornell, Jordan Boersma. /Klankosova.tv