Partia Demokratike e Kosovës ka lajmëruar se gjatë ditës së sotme do të mbajë një konferencë për media.Kjo është bërë të ditur përmes një njoftimi të dërguar të shtunën nga kjo parti.“Partia Demokratike e Kosovës në Prishtinë do të mbajë konferencë për shtyp nesër 18 tetor”, thuhet në njoftim.
PDK nuk ka njoftuar për arsyet e kësaj konference, ndërkohë, kjo parti ka mbajtur një konferencë edhe të shtunën, ku ka kritikuar Qeverinë Hoti për shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, drejtorin e ATK’së dhe atë të Doganave.
Nënkryetari i partisë, Shaqir Totaj, ka thënë se shkarkimet politike që ka bërë kryeministri Avdullah Hoti janë cenim i rëndë i institucioneve të pavarura dhe precedent i rrezikshëm për kapjen e institucioneve vitale.“Sjellja e kësaj qeverie e ka goditur njërën prej të arriturave më të mëdha 20 vjeçare të qeverisjes në Kosovë – ‘mos hakmarrjen politike’ ndaj institucioneve të pavarura, pavarësisht cila parti ka qenë në pushtet”, tha Totaj.
“Është për keqardhje që asnjë nga ambasadat e huaja, veçmas ajo e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, që ka qenë e përfshirë në përzgjedhjen e shumë drejtuesve të institucioneve të pavarura, nuk ka reaguar ende dhe po vazhdon të heshtë”, tha Totaj.Totaj e ka lidhur shkarkimin e Qalajt me arrestimin e Haki Rugovës së LDK’së, duke e quajtur këtë akt hakmarrës ndaj institucioneve të zbatimit të Ligjit.