Shkruan Safet Gërxhaliu
Në Kosovë shumë më tepër flitet për zhvillim ekonomik se sa që bëhet për të përmirësuar ambientin biznesor. Duhet ta kemi parasysh se emëruesi i përbashkët duhet t’i zgjidh të gjitha problemet e që në këtë drejtim është sundimi i rendit dhe ligjit. Ajo çka vlen të theksohet është një heshtje dhe politizim i ekonomisë dhe në këtë drejtim duhet të kuptohet se heshtja është krimi më i madh.
Fatin e zhvillimit ekonomik sot në Kosovë shumë më tepër e kanë organizatat joqeveritare dhe patriotët ambientalë të cilët në emrin e këtij patriotizmi e dëmtojnë çdo pore të shoqërisë kosovare sa i përket investimeve në prodhim. Çuditërisht brenga më e madhe është se bëhet presion te kompanitë që pretendojnë të investojnë në prodhim. Në qoftë se një shtet edhe më tutje e vazhdon avazin e eksportimit të parasë së gatshme dhe e përmirëson strukturën e prodhimit dhe bilancin e pagesës, atëherë përfundimisht po e forcon varfërinë.
Jemi dëshmitar të asaj se mafia ballkanike e lidhur me tregtarë dhe politikën është rreziku më i madh dhe në këtë drejtim në emër të patriotizmit ambiental po largohen shumë investitorë potencialë nga Evropa dhe vendet e rajonit.
Po ashtu jemi dyshimtar të asaj që sot në këtë kohë krize Kosova është e varur nga importi i energjisë elektrike dhe shtrohet pyetja: Si është e mundur të importosh energji elektrike kur ke rezervat më të mëdha të thëngjillit në botë?
Është për tu habitur që shumë kompani të cilat destinacion e kanë pasur Kosovën janë larguar mu nga këta patriotë dhe sot këtë patriotizëm ambiental të prodhuar në Kosovë janë duke e shfrytëzuar vendet e rajonit, sidomos Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Paramendoni paradoksin e kohës, sot në Serbi keni 400 kompani gjermane, ka investime afër 4 miliardë euro, janë diku 89 mijë vende të punës, dhe qarkullimi treguar mes Gjermanisë dhe Serbisë është afër 5 miliardë euro.
Sot në Kosovë është vështirë të numërosh dy apo tre investitorë të huaj, sepse mu kjo lidhje mes krimit, shoqërisë civile, patriotëve ambientalë dhe lobistëve të ndryshëm që depërtojnë në Kosovë në mënyrë direkte, indirekte dhe periferike janë duke e ngufatur ardhmërinë e këtij vendi. Besoj se është momenti kur Ministria e Tregtisë, Agjencioni i Investimeve, Odat Ekonomike dhe shumë akterë relevantë ta ngritin zërin kundër kësaj dukurie. Nëse për përfitime të vogla të grupeve të interesit po dëmtohen investimet dhe ardhmëria ekonomike e Kosovës, është koha kur liderët politikë të ngrihen mbi interesat e partive politike dhe mbi interesat e grupeve të caktuara të interesit, të mendojnë më tepër për shtet dhe jo vetëm për pushtet dhe zhvillimi ekonomik të jetë prioritet i prioriteteve. Por nëse edhe më tutje do të ngufatën projektet madhore të cilat kanë rendësi ekonomike, politike, gjeostrategjike, sociale, integruese por edhe psikologjike atëherë do të kemi një ardhmëri ekonomike të zymtë.
Është koha për veprim, sepse heshtja është krimi më i madh. Në këtë drejtim kam drojën që këtë heshtje institucionale dhe këtë paralizim të kritikës së argumentuar po e shfrytëzojnë këta patriotë dhe po e cenojnë ekzistimin e shtetit të quajtur Republika e Kosovës.
Sot teknologjia ka avancuar në përmasa të mëdha. Dhe ekzistojnë teknologji moderne të cilat janë garantuese të mbrojtjes së ambientit, mirëpo si duket preteksti për mbrojtje të ambientit nga patriotët ambientalë është shumë më tepër për t’i mbrojtur grupet e caktuara të krimit që janë të lidhura me politikën sesa që është argumentim i vërtet që kinse po cenohet ambientalizmi në Kosovë.
Shtetet me të zhvilluara në botë përdorin kanalizimet për filtrim për prodhimin e ujit të pijes dhe në këtë drejtim besoj se shumë më tepër janë këto qarqe të patriotëve ambientalë të politizuara se nëse nuk e bëjnë vetë këtë projekt nuk e lënë ta bëjë askush tjetër dhe kështu po dëmtohet Kosova. Pra, është koha e fundit kur duhet shteti të reagojë dhe të eliminohet nga diskursi i debatit me investitorë fjalia ‘ku jam unë në këtë projekt’.