×
  • Opinione
  • Opinione

    Paqja e demokracia kërkojnë mposhtjen e industrisë së gënjeshtrave të Putinit

    Josep Borrell
    19 Shkurt 2023

    Nga Josep Borrell

    Të martën e kaluar, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) organizoi në Bruksel një konferencë të rëndësishme mbi manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjen e huaj, me pjesëmarrjen e shumë ekspertëve ndërkombëtarë. Me këtë rast, nënvizova rëndësinë e luftës kundër “industrisë së gënjeshtrave” të Putinit për të ardhmen e paqes dhe demokracisë, jo vetëm në BE, por edhe në mbarë botën.

    “Kremlini ka krijuar një industri të fuqishme manipulimi për t’i penguar njerëzit të kuptojnë se çfarë po ndodh dhe për ta hedhur fajin tjetërkund”.

    Në një kohë kur lufta është rikthyer në Evropë, kur Ukraina numëron dhjetëra mijëra viktima dhe miliona refugjatë, ne bëjmë gjithçka mundemi për ta ndihmuar Ukrainën të mbrohet dhe të rifitojë sovranitetin e saj të plotë. Lufta e Ukrainës për liri nuk ka të bëjë vetëm me evropianët, por ka të bëjë me të gjithë njerëzit në mbarë botën. Është një luftë në mbrojtje të së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave themelore, për të cilat të gjitha vendet kanë nënshkruar Kartën e Kombeve të Bashkuara.

    Putini jo vetëm që filloi luftën, por ka krijuar gjithashtu një industri të fuqishme gënjeshtrash.

    Në këtë kontekst, ne duhet të mbrojmë BE-në dhe botën nga industria e mashtrimit të Putinit. Putini jo vetëm që filloi luftën, por ka krijuar gjithashtu një industri të fuqishme manipulimi për t’i penguar njerëzit të kuptojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë, për t’i bërë të dyshojnë për gjithçka dhe për ta hedhur fajin tjetërkund. Përpjekjet e Kremlinit për manipulimin e informacionit janë globale dhe funksionojnë në një shkallë industriale. Ato janë një instrument vendimtar i kësaj lufte.

    Bombat e Putinit vrasin njerëz në Ukrainë, ndërsa industria e tij e manipulimit të informacionit sulmon mendjet e njerëzve në Rusi dhe në mbarë botën. Po përpiqet t’i çorientojë ata që të mos kuptojnë se kush është përgjegjës për vrasjet, për faturat e energjisë elektrike që nuk mund t’i paguajnë, për vështirësitë ekonomike me të cilat përballen dhe për urinë që është përkeqësuar për shkak të luftës që vetë Rusia nisi. Putini po synon në mënyrë cinike të mashtrojë njerëzit që të besojnë se “forca ka të drejtë” dhe se autokratët mund t’ia hedhin pa u ndëshkuar për mizoritë e kryera. Afrika është një nga objektivat kryesore të kësaj “industrie të gënjeshtrave”, por e shoh edhe kur shkoj në Amerikën Latine dhe Azi. Këto çështje i diskutuam në konferencën “Përtej dezinformimit”, të cilën e organizoi EEAS, duke mbledhur ekspertë të njohur ndërkombëtarë për të debatuar se si t’i përgjigjemi sa më mirë kërcënimeve që vijnë si shkak i manipulimit të informacionit dhe i ndërhyrjeve të huaja.

    Ne kemi ndërmarrë tashmë shumë hapa për t’u mbrojtur nga ky kërcënim. BE-ja ka prezantuar masa kufizuese kundër industrisë së mashtrimit të Kremlinit, e cila vepron brenda Bashkimit Evropian. Mediat që ka krijuar dhe mobilizuar Kremlini si pjesë e përpjekjeve të tij për luftë nuk po veprojnë në përputhje me kodin etik ndërkombëtar të gazetarisë: ato janë mjete propagande.

    Gazetaria reale, profesionale dhe e pavarur mbrohet dhe do të mbrohet gjithmonë në BE. Dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë kudo në botë. Informacioni i saktë është karburanti i demokracisë. Pa qasje në fakte dhe media të pavarura, demokracia vyshket dhe zgjedhjet pengohen. Kjo është arsyeja pse nuk duhet ta trajtojmë këtë si një çështje komunikimi: siç edhe thashë në fjalimin tim, kjo është një çështje politike që duhet ta trajtojmë politikisht, në nivelin më të lartë. Në konferencë, paraqita Raportin e parë të EEAS-së mbi manipulimin e informacionit dhe kërcënimet e huaja për ndërhyrje, të cilin sapo e kemi publikuar. Ai tregon saktësisht se si Rusia ka mobilizuar burime për të shtrembëruar sistematikisht realitetin, për të hedhur fajin tjetërkund dhe për të larguar vëmendjen nga pushtimi i saj ushtarak në Ukrainë. Raporti gjithashtu konfirmon se ka një valë të re teknikash dezinformimi dhe dokumenton bashkëpunim shqetësues midis aktorëve si Rusia dhe Kina.

    Kemi nevojë për analiza më të mira dhe reagime të përshtatura në mënyrë më të kujdesshme.

    Në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e BE-së, shtetet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, EEAS ka qenë mjaft aktiv për këto çështje që nga viti 2015. Sidoqoftë, duhet të ecim më tej me analiza më të mira dhe përgjigje të përshtatura në mënyrë më të kujdesshme. Për këtë, do të krijojmë Qendrën e Ndarjes dhe Analizës së Informacionit për të mbledhur informacion mbi dezinformimin dhe kërcënimet e huaja për manipulimit e informacionit. Qendra do të rrisë kapacitetet tona për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe do të sigurojë që mund t’i mbrojmë në mënyrë më efikase demokracitë tona. Ne kemi nevojë të punojmë edhe më ngushtësisht me partnerët tanë anembanë globit dhe të jemi më aktivisht të pranishëm në gjuhët lokale në pjesë të ndryshme të botës. Jam në kërkim të opsioneve për të garantuar që zëri i BE-së të dëgjohet më mirë.

    Nga Rubrika
    Opinione08 Janar 2025
    Kushtëzimi i certifikimit të Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet dhe institucionet e Kosovës me njohjen e shtetit, simboleve dhe dokumenteve të...
    Opinione07 Janar 2025
    Nga Adri Nurellari  Vendimi për të ndaluar “TikTok”-un në Shqipëri është një shfaqje e ludite e ngutshme dhe e cekët, që shmang...
    Opinione06 Janar 2025
    Nga Hisen Berisha: Refuzimi i Kryeministrit Kurti ndaj Prokurorisë Speciale dhe institucioneve shtetërore shfaq një problem më të thellë sesa një mosmarrëveshje...
    Të tjera
    Lajme09 Janar 2025
    Në gjykimin ndaj Arton Sekiraqës, Flamur Mulit, Xhevdet Salihut dhe Fitim Munishit, dëshmitari Gzim Tërnava, i cili njëherësh ka hetuar rastin si...
    Vip09 Janar 2025
    Shtëpia më e famshme në gjithë shqiptarinë, Big Brother VIP Kosova 3, ka marrë ‘flaakë’ nga një debat patriotizmi mes dy drenicakëve....
    Sport09 Janar 2025
    Al Nassr ka arritur të përmbys rezultatin dhe tani po avancon 2:1 ndaj Al Okhdood. Ishte Cristiano Ronaldo i cili shënoi nga...
    Vip09 Janar 2025
    Debati për çmimin final të Big Brother VIP Kosova ka vazhduar tutje, teksa Driloni shpërtheu ndaj Vullnetit duke e cilësuar si nxitës...
    Vip09 Janar 2025
    Debati i ashpër për çmimin e madh që përfshiu të gjithë banorët e shtëpisë nuk kaloi pa ofendime. Kësisoj, ishte Xheneta ajo...
    Lajme09 Janar 2025
    Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka komentuar vendimin e VV-së për t’i bojkotuar debatet zgjedhore në T7, Klan Kosova e RTV Dukagjini....

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.