Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar propozim-buxhetin për vitin 2023, i cili kap vlerën prej 32 milionë e 599 mijë euro, raporton Front Online.
Drejtori i Financave në këtë komunë, Riad Rashiti, në një prononcim për Front Online, ka treguar se si është planifikuar buxheti i përgjithshëm i Komunës së Gjilanit për vitin 2023.
“Buxheti i përgjithshëm për vitin fiskal 2023 është planifikuar sipas Qarkorës Buxhetore 2023/01 dhe 2023/02 për Komuna, në kufijtë buxhetor në shumë prej 32.599.281,00 € apo për 3,524,002 rritje të buxhetit në krahasim me vitin aktual 2022. Kjo rritje vjen nga Grandi i Buxhetit të Kosovës për 3,041,470 euro dhe 482,532 euro nga rritja e planifikimit të të hyrave vetanake të komunës.Pra nga këto dy burime të financimit për buxhetin e komunës për vitin 2023 janë:Granti i BKK-së në shumë prej 27.646.695,00€ dhe të hyrat vetanake që për këtë vit planifikohen të jenë 4.952.586,00 €”, ka cituar Rashiti .
Nga kjo shumë, sipas Rashitit, për subvencione janë planifikuar 1,195,000 euro, ndërkaq për investime kapitale – 8,435,158 euro.
Ai ka theksuar rëndësinë e miratimit të këtij buxheti për qytetarët e Gjilanit, duke thënë se ky buxhet do të jetë i orientuar në tri aspekte.
“Ky buxhet i planifikuar për vitin 2023, është i orientuar në tri aspekte. Zgjidhjen e problemeve elementare me të cilat ende përballen qytetarët e Gjilanit dhe kategori të ndryshme të shoqërisë sonë”, ka thënë Rashiti.
Sipas tij, rëndësi të veçantë do t’i kushtohet infrastrukturës, shëndetësisë dhe arsimit.
“Do të angazhohemi tek infrastruktura, për ujësjellës, kanalizim, trotuare, ndriçim, për qentë endacak dhe mirëmbajtje. Në shëndetësi, për furnizimin e rregullt me barna esenciale dhe shërbime të reja për pacientët. Në arsim, investime në efiçiencë elektrike, për sistem të ngrohjes, laboratorë e kabinete të ndryshme në shkollat e Gjilanit”, ka cituar ai.
Drejtori i Financave në Gjilan: Në buxhet kemi paraprë edhe shërbime për pensionistët
Rashiti ka përmendur edhe pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara, si pjesë e planifikimit buxhetor.
“Për pensionistët do të ketë ekip të veçantë për vizita mjekësore, me furnizim të rregullt të barnave si dhe për personat me aftësi të kufizuara, financim të qëndrueshëm për nevojat dhe aktivitetet e tyre, në infrastrukturë, shërbime, subvencionim dhe në ato më elementare, si qasje në informim të saktë dhe me kohë”, ka thënë Rashiti.
Ai ka treguar për Front Online se për herë të pare, Gjilani ka filluar të praktikojë interpretimin e gjuhës së shenjave, për personat e shurdhër.
Rashiti ka theksuar se buxheti komunal do të ketë orientim edhe me bashkëfinancim të projekteve nga donatorët e ndryshëm.
Rashiti për Front Online ka treguar bashkëpunimin që kanë me Vetëvendosjen, në bashkëqeverisje në komunën e Gjilanit.
“Bashkëpunimi në mes dy subjekteve politike që jemi në koalicion në Gjilan, është i mirë në punët që i përkasin qeverisjes komunale, për projektet që janë interes të qytetarëve tanë. Përvoja jonë si PDK në qeverisjen komunale, është përparësi që të kemi dinamikë më të madhe në realizimin e punëve dhe shërbimeve në institucionet lokale”, ka thënë Rashiti, duke shtuar se PDK po e bën më të mirën për t`i kryer punët që u takojnë.
Aliu i LDK-së: Në Gjilan nuk po punohet, ka vetëm punësime partiake
Por ndryshe nga Rashiti, mendon shefi i grupit të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu, e që sipas tij, në Komunën e Gjilani nuk është kryer ndonjë punë.
“Për të bërë vlerësime të qeverisjes së deritanishme duhet pasur bazë për vlerësim, pasi që nuk ka punë te kryera, nuk kemi edhe çka të vlerësojmë. Deri me tani kjo bashkëqeverisje është marrë vetëm se me rehatime të njerëzve të afërm të funksionarëve të koalicionit duke punësuar dhe duke dhënë subvencione dhe kjo është e gjitha e arritur e deritanishme. Pra , janë duke i barazuar pazaret e bëra për bashkëqeverisje, e që shpesh edhe po kanë probleme dhe nuk po munden të funksionojnë në këtë aspekt” ka thënë ai.
Aliu shton se seanca nuk organizohet siç duhet dhe se bashkëqeverisja e VV-së dhe PDK-së në Gjilan nuk është e qëndrueshëm.
“Një seancë nuk mund të organizohet siç duhet dhe ndodh që 4-5 herë një seancë nuk mund të mbahet duke e shtyrë për shkak të numrave. Bashkëqeverisja është artificiale, e paqëndrueshme dhe e bazuar në interesa personale dhe grupore e sa herë që këto interesa rrezikohen, ndodhin edhe problemet në organizim të punëve të kuvendit komunal dhe të komunës në përgjithësi”.
Tutje ai ka thënë se buxheti i ndarë për Komunën e Gjilanit nuk i përmbush kërkesat e qytetarëve të kësaj komune.
Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar të premten e 30 shtatorit propozim-buxhetin për vitin 2023 me vlerë prej 32 milionë e 599 mijë euro. Ky buxhet sigurohet nga granti qeveritar – 27,646,695 euro dhe të hyrat vetanake – 4,952,586 euro./Front Online