Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë njofton se themeloi komitetin e gastronomisë dhe turizmit me qëllim të adresimit të nevojave të këtyre sektorëve si në periudhën afatshkurtër, për fazën e rimëkëmbjes ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, ashtu edhe në atë afatgjatë.
Siç theksohet përmes një kumtese për media, anëtarët e komitetit zgjodhën kryesuesin e tyre, Erëmal Bajrami nga kompania KFC, i cili tha se është i gatshëm të udhëheq komitetin dhe të kontribuojë maksimalisht në mënyrë që ky komitet të realizoj objektivat e tij dhe të tejkaloj sa më shpejtë krizën ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.
“Përmes këtij komiteti do të harmonizohen kërkesat dhe qëndrimet konkrete të bizneseve anëtare të industrive përkatëse, të cilat synojnë të lehtësojnë ambientin e të bërit biznes në periudhën afatgjatë, disa prej të cilave përfshijnë uljen e TVSH-së për sektorin e gastronomisë, avokimin për themelimin e agjencive licencuese, si dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës sa i përket turizmit, mes të tjerash”, thuhet në njoftimin e OEAK-ut.
Aty thuhet se Komiteti i Gastronomisë dhe Turizmit do të shërbej si katalizator për gjenerimin e rekomandimeve konkrete tek institucionet qeveritare dhe të gjithë hisedarët tjerë.