Pothuajse 500 milionë njerëz do të vuajnë nga sëmundjet e zemrës, obeziteti, diabeti ose nga sëmundje të tjera jo të transmetueshme që lidhen me pasivitetin fizik, në periudhën midis viteve 2020 dhe 2030, duke krijuar kështu një kosto prej 27 miliardë dollarësh në vit, nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente për të inkurajuar më shumë aktivitet fizik në popullatat e tyre.
Raporti i statusit global për aktivitetin fizik në vitin 2022, i publikuar dje nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, mat shkallën në të cilën qeveritë po zbatojnë rekomandimet për të rritur aktivitetin fizik në të gjitha grupmoshat e popullsisë.
Të dhënat nga 194 vende tregojnë se, në përgjithësi, progresi është i ngadaltë dhe vendet duhet të përshpejtojnë zhvillimin dhe zbatimin e politikave që nxisin rritjen e nivelit të aktivitetit fizik. Në këtë mënyrë do të mund të parandalohen shumë sëmundje, duke zvogëluar barrën mbi sistemet tepër të mbingarkuara të kujdesit shëndetësor.
Më pak se 50% e vendeve kanë një politikë kombëtare për aktivitetin fizik, nga të cilat më pak se 40% janë operacionale.
Vetëm 30% e vendeve kanë udhëzime kombëtare për aktivitetin fizik për të gjitha grupmoshat.
Megjithëse pothuajse të gjitha vendet raportojnë se kanë një sistem për monitorimin e aktivitetit fizik te të rriturit, vetëm 75% e vendeve monitorojnë aktivitetin fizik tek adoleshentët dhe më pak se 30% monitorojnë aktivitetin fizik te fëmijët nën 5 vjeç.
Në fushat e politikave që mund të inkurajojnë transportin aktiv dhe të qëndrueshëm, vetëm pak më shumë se 40% e vendeve kanë standarde të projektimit të rrugëve që e bëjnë më të sigurt ecjen dhe çiklizmin.
“Ne kemi nevojë që më shumë vende të rrisin zbatimin e politikave për të mbështetur njerëzit që të jenë më aktivë përmes ecjes, çiklizmit, sporteve dhe aktiviteteve të tjera fizike. Përfitimet janë shumë të mëdha, jo vetëm për shëndetin fizik dhe mendor të individëve, por edhe për shoqëritë dhe ekonomitë,” tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtor i Përgjithshëm i OBSH-së. “Shpresojmë që shtetet dhe partnerët tanë do ta përdorin këtë raport për të ndërtuar një shoqëri më aktive, më të shëndetshme dhe më të drejtë për të gjithë.”
Barra ekonomike e pasivitetit fizik është tepër e lartë dhe kostoja e trajtimit të rasteve të reja me sëmundje jo të transmetueshme dhe të parandalueshme do të arrijë në afro 300 miliardë dollarë deri në vitin 2030, rreth 27 miliardë dollarë çdo vit.
Ndërkohë që politikat kombëtare për të trajtuar sëmundjet jo të transmetueshme dhe pasivitetin fizik janë rritur gjatë viteve të fundit, aktualisht raportohet se 28% e këtyre politikave nuk financohen ose zbatohen.
Pavarësisht se këto konsiderohen si mënyra më e mirë për të motivuar popullatën që të luftojë sëmundjet jo të transmetueshme, raporti tregoi se vetëm pak më shumë se 50% e vendeve kanë zhvilluar një fushatë kombëtare komunikimi ose kanë organizuar evente për aktivitetin fizik me pjesëmarrje masive në dy vitet e fundit. Pandemia e COVID-19 jo vetëm që i ka penguar këto iniciativa, por ka ndikuar edhe në zbatimin e politikave të tjera, duke zgjeruar kështu pabarazitë në aksesin dhe mundësitë për t’u angazhuar në aktivitete fizike, për shumë komunitete.
Për të ndihmuar vendet që të rrisin aktivitetin fizik, plani global i veprimit i OBSH-së për aktivitetin fizik 2018-2030 (GAPPA) përcakton 20 politika të rekomanduara – duke përfshirë politikat për krijimin e rrugëve më të sigurta në mënyrë që të inkurajohen format më aktive të transportit, ofrimi i më shumë programeve dhe mundësive për aktivitet fizik në mjediset kryesore, të tilla si kopshtet, shkollat, kujdesi parësor shëndetësor dhe vendet e punës.
Raporti i sotëm i Statusit Global vlerëson përparimin e vendeve në këto rekomandime dhe tregon se duhet bërë shumë më tepër. Një gjetje e rëndësishme në raportin e statusit global mbi aktivitetin fizik, është mungesa e madhe e të dhënave globale për të gjurmuar progresin në disa nga politikat e rëndësishme, të tilla si ofrimi i hapësirave publike të hapura, ofrimi i infrastrukturës për ecje dhe çiklizëm, ofrimi i sportit dhe edukimit fizik në shkolla. Raporti gjithashtu rekomandon që të adresohen dobësitë në disa nga të dhënat ekzistuese.
Raporti u bën thirrje vendeve që të kenë prioritet aktivitetin fizik, si çelës për përmirësimin e shëndetit dhe për trajtimin e sëmundjeve jo të transmetueshme, të integrojnë aktivitetin fizik në të gjitha politikat përkatëse dhe të zhvillojnë mjete, udhëzime dhe trajnime për të përmirësuar zbatimin e tyre./FrontOnline/