Shkrimi 400-vjeçar që u shpik për t’i lejuar gratë që të komunikojnë me njëra-tjetrën, pa e kuptuar këtë burrat, ka marrë rëndësi të re sot. Në serinë “Gjuhët sekrete” të BBC-së, përshkruhet zbulimi i gjuhës Nushu dhe se çfarë do të thotë ajo për gratë moderne, transmeton Telegrafi.
“Për t’i dhënë shpresë njëra-tjetrës, krijuan një shkrim që burrat nuk e kuptonin”. Në dokumentar, një grua përshkruan Nushunë – gjuhën e shpikur në provincën Hunan të Kinës, për të ndihmuar fshataret në fshatrat e veçuara që të përballen me kushtet në të cilat këmbët e tyre ishin të lidhura dhe që ishin të kufizuara në dhomat e veta. Fillimisht i shkruar në tiganë me degë pemësh, shkrimi më vonë u shkrua në freskore ose u qëndis në shami dhe u zhvillua në poezi.
“Është historia që shumica e kinezëve nuk e njohin”, thotë regjisorja Violet du Feng. “Në letërsi ka shumë pak të dhëna për jetën, ekzistencën dhe përvojat e grave, dhe unë nuk u rrita të njoh asnjërën prej tyre. Nuk dija asgjë për Nushunë dhe ndjeja se duhet të di diçka nga kjo”.
Megjithatë, gratë sot po gjejnë frymëzim në këtë gjuhë, siç zbulon Du Feng në dokumentarin e saj të ri. “Nushu është hapësira që ua lejon grave t’i besojnë njëra-tjetrës, të jenë të ndjeshme me njëra-tjetrën, të ndajnë betejat dhe sfidat dhe më pas të bashkohen e të kenë një hapësirë për të ndërtuar lidhje të simotrave”.
Derisa Nushu po ruhet si artefakt kulturor, ka vlerë të madhe për ato që e shkruajnë dhe ka ende rol të rëndësishëm për ato që e praktikojnë. “Për ne, është art”, thotë një cicerone muzeu. “Jo për ata. Është krijuar për t’u rebeluar”.