Njohësi i fushës së energjetikës, Agron Dida në një prononcim për FrontOnline thotë se deri sa në Evropë është rritur çmimi i energjisë elektrike, atëherë kjo do të ndodhë edhe në Kosovë.
“Është e domosdoshme, nuk mundet Qeveria prej buxhetit me pagu energjinë elektrike. Është situatë e cila nuk varet prej neve, tash në të kaluarën ka ndodhë gabimi që nuk është mendu me kohë për burime vetanake të energjisë që nuk ndikojnë… psh rritja e çmimeve të gazit që ndodhi në Evropë edhe me atë edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike, prandaj meqenëse nuk jemi përgatit me kohë atëherë tash duhet të paguajmë dhe nuk ka këtu mundësi tjetër”, ka thënë ai për FrontOnline.
Dida, ka treguar edhe hapat që duhet të ndërmerren për ta kursyer energjinë elektrike.
“Gjithashtu një proces tjetër që duhet të ndodhë këtu është një fushatë agresive për kursimin e energjisë elektrike, është edhe një aspekt tjetër komunat duhet të mos lejojnë furnizimin e energjisë elektrike për nxemje në ndërtesat e reja, psh qysh po bëhet tash dhe kjo nuk është e përballueshme për kapacitetet tona gjeneruese. Tash kur importojmë energji atëherë ti importon me çmimin evropian dhe nuk është çmim që ne e caktojmë”, është shprehur Dida, për FrontOnline.
Sipas tij, përgjegjësi për këtë duhet të kërkohet te qeveritë e para pavarësisë, të cilat nuk kanë bërë asgjë në sigurimin e pavarësimit energjetik të Kosovës.
Në tetor të këtij viti Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka vendosur që mos të ketë shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2021.
Tarifat aktuale të energjisë do të mbesin të njëjta deri me 1 prill 2022, kur bëhet rishikimi i rregullt çmimeve të energjisë elektrike në vartësi të të hyrave maksimale të lejuara për operatorët e rregulluar (KESCO, KEDS dhe KOSTT).
Ky vendim i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë është marrë përkundër faktit që çmimi i importit të energjisë elektrike është rritur dukshëm gjatë këtij viti krahasuar me vitet e kaluara.
FrontOnline gjatë ditës ka kërkuar përgjigje në Zyrën e Rregullatori të Energjisë Elektrike se a mund të ketë ndryshim të çmimit të energjisë para muajit prill, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje./FrontOnline/
Lexo edhe:
Shtrenjtohet energjia elektrike në Evropë, por si do të veprohet në Kosovë?