Mbledhja konstituive e përbërjes së re parlamentare do të mbahet nesër në mesditë, nën protokolle të posaçme për shkak të koronavirusit në sallën nën Kupolën e madhe në vend se në sallën “Maqedonia. Mbledhja do të zhvillohet sipas protokolleve dhe kritereve, që janë përcaktuar në koordinimi paraprak me kryetarin e Komisionit për sëmundje ngjitëse, dr. Zharko Karaxhovski, në mënyrë që të ulet rreziku nga përhapja e mundshme e infektimit nga koronavirusi.
Duke folur për zgjedhjet e përfunduara, presidenti Stevo Pendarovski në fjalimin në Pelince porositi se pret konstituim të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re, e cila, siç tha, nuk do ta ketë komoditetin të mos i parashtrohen pyetje të vështira në 100 ditët e para. Trendet aktuale me virusin, theksoi, nuk do të lejojnë kthim të plotë të ekonomisë në binarë, ndërsa problemet ekonomike, shtoi, çdoherë sjellin destabilitet dhe pakënaqësi qytetare. Shumë më herët para se t’i fillonim negociatat me BE-në, theksoi, do të duhet të fillojmë me implementimin praktik të reformave të ardhshme juridike dhe ta intensifikojmë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.
“Përfundimisht, Qeveria e re do të ketë një detyrë tjetër komplekse, posaçërisht pas një fushate të këtillë zgjedhore në të cilën u thanë akuza të rënda dhe diskualifikime të rënda të cilat plotësisht i thelluan ndarjet mes qytetarëve”, theksoi Pendarovski.
Ai theksoi se menjëherë pas zgjedhjes, një nga përcaktimet e tij kryesore është pajtimi, për të cilin sot, tha, është i bindur se na nevojitet më shumë se kurdo herë në histori, si shtet i pavarur.
“Shpresoj dhe pres që ai angazhim i imi të mbështetet edhe nga Qeveria e re edhe nga opozita dhe se së bashku me të gjithë qytetarët pavarësisht nga prejardhja e tyre etnike dhe bindja partiake, do të punojmë për realizimin e këtij qëllimi. Atëherë kur të mësojmë se politika është betejë e ideve, e jo betejë për jetë a vdekje dhe se nga ndryshimi i pushtetit nuk guxon të varet realizimi i të drejtave dhe lirive të secilit qytetar madje, atëherë, do të kemi shtet të vërtetë demokratik”, theksoi presidenti.
Në pritje të mbajtjes së mbledhjes konstituive edhe nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski dje nga Krusheva u bëri thirrje të gjithë faktorëve politikë, pa marrë parasysh nëse janë pushteti apo opozita, të gjithë të cilët morën përgjegjësi nga qytetarët për ta udhëhequr shtetin, ta arsyetojnë besimin e tyre dhe t’i përmbushin premtimet dhe angazhimet e dhëna para tyre.
Partitë të cilat pas zgjedhjeve jozyrtarisht i filluan bisedimet, pritet t’i intensifikojnë përpjekjet rreth sigurimit të shumicës në përbërjen e re parlamentare he formimin e qeverisë.
Nga partia në pushtet e cila e kryeson koalicionin “Mundemi” me më së shumti mandate të fituara në zgjedhjet e 15 korrikut, përsëritën se bisedimet për formimin e shumicës parlamentare dhe qeverisë zyrtarisht do t’i fillojnë pas festave të Ilindenit. Kryeministri dhe nënkryetar i LSDM-së, Oliver Spasovski pret që shpejti të formohet Qeveria e re nga ana e LSDM-së. I vlerëson si nebuloze akuzat nga ana e opozitës për blerje të deputetëve.
“Përmes bisedës, përmes dialogut, me pranim të parimeve për të cilat angazhohemi, ajo do të jetë baza për të cilën do të kërkojmë mbështetje nga deputetët në Kuvend. Pres që kjo të ndodhë shumë shpejtë pas formimit të Kuvendit”, tha javën e kaluar Spasovski për “Brifingun e mëngjesit”.
E komentoi edhe deklaratën e liderit të opozitës, Hristian Mickoski, se është e mundur të ndodhin zgjedhje të reja në vjeshtë.
“Mickoski çdo ditë i ndryshon qëndrimet. Apo deri para disa ditëve thoshte se ai do ta formojë qeverinë, se përbën shumicë parlamentare. Tani thotë zgjedhje të reja. Kjo megjithatë është punë e tij. Zgjedhjet kaluan. Nga ato ka fitues të qartë. Ajo është LSDM. Ne do ta formojmë qeverinë e re”, theksoi Spasovski.
Mickoski dje në fjalimin me rastin e dy Ilindenëve nga Tashmarunishta e Strugës, përsëriti se “do të marrin pjesë në garën për formimin e qeverisë”.
Mickoski javën e kaluar deklaroi se nuk do të ishte i befasuar nëse në vjeshtë ndodhin zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare nëse nuk arrijnë as ata, as LSDM, as ndonjë parti tjetër të formojë Qeveri.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut, LSDM fitoi 46 mandate deputetësh, VMRO-DPMNE 44, BDI 15, Koalicioni Aleanca për shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta dy dhe PDSH një. Rezultatet përfundimtare zyrtare nga zgjedhjet u kumtuan më 25 korrik, kur KSHZ ua ndau vërtetimet deputetëve të zgjedhur/Alsat.